Veliaj-Nokës: Jepni ndihmën ekonomike në komunat që drejton PD. I përgjigjet deputeti: Je papagall dhe i pafytyrë
Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj akuzon kryetarët e komunave dhe bashkive që drejtohen nga PD në mbarë vendin se nuk po shpërndajnë ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Sipas Veliajt, kjo situatë është bërë shkak për largimin e qytetarëve. Duke i kërkuar deputetit demokrat Flamur Noka të mos largohet nga salla e Kuvendit, Veliaj i thotë që t’u kërkojnë krerëve të komunave e bashkive të shpërndajnë ndihmën ekonomike për qytetarët.
“Flamur Noka rri këtu në sallë dhe dëgjo për largimet nga vendi, se janë komunat e zonës ku ti je deputet që nuk japin ndihmën ekonomike. Komunat e prekura nga eksodi drejtohen nga të djathtët. Janë komuna në Kukës, Zapod, Shishtavec, që prej muajsh nuk u japin qytetarëve ndihmën ekonomike, por u mbyllin dyert. Njësia 4 në kryeqytet nuk jep ndihmën ekonomike prej 4 muajsh, po kështu edhe njësia 11. Askush nuk u shërben qytetarëve, apo t’u hapë derën. Paratë bashkitë i kanë që në Janar por nuk kanë mbledhur Këshillat Bashkiakë për t’i shpërndarë. Kjo është strategji për fitore, duke mos shpërndarë paratë e ndihmës ekonomike? Ju edhe lekët që jua shpërndan Qeveria jeni të paaftë t’ua shpërndani qytetarëve. Po as këtë nuk e bëni dhe vini këtu edhe akuzoni. Ne jemi vendi i parë që ia japim ndihmën ekonomike grave, dhe për këtë kemi marrë vlerësime”, tha Veliaj.
Ministri Veliaj është ndalur edhe tek pensionet e emigrantëve, e kryesisht tek marrëveshjet e arritura me vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët, për njohjen e viteve të punës. Veliaj tha se vazhdojmë bisedimet me Italinë, ndërsa shton se po tentohen bisedime edhe me Greqinë.
“Edhe për pensionet e emigrantëve ne mbajtëm premtimet. Në 8 vite nuk bëtë asnjë marrëveshje për pensionet. Në 18 muaj kemi lidhur 8 marrëveshje ku përfitojnë 200 mijë emigrantë. Nuk mund të them që kemi bërë mrekulli, por po punojmë për të realizuar qëllimet. Me Italinë kemi filluar, me Greqinë po tentojmë. Edhe pensioni për minatorët është dyfishuar. Nuk mund të themi se pensioni social është ideal, por është ndihmë e madhe për ata që nuk kanë dhënë kontribute”, tha Veliaj.
Noka: Të flasësh për parajsë kur njerëzit s’kanë bukë të hanë, duhet të kesh emrin ‘Erion Veliaj’
I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit të qarkut të Kukësit, Flamur Noka. Sipas Nokës, të flasësh për shpresa në një kohë kur njerëzit nuk kanë për të ngrenë, ‘duhet të kesh emrin Erion Veliaj’. Noka, teksa akuzoi qeverinë Rama se në dy vitet e fundit ka rritur numrin e të papunëve, ndërsa ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike rreth 10 mijë familje.
“Të vish këtu e të flasësh siç flet ky zotëria, do të thotë të jesh më i pafytyrë se pafytyrësia, pasi po të nxjerr bojën ty. Me një situatë që jemi sot, se as ky papagalli që kakarisi sot, ku njerëzit po vuajnë për bukë dhe nuk shohin shpresë dhe të flasësh për parajsë, duhet të kesh emrin Erion Veliaj. Isha dje në ato fshatrat e Kukësit që po flet zotëria, më thanë Flamur kur ishin ju i kishim dy pjata ku hanim, tani s’kemi asgjë. Ja kjo është derexheja që e keni katandisur Kukësin. Qarku më i varfër është Kukësi. Në kohën tonë ishin 18 mijë familje që merrnin asistencë sociales për të mbijetuar, ndërsa në këto dy vite këta e ulën numrin në 7 mijë familje. I bie që të kenë hapur nja 10 mijë vende pune. Por ata i kanë mbyllur bizneset private. A mos i ke punësuar 10 mijë familje?!”, -tha Noka.
Më tej Noka, teksa komentonte thënien e Veliajt mbi eksodin dhe ikjen masive të shqiptarëve, se fluks largimesh ka nga komunat e djathta, deputeti i PD-së theksoi se ‘Jo, i urren dhe po i diskriminon’. “Në kohën që ishin ne në pushtet, asistenca ishte mbi 5 mijë lek, ndërsa tani është 2 mijë lekë në muaj. Të paguaj dritat se e fut në burg ky?Ata njerëz janë duke vdekur për bukë deh ndaj ikin. Orë ti (Veliajt) the se ikin komunat e djathta, po Orikumi i djathtë është?! Nuk mund të ketë një emigrim të tillë me prapavijë politike. Kjo pasi zyrtarët e pushtetit tuaj rrinë pas komisariate për të nxjerr pasaportat. Në kohë e Ramiz Alisë ka ndodh eksodi masiv. 4 mijë banor të rrethit Kukës kanë ikur.”, -tha Noka.