Veliaj pret kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim zyrtar kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e cila ashtu si dhjetëra politikanë e drejtues shqiptarë të pushtetit vendor në rajon, do t’i bashkohet nesër “Maratonës së Tiranës 2016”. Ata vlerësuan si tepër pozitiv angazhimin e kryetarëve bashkive dhe komunave shqiptare të rajonit, si një mundësi për të rritur bashkëpunimin dhe forcuar e bashkërenduar në interes të qytetarëve shqiptarë. Veliaj e falenderoi homologen e tij nga Gjakova, e cila iu përgjigj thirrjes dhe do ta marrë pjesë në Maratonën e Tiranës, që zhvillohet nesër.
“Mimoza bën një punë fantastike në Gjakovë, por gjithmonë gjen kohë të përfshihet edhe në punët tona të bukura. Më vjen mirë që ajo sot, përveçse si kryetare e komunës, vjen edhe si vrapuese, atlete, si njeri që inkurajon sportin dhe jetën e shëndetshme, ndaj e mirëpres në Tiranë, e mirëpres si vrapuese, si kolege dhe nesër duam që të ftojmë të gjithë qytetarët tanë, ata që do të marrin pjesë, që do të brohorasin, ata që prej maratonës do të marrin disa vendime për një jetë më të shëndetshme e aktive, që të na bashkohen!”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai ka përfituar nga rasti që t’u bëjë thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Tiranës që tregohen bashkëpunues dhe të shmangin për aq sa është e mundur lëvizjet me makina në qytet, në mënyrë që të mos krijohet trafik i rënduar.
“Nesër do të jetë një ditë kryesisht pa makina në itinerarin që do të përshkojë maratona, megjithatë në një qytet që pushtohet nga makinat 364 ditë në vit, një ditë pa makina për vrapuesit, për ata që dëshirojnë natyrën dhe sportin është një sakrificë që të gjithë do të duan ta bëjnë”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës. Ai bëri të ditur se javën e ardhshme Bashkia e Tiranës do t’i bashkohet një tjetër maratone që do të zhvillohet në zonën e malësisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Mezi pres që javën tjetër ne t’ju bashkohemi për maratonën e Malësisë, nga Gjakova deri në Bajram Curri. Jam shumë i impresionuar për punën fantastike që ke bërë në Gjakovë! Je një shembull frymëzimi, jo vetëm për ne si kryetarë bashkie, por për të gjithë ata që aspirojnë të angazhohen në jetë publike, sidomos vajzat që shikojnë dhe është e mundur edhe në mentalitetin tonë shqiptar që të jesh një vajzë e suksesshme dhe të jesh një kryetare jo vetëm e aftë por jashtëzakonisht përfshirëse e gjithë komuniteteve!”, u shpreh Veliaj.
Nga ana e saj, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, shprehu mirënjohje për mikpritjen, ndërsa theksoi se pjesëmarrja në Maratonën e Tiranës ka një simbolikë të fortë kombëtare. “Për mua është tepër e rëndësishme që të jem pjesëmarrëse në Tiranë, që aktivitetet sportive përfshijnë Kosovën, Shqipërinë, që të jemi bashkë në këto aktivitete e natyrisht të tregojmë që jeta e shëndetshme nuk është vetëm e lidhur me elementin se duhet bërë domosdo, për arsye se jemi të detyruar, por duhet bërë për arsye se jemi më pozitivë, më kreativë. Vrapimi më ndihmon shumë edhe në procesin e vendimmarrjes, por më ndihmon edhe që t’u jap shembullin qytetarëve të Gjakovës, por edhe gjithë Republikës së Kosovës, për angazhim më të madh sportiv. Pres të shoh se çfarë ka përgatitur nesër Tirana për ne, do të jem në mesin e vrapuesve, në 21 km gjatësi. Natyrisht, të marrim diçka të mirë, të kthehemi prapa në Gjakovë, të implementojmë vrapin tonë në Gjakovë e Bajram Curri”, u shpreh kryetarja e Komunës së Gjakovës.
Në maratonën e ditës së nesërme pritet të marrin pjesë shumë politikanë e drejtues të bashkive dhe komunave që drejtohen nga shqiptarët në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.