Venitja e “Shkëlqimit” të Financave
Kur Shkëlqim Cani mori në dorë financat e vendit në shtator të vitit 2013, momenti ishte mjaft i vështrë. Kriza ekonomike, që nisi pas vitit 2008, kishte dobësuar biznesin dhe konsumatorët, borxhi publik ishte rritur dhe njohja e detyrimeve të prapambetura të krijuara ndaj sipërmarrjeve e përkeqësoi dhe më tej situatën. Financat dhe ekonomia duheshin sjellë në binarë. Një detyrë që iu besua njeriut që kishte drejtuar Bankën e Shqipërisë për 4 vjet dhe ishte një nga ekspertët më të mirë të Partisë Socialiste. Ishte ndër të paktët poste ministrore, ku kryeministri Rama nuk “guxoi” të eksperimentonte, por vuri një njeri të fushës.
Pritshmëritë ishin të mëdha, edhe planet e ministrit të ri gjithashtu. Në një takim të parë jo formal me mediat, Cani do të tregonte ambiciet e tij për vendosjen e një kulture të re fiskale në vend, luftën ndaj informalitetit, rritjen e të ardhurave, uljen e borxhit, ndërsa premtoi transparencë të vazhdueshme. Me shaka do të konsiderohej nga disa gazetarë në atë kohë si “Ronaldo”, apo “Messi” i qeverisë.
Fillimi dukej i mbarë, ndonëse handikapi i parë ishte zgjedhja nga kryeministri i dy drejtoreshave pa përvojë në krye të tatimeve e doganave, një vendim që u pranua në heshtje nga ministri (që më vonë u detyrua të mbante barrën e dështimeve të vazhdueshme në realizimin e planit).
Me të marrë frenat në dorë, Financat nën drejtimin e Canit pranuan detyrimet ndaj biznesit dhe u angazhuan t’i shlyenin gradualisht ato, një lëvizje kjo e shumëpritur. U hodhën piketat për një marrëveshje me FMN-në, që u nënshkrua në mars 2015 dhe ktheu besimin te financat e vendit nga institucionet ndërkombëtare.
Në vitin e parë të detyrës, që përkoi me hartimin e buxhetit 2014, zgjodhi rritjen e disa taksave, ku më kryesorja ishte ajo e tatimfitimit (nga 10 në 15%) dhe e akcizave, si një rrugë drejt konsolidimit fiskal. Pas shthurjes së të ardhurave në vitin zgjedhor të 2013-s, ato iu rikthyen rritjes dy shifrore dhe buxheti u rishikua me rritje në mes të vitit për herë të parë pas shumë kohësh.
Fundi i 2014-s dha sinjalet se Cani po e kishte të vështirë t’i rezistonte presioneve të mëdha nga grupet e interesit. Një tentativë për të hequr akcizën për pijet energjike u rrëzua nga Kuvendi.
Edhe në buxhetin e 2015-s, rritja e taksave nuk mungoi, ndonëse me efekte më të ulëta financiare se një vit më parë, ku kryeson tatimi mbi të ardhurat përveç pagës, nga 10 në 15% dhe shtimi me 10 lekë/litër i taksës së qarkullimit për karburantet. Një rregullim do t’i quanin më shumë financat, që sërish “zemëroi” bizneset që, të lodhura nga kriza, kërkonin stimuj. Rritja e taksave u shoqërua dhe me ndryshime të shumta ligjesh e rregulloresh që e bënë “lëmsh” biznesin.
Ndërsa rritja e taksave u “justifikua” në vitin e parë të plotë të mandatit me më shumë të ardhura, janari 2015 nisi ters për financat. Të ardhurat ranë me gati 4% me bazë vjetore, një ecuri e papritur kjo. Ndonëse në atë kohë Cani u justifikua me vështirësitë e vënies në punë të sistemit të ri on line, muajt në vijim do të tregonin se kjo tendencë nuk ishte e rastësishme dhe rritja e taksave po kthehej në bumerang. Në mes të vitit buxheti u rishikua me ulje, duke hequr 16 miliardë lekë nga plani. E gjendur nën presionin, Ministria e Financave deklaroi nismën për një luftë të egër ndaj informalitetit në shtator, që për formën si u iniciua dhe shumëfishimin e masave ndëshkimore e presionet me burg, shkaktoi pakënaqësi të shumta te bizneset, sidomos ato të vogla, por edhe të mëdha. Për më tepër gjithë ky presion nuk dha asnjë rezultat për 4 muajt e fundit të vitit 2015, duke e çuar mosrealizimin për pjesën e dytë të vitit në gati 20 miliardë lekë dhe për gjithë vitin arriti në gati 36 miliardë lekë (rritja reale me vitin e mëparshëm ishte vetëm 3.2% dhe rënia reale duke hequr inflacionin dhe rritjen e PBB ishte -1.6%). Justifikimet për këtë ecuri të dobët ishin të shumta, nga konjuktura e pafavorshme e tregjeve ndërkombëtare e deri te ndryshimi i strukturës së prodhimit vendas, por në fund financat e pranuan (pas konstatimit edhe të institucioneve ndërkombëtare) se dhe rritja e taksave kishte shtuar informalitetin. Raportet e Crown Agents flisnin për evazion e kontrabandë, ndërsa dhe shefi i FMN-së kishte pranuar më parë se ka prova për një gjë të tillë.
