Vdekshmëria nga varfëria, Shqipëria e para në Ballkan
“Save the Children”
Raporti: 16.7 vdekje për 1000 lindje. Problem edhe aksesi i kufizuar për grupet vulnerabël
Nga Shpresa Mezini
Shqipëria renditet e para në Ballkan për sa i takon vdekshmërisë së fëmijëve, për shkak të varfërisë, me rreth 16.7 vdekje për 1000 lindje. Të dhënat e raportuara në studimin e “Save the Children” për “Situatën e nënave në botë”, për vitin 2014, paraqesin shifra të frikshme, qoftë për shkallën e vdekshmërisë së fëmijëve, si pasojë e varfërisë, qoftë për cilësinë e ulët të shërbimit të kujdesit shëndetësor, i cili ofron akses të kufizuar sidomos për zonat rurale dhe grupet vulnerabël. “Shqipëria ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë, për fëmijët nën moshën 5 vjeç, krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit, respektivisht kjo shkallë është 16.7 vdekje për 1000 lindje të gjalla. Të gjitha vendet e tjera në rajon kanë shkallë më poshtë se 12 për 1000 lindje të gjalla”, identifikohet në raportin e “Save the Children”, i prezantuar dje në kuadër të Ditës Botërore të Veprimit për Mbijetesën e Fëmijëve. Në kushte si këto, kur në vend raportohet situatë alarmante, për shkallën e vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç, “Save the Children” i bën thirrje qeverisë dhe politikëbërësve të përshpejtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund vdekjeve të fëmijëve nga shkaqe të parandalueshme dhe për të garantuar akses në shërbimet cilësore shëndetësore për gjithë fëmijët, pavarësisht se cilët janë, nga vijnë dhe ku jetojnë. Referuar të dhënave të arritura në një studim për “Vlerësimin e situatës shëndetësore në Shqipëri”, për vitin 2012, rezulton, se në pjesën më të madhe të rasteve, dhënia e kujdesit shëndetësor është e një cilësie të ulët dhe ka akses të kufizuar në shërbime shëndetësore publike dhe informacion mbi shëndetin, veçanërisht për popullsitë që jetojnë në zonat rurale dhe për grupet e margjinalizuara. Por, pavarësisht studimeve të publikuara në vend nga organizata të njohura në arenën ndërkombëtare, që jo rrallëherë kanë ngritur alarmin për situatën problematike të sistemit shëndetësor në vend, në këtë drejtim kjo fushë vijon të mbetet e tillë. Siç raporton edhe “Save the Children”, mungesa e informacionit por edhe ofrimi i shërbimeve të kufizuara në shërbim të pacientit, janë faktorët, që ende sot vdekshmëria e fëmijëve prej varfërisë është e një niveli tejet të lartë, fenomen që sipas saj është lehtësisht i parandalueshëm.
Kequshqyerja
Një tjetër shqetësim që ngrihet në raport janë edhe normat e ushqyerjes së foshnjave me qumësht gjiri, ku vërehet se 1 në 5 fëmijë në Shqipëri janë të kequshqyer kronikë.
“Normat e ushqyerjes vetëm me gji dhe të menjëhershme janë të ulëta. Vetëm 43% e nënave i vënë bebet në gji brenda orës së parë të lindjes dhe vetëm 39% e fëmijëve nën 6 muaj janë ushqyer vetëm me gji. Një në pesë fëmijë në Shqipëri janë të kequshqyer kronikë. Këto janë disa nga arsyet që edhe fëmijët sot lobojnë për të ndryshuar këto të dhëna dhe për të përmirësuar jetën e tyre. ‘Gara për Mbijetesë’ është ngjarja më e madhe mobilizuese e udhëhequr nga fëmijët. Ajo mobilizon dhjetëra mijë fëmijë në të gjithë botën që u bëjnë thirrje vendimmarrësve t’i japin fund vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve. ‘Gara për Mbijetesë’ është një nismë e fëmijëve që kanë mundësi t’i paraqesin mesazhet e tyre te vendimmarrësit dhe mediat, për të ndërgjegjësuar palët në parandalimin e vdekjeve të të vegjëlve, si pasojë e varfërisë”, – sqaron “Save the Children”. Thirrja bazohet në fakte suksesi, që tregojnë se shtetet që kanë përmirësuar politikat në këtë drejtim kanë arritur të përgjysmojnë numrin e fëmijëve që vdesin nën moshën 5 vjeç.
Nisma
Sipas të dhënave të raportuara nga kjo organizatë, këtë vit, rreth 60.000 fëmijë mbi 65 vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, do të vrapojnë për t’ju bashkuar fushatës sensibilizuese të “Save the Children” për t’i dhënë fund vdekjeve të parandalueshme të fëmijëve. Ky është viti i tretë ku fëmijët shqiptarë i bashkohen kësaj fushate dhe i kërkojnë qeverisë e politikanëve të marrin masa të menjëhershme dhe të angazhohen për të përmirësuar aksesin dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për të gjithë fëmijët. Rreth 100 fëmijë pjesëmarrës (nga shkollat 9-vjeçare të Burrelit) do të kenë mundësi të diskutojnë çështjet e shëndetit dhe mbijetesës së fëmijëve me përfaqësues të lartë nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Qarku i Dibrës dhe Bashkia e Burrelit, duke theksuar të drejtën e tyre për akses në shërbime cilësore shëndetësore, si dhe nevojën për të sjellë ndryshime konkrete për shëndetin dhe mbijetesën e fëmijëve në Shqipëri. Si pjesë e kësaj dite do të përurohet edhe Qendra Shëndetësore, Komuna Gurrë. Rikonstruksioni i plotë dhe pajisja me materiale e mjete shëndetësore e kësaj qendre u mbështet nga “Save the Children”, në kuadër të projektit: Akses në shërbime shëndetësore cilësore dhe informacion për nënat, të porsalindurit dhe fëmijët në fshatin Rripë.