Sociale

Veliaj: Të dielën pastrojmë Tiranën, ftojmë qytetarët t’i bashkohen aksionit

Qytetarët e Tiranës do t’i bashkohen të dielën nismës së bashkisë për pastrimin e qytetit, si një mënyrë e mirë për të pritur Ditën e Verës.

Në takimin e zhvilluar me ndërlidhësit e Njësive Administrative nr. 2, 3 dhe 4, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ka kërkuar atyre që, së bashku me qytetarët, të bëhen pjesë e aksionit.

Veliaj theksoi se pastrimi i qytetit është një prioritet e bashkisë së Tiranës, ndaj krahas angazhimit të ndërmarrjeve të bashkisë, ka kërkuar edhe përfshirjen qytetare.

“Të hënën do të festojmë Ditën e Verës, ndaj në fundjavë kemi vendosur të bëjmë një pastrim të shtëpisë tonë të përbashkët. Pastrimi i Tiranës është përmirësuar ndjeshëm, kompanitë po bëjnë një punë më të mirë dhe sot përbën lajm pse rrugët nuk lahen kur është ftohtë. Para 6 muajsh, ishte krejt e kundërta. Por, nuk mjafton”, u shpreh ai.

Ai theksoi se aksioni i radhës për pastrimin e Tiranës është një test edhe për funksionimin e ndërlidhësve. Duke folur për kompetencat dhe detyrat e ndërlidhësve, Veliaj tha se prioriteti i detyrës së tyre është kontrolli dhe menaxhimi i territorit, si dhe raportimi për çdo ndërtim pa leje.

“Është përgjegjësi ligjore të raportojmë të gjitha ndërhyrjet pa leje në komunitet tek administratori, i cili më pas raporton tek IMT. Historia e ndërtimeve pa leje duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë në komunitetet tona dhe roli i ndërlidhësit është që ta bëjë këtë lloj raportimi dhe të sigurohemi që e kemi situatën nën kontroll”, shtoi Veliaj.

Gjithashtu, ai kërkoi prej tyre që, si ndërlidhës të administratorëve të pallateve me administratorin e njësisë administrative dhe bashkinë, të luajnë rol për mbarëvajtjen e jetës së komunitetit që ata përfaqësojnë, të ndërmjetësojnë zgjidhjen e problemeve mes qytetarëve.

“Është shumë e rëndësishme të kemi rolin si ndërmjetësues në konfliktet që mund të kenë banorët apo në përfaqësimin e banorëve me bashkinë. Besoj se është në nderin e secilit prej ndërlidhësve ta marrë seriozisht këtë punë me autoritetin që i jep ligji, të ndihmoni në zgjidhjen e konflikteve”, tha Veliaj.

Ai ka kërkuar mbështetjen e ndërlidhësve që t’u shpjegojnë qytetarëve projektet e nisura nga bashkia dhe që prekin lagjen apo njësinë e tyre administrative, për të shmangur çdo keqinformim që mund të vijë për arsye të ndryshme.

Duke iu referuar reagimeve që kanë ngjallur disa vendime të bashkisë për zhvillimin e qytetit, kryebashkiaku Veliaj bëri të qartë se askush nuk mund të imponohet me forcë që bashkia të heqë dorë nga punët e mira. Ai tha se në muajt në vijim bashkia e Tiranës do t’i kushtojë rëndësi përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës parashkollore dhe shkollore. Për këtë ai lajmëroi se ashtu siç u veprua me çerdhet do të veprohet edhe me kopshtet, ku donatorë të ndryshëm do të marrin përsipër rikonstruksionin e një objekti të veçantë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button