Bota

Venecia vendos taksë për turistët që nuk qëndrojnë për të kaluar natën

Këshilli i qytetit të Venecias miratoi një taksë për turistët të cilët nuk qëndrojnë për të kaluar natën. Kjo masë e re do të ndihmojë në përballimin e kostove të larta të mirëmbajtjes dhe pastrimit të qytetit.

Sasia e madhe e mbeturinave që hidhen çdo ditë nga turistët përbën sfidë për punonjësit e pastrimit të qytetit, shërbim i cili paguhet nga vendasit.

Venecianët paguajnë rreth 40 për qind më shumë për pastrimin e qytetit në krahasim me banorët e qyteteve të tjera në Itali.

Një nga autoritetet e mjedisit, Massimiliano De Martin, u shpreh se ndërtimi i veçantë i qytetit e ka bërë shërbimin të kushtueshëm.

“Mjetet e vetme të mekanizuara për këtë lloj shërbimi me të vërtetë do të ishin anijet, por anijet nuk mund të shkojnë kudo për shkak të madhësisë së disa prej kanaleve dhe urave. Kjo do të thotë që shumë prej grumbullimeve të mbeturinave sot është bërë me dorë. Jo vetëm grumbullimi, me punonjësit e pastrimit që vijnë me këmbë dhe i bien ziles dhe vendosin mbeturinat në karrocat e tyre, por edhe pastrimi i rrugëve, që nuk bëhet me makinat e pastrimit, por me duar dhe fshesa gjashtë ditë në javë”.

Për të lehtësuar këtë presion, bashkia e qytetit ka vendosur një taksë për vizitorët me qëndrim të shkurtër, të cilët nuk paguajnë taksën e hotelit, pasi nuk kalojnë asnjë natë në qytet.

Udhëtarët do të taksohen me një taksë ditore prej 3 eurosh ose 3.4 dollarësh në vitin 2019.

Kjo taksë do të ndihmojë në financimin e shërbimeve të këshillit duke përfshirë mbledhjen e plehrave dhe pastrimin e hapësirave publike. Kjo taksë mund të paguhet edhe në agjencitë e transportit dhe turizmit.

Taksa e re pritet të hyjë në fuqi në maj dhe shkelësit mund të përballen me gjoba deri në 450 euro.

Taksa mbështetet edhe nga kryetari i Shoqatës Veneciane të Hotelerisë Claudio Scarpa, i cili tha se turistët njëditor në fakt i kushtojnë qytetit më shumë sesa i sjellin fitime.

“Gjendja e tanishme është se 70 për qind e turistëve që vizitojnë Venecian nuk flenë këtu, vijnë gjatë ditës dhe kontribuojnë vetëm 30 për qind të qarkullimit të turizmit në qytet. Ata më shumë i kushtojnë qytetit sesa i sjellin përfitime prandaj është me vend që ata ta rimbursojnë qytetin në një farë mënyre”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button