Ekonomia

Vendet ekzotike, pesëfishohen eksportet drejt ishujve Cayman

Bizneset shqiptare ia kanë dalë të eksportojnë mallra të prekshme edhe në ishujt ekzotikë.

Duken si destinacione të largëta për tu arritur dhe në më të shumtën e rasteve i dëgjojmë si vende që përdoren për të regjistruar kompani ‘offshore’.

Të dhënat e Institutit të Statistikave, INSTAT tregojnë se eksportet drejt ishujve Cayman u pesëfishuan në vitin 2015, duke arritur në 1 miliardë lekë.

Sipas një artikulli të botuar në revistën Monitor, edhe drejt ishujve të padëgjuar Marshall, eksportet janë gjashtëfishuar, ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël.

Por cili është produkti që ka arritur të depërtojë në këto tregje të largëta?

Sipas të dhënave të detajuara nga INSTAT, kanë qenë eksportuesit e xeherorëve ata që kanë gjetur këto destinacione, në përpjekje për të amortizuar uljen e eksporteve drejt Kinës. Ishujt Cayman janë bërë në 2015-n destinacioni i dytë i këtij grupi, pas Kinës.

Drejt kësaj të fundit eksportet e xeherorëve ranë me 26%. Ndërsa eksportet e këtij grupi në total ranë me 4%, pikërisht për shkak të gjetjes së tregjeve të reja. Me gati 12 miliardë lekë, Xeherorët, Zgjyra dhe Hiri janë kapitulli i 6 më i eksportuar, nga 99 kapitujt që raporton INSTAT në statistikat e tij dhe qe zënë gati 5% të totalit të eksporteve.

Përveç ishujve Cayman dhe Marshall destinacione të tjera të largëta ku kompanitë shqiptare kanë arritur të eksportojnë këtë produkt janë Hong Kongu, Emiratet e Bashkuara etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button