Venecia 2015: Shqipëria çon të shkuarën
Armando Lulaj do të prezantojë Shqipërinë në edicionin e 56 të Bienales së Artit në Venecia 2015, nga data 9 maj deri më 22 nëntor
“Kurrë nuk kam idealizuar të shkuarën në kurriz të së tashmes, por bindshëm kam gërmuar thellë në besimin ku e shkuara dhe e tashmja përbëjnë plotësisht botë të ndryshme. Zhargoni i përgjithshëm i përdorur për të përshkruar të shkuarën është përgjithësisht i djallëzuar, ndërsa ai i së tashmes, mund të perifrazohet si një eufemizëm i thjeshtë”. Armando Lulaj shprehej kështu teksa shpjegonte raportin e tij me të shkuarën, duke iu referuar punës së tij FIEND, vetëm pak kohë më parë për gazetën “Shqip”. Duke përdorur të njëjtën gjuhë si për të tashmen ashtu dhe për të shkuarën, ai solli një shumëllojshmëri gjuhësh që në thelb sillnin të vërtetat për pjesë të ndryshme kohore. Armando Lulaj është një artist që i pëlqen të ketë një filozofi në punët e tij. Kjo ndoshta nga të lexuarit, që gjithnjë sjellin ide të reja për artistin. 2014-a duket se është një vit me fat për Lulajn. Pas disa çmimesh të fituara në konkurse brenda vendit, ai do të jetë artisti që do të prezantojë Shqipërinë në edicionin e 56 të Bienales së Venecias. Dje, Ministria e Kulturës bëri publik emrin e Lulajt si fitues i projekt-propozimeve që kishin mbërritur në adresë të Ministrisë për pavijonin e Shqipërisë në Edicionin e 56 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Venecia, që do të zhvillohet nga data 9 maj – 22 nëntor 2015 dhe kurohet nga Okuwi Enwezor. “Trilogjia shqiptare: Një seri stratagjemash të tërthortë” quhet projekti i Lulajt, i cili do të kurohet nga kritiku italian i artit Marco Scotini.
Projekti i Lulajt përfaqëson përfundimin e një kërkimi shumëvjeçar të artistit sa i përket periudhës së Luftës së Ftohtë në Shqipëri, por edhe më gjerë, rolit të së kaluarës në të tashmen, kujtesës dhe eksperiencës historike – veçanërisht nëpërmjet arkivave, “trofeve” dhe “boshllëqeve” të së kaluarës. Vepra e parë në këtë cikël titullohet “It Wears as It Grows”, kurse e dyta është e mirënjohura “Never” – që është shfaqur në ekspozita të rëndësishme ndërkombëtare. Vepra e tretë, “Recapitulation” do të prodhohet posaçërisht për Bienalen e Venecias. Juria e përbërë nga Boris Groys (president) dhe anëtarë Kathrin Rhomberg, Adrian Paci, Albert Heta zgjodhën propozimin e Lulajt “për paraqitjen e tij të plotë dhe të detajuar; inteligjencën dhe forcën e tij konceptuale; marrëdhëniet me historinë shqiptare dhe njëkohësisht atë globale; strukturën e brendshme të komplikuar; qartësinë e vizionit kuratorial dhe mbështetjen e siguruar nga donatorë të tjerë”. Artistët pjesëmarrës në konkurs për të prezantuar Shqipërinë në Venecia ishin Irgin Sena me “Re-” me kuratorë Eriola Pira dhe Marco Antonioni; Arjan Shehaj me “Pa Titull” me kurator Daniele Capra dhe Genti Korini; Klodian Deda me “I am real”; Endri Dani me “Homeland” me kuratorë Antonio Frugis dhe Roberto Lacarbonara; Alban Muja me “Love from a distance” nën kurimin e Tevž Logar dhe Helidon Gjergji dhe Vladimir Myrtezai Grosha me “off-exavator” nën kurimin e Raphaela Platow. Bienalja e Artit në Venecia është