Qeveria dhe financat u tërhoqën gradualisht nga presioni agresiv, pasi kryeministri deklaroi heqjen e taksave të biznesit të vogël (pas rënies së ndjeshme të popullaritetit si rrjedhojë e presionit të lartë të ushtruar mbi bizneset, që mbijetonin përmes vetëpunuësimit) dhe së fundmi tha se do të ndryshohet taktika dhe nuk do stresohet më biznesi. Rrëzimi nga Gjykata Kushtuesese i të të ashtuquajturit ligji për supergjobat lehtësoi gjithashtu klimën e acaruar me bizneset.
Fundi i 2015-s shënoi një tjetër “dështim” për financat, kur pjesa më e madhe e paketës fiskale, ose nuk arriti të kalonte në Kuvend ose kaloi e ndryshuar. Nën presionin e lobingjeve nuk u miratua rritja e akcizës së cigareve (e planifikuar që më parë) e verës, e birrës, të tjerat u modifikuan dhe në variantin fillestar u miratuan vetëm heqja e taksës së biznesit të vogël dhe rritja e taksës së sigurimeve. Shefi i FMN-së në Shqipëri, në një intervistë për Monitor do të pranonte hapur se lobimi për interesa të veçantë ka qenë ndoshta shumë i suksesshëm, dhe si rezultat, një numër i taksave dhe rregulloreve janë ndryshuar për t’iu përshtatur një numri të vogël të përfituesve. “Kjo tenton të rrisë barrën e të tjerëve, dhe të minojë konsistencën e përgjithshme të paketës”, pohoi ai.
A është Cani viktima e parë e koncesioneve?!
Largimi i ministrit Cani vjen në një moment kur gjërat duket se kishin kthyer për mirë në financat e vendit. Pavarësisht agresivitetit të fillimit, biznesi duket se është shtruar dhe kultura fiskale po ndryshon. Aksioni ndaj informalitetit këtë vit u përqendrua te biznesi i madh dhe janari shënoi një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga tatimet prej 42%, ndërsa dhe doganat deklaruan realizim plani. Standard&Poors rriti pak ditë më parë vlerësimin për Shqipërinë, teksa financat kishin premtuar se do të ulnin ndjeshëm borxhin publik në afatin e mesëm.
Por pse u zgjodh pikërisht ky moment dhe pse ministrit Cani nuk iu krijua mundësia të largohej me dinjitet përmes dorëheqjes, (siç kishte ndodhur me largimet e deritanshme) madje njoftimi i kryeministrisë ishte mjaft i thatë: “Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave”.
Vendimi i shkarkimit përkon me dy evente të pritshme. Së pari, FMN pritet të miratojë sot dy këste të marrëveshjes, në një total prej 53 milionë eurosh, që pritet të kalojë pa probleme.
Së dyti, për pak ditë do të hapet tenderi i për një partneritet publik privat për sistemin e administrimit të TVSH-së, pas një oferte të pakërkuar të një firme nga Hong Kongu që ka ngjallur shumë debate së fundmi. Nuk është më sekret kundërshtimi një vit më parë i financave për këtë projekt, ndërsa mbrojtësja më e madhe e projektit ishte zv/ministrja e financave, pasi ministri preferoi të qëndrojë më së shumti në hije.
Që në momentet e para të njoftimit, mediat aluduan se shkarkimi kishte lidhje pikërisht me kundërshtimin nga cani të projektit të TVSH-së. “Marrëdhëniet e Canit me Ramën duket se u përkeqësuan gjatë muajve të fundit në lidhje me projektin për dhënien me koncesion të sistemit për gjurmimin e faturave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, një koncesion që fillimisht qe një propozim i pakërkuar i dorëzuar te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pikërisht ministri Ahmetaj do të zëvendësojë Canin si ministër financash gjatë kohës kur pritet të kryhen edhe procedurat për tenderin e koncesionit”, shkruan agjencia investigative BIRN. Ndërsa Top Channel ka ngritur një tjetër pistë, sipas të cilët janë lobingjet e kromit që ishin të pakënaqur me politikat fiskale të ministrit të financave.
Dhe me një gur Rama duket se vrau dy zogj, largoi ministrin “plangprishës”, por kënaqi dhe aleatët e LSI-së që e kishin etiketuar Canin në listën e ministrave që nuk kishin pasur rezultatet e pritshme.