një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e arteve pamore. Në edicionin e vjetshëm të kësaj Bienaleje, Shqipëria nuk mori pjesë, por dy artistë të njohur shqiptarë Sislej Xhafa dhe Anri Sala prezantuan pavijonet e dy vendeve të tjera si Italia dhe Franca. Për herë të parë Shqipëria është prezantuar zyrtarisht në Bienale në vitin 2007 nën kurimin e Bonnie Clearwater. Artistët që prezantonin pavijonin shqiptar ishin Helidon Gjergji, Gent Gjokola, Alban Hajdinaj, Armando Lulaj dhe Heldi Pema. Për herë të dytë, Shqipëria ishte pjesëmarrëse në edicionin e 54-të të kësaj bienaleje nën kurimin e italianit Rikardo Kaldura. Artistët që Kaldura zgjodhi për të përfaqësuar idenë që ai i dha ekspozitës “Geopathies” ishin Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Driant Zeneli. Ideja kuratoriale e Kaldurës ishte evidentimi i një raporti të ngushtë mes veprës së artit dhe kontekstit gjeografik, historik dhe shoqëror. Tashmë Armando Lulaj kthehet sërish në Venecia, por tashmë i vetëm për të prezantuar Shqipërinë shtatë vjet më pas. Lulaj është një nga artistët e njohur të arteve pamore. Ndër ekspozitat solo të tij mund të përmendim, UNTITLED (Bologna: Galleria Cavour, 2014); Fiend (Tiranë: Teatri Kombëtar, 2013); Cold Wind (Bologna: Art Fair, 2013; Basel: Volta 8, 2012); No More Feelings (Rovereto: Paolo Maria Deanesi Gallery, 2012); No Mercy (Milan: Artra Gallery, 2011); Silent Soziale Corruption (Munich: Stästische Kunsthalle München, 2010); Time Out of Joint (New Zealand: Te Tuhi Center for the Arts, 2007); Mainstream Dissent (Milan: Artra Gallery, 2006); Temporary Autonomous Zones (Tiranë: Insurgent Space, etj. Ndërsa kuratori Marco Scotini është një personazh i njohur në artet pamore në vendin fqinj. Ai është drejtori i Departamentit të Arteve Vizuale në NABA (Nuova Accademia di Belle Arti, Milano), kuratori i Arkivit Gianni Colombo, si dhe drejton revistën No Order: Art in a Post-Fordist Society. Për më shumë se një shekull Bienalja e Venecias është një nga institucionet më prestigjioze të kulturës në botë. Që nga themelimi i saj në vitin 1895, ka qenë në avangardë në promovimin e trendeve të reja artistike dhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare të artit bashkëkohor.
Juria
BORIS GROYS-Filozof, eseist, dhe një ndër figurat më të rëndësishme në fushën e kritikës dhe teorisë së artit bashkëkohor. Dr. Groys ka punuar dhe vazhdon të punojë në disa prej universiteteve dhe Qendrave Kërkimore më prestigjioze në botë.
KATHRIN RHOMBERG-Kuratore e mirënjohur që jeton në Vjenë. Ndër të tjera, Rhomberg ka kuruar edicionin e tretë të Manifesta (2000), Projekt Migration, Cologne (2002-2006), edicioni i gjashtë i Berlinales (2010). Momentalisht, Rhomberg është kryesuesja e Koleksionit të Erste Group dhe ERSTE Foundation.
ADRIAN PACI- Një ndër artistët më të rëndësishëm shqiptarë. Ai ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash ndërkombëtare të rëndësishme, më së fundmi në pavijonin e Shqipërisë në Edicionin e 14 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, 2014.
ALBERT HETA- Artist, kurator dhe organizator nga Prishtina, ku drejton një prej qendrave më alternative të artit bashkëkohor, STACION.