Ekonomia

Suedia mbështet zhvillimin e sektorit të agroindustrisë dhe thithjen e fondeve nga BE-ja

Përfaqësues të 10 institucioneve publike dhe private, janë përfshirë në një nismë të përbashkët që shtrihet në sektorin e agroindustrisë në vend, me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Kooperim Ndërkombëtar, SIDA, Institutit Suedez për Administrimin Publik, SIPU dhe Zyra e Konsulencës “Jarskog”.

Kjo nismë synon të krijojë modele në sektorin privat në agroindustri, për t’i shndërruar ato në shembuj konkretë të suksesit me impakt edhe në zhvillimin e shoqërisë. Por, jo vetëm për këtë. Gjatë programeve paraardhëse të granteve të alokuara të BE-së në vendin tonë, u konstatua një mungesë e theksuar e mirëmenaxhimit dhe përdorimit të këtyre fondeve nga sektori i agrobiznesit.

Nga Programi i trajnimit te perfaqesuesve te institucioneve publike dhe jo publike, mbeshtetur nga Agjencia Suedeze per Kooperim Nderkombetar Foto Harilla Koçi Programe të ndryshme të BE-së, mes të cilave ato të aksit “Ipard Like”, që kanë qenë efektive në periudhën 2007-2013, rezultuan me mungesë të theksuar në thithjen e fondeve, në një masë të përgjithshme prej 60 milionë euro. Kjo për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme teknike për të hartuar biznesplane cilësore, informalitetit në operacionet e përditshme financiare dhe procedurave burokratike të rimbursimit.

Në këto kushte, si pjesë e kësaj nisme të emërtuar Programi për Zhvillimin e Sektorit Privat, 5 institucione publike dhe ente publike-private, si edhe 5 biznese të njohura në Shqipëri, në kuadrin e dy akseve “Manaxhimi Strategjik i Biznesit” dhe “Strategjia e Rritjes së Sektorit Privat” 2015 -2016, po punojnë në një plan të përbashkët që synon forcimin e mekanizmave publike-private për zhvillimin e agrobiznesit dhe shoqërisë.

Nga Programi i trajnimit te perfaqesuesve te institucioneve publike dhe jo publike, mbeshtetur nga Agjencia Suedeze per Kooperim Nderkombetar Foto Harilla Koçi (1) Përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Dhomës së Tregtisë Tiranë, Bankës Intesa San Paolo, Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Vlorë, Shoqata e Prodhuesve Agroindustrialë, ajo e Grave Profesioniste, Afariste dhe Artizane të Shkodrës, si dhe subjektet “Erident”, “Communication Progress”, EMI Coaching and Consulting, “Prodhues Brumi Durrës”, po punojnë për programin e përbashkët të veprimit për të bërë efiçent sektorin e agrobiznesit dhe për të thithur fondet e pritshme të BE-së për Programin 2016-2021, duke realizuar aplikime të suksesshme deri në muajin shtator të vitit në vazhdim.

Kjo nismë do të konkretizohet, veç të tjerash, përmes trajnimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të fermerëve, për të aplikuar me efektivitet në kuadër të fondeve të BE-së. Metodologjia që po aplikohet, përfshin disa strategji mes të cilave, studimin dhe analizën e të dhënave bazë të programit paraardhës të BE-së, numrin e aplikimeve, nivelin e absorbimit të fondeve të përfituara, rritjen e nivelit të informimit të sektorit të agrobiznesit për skemat e ndryshme të financimit të BE-së, duke rritur cilësisht nivelin e informacionit dhe arritshmërinë e tij, trajnimin dhe pajisjen me aftësitë e nevojshme për aplikime dhe biznesplane të suksesshme, duke përdorur edhe instrumentat e teknologjisë së informacionit.

Daniel Stendahl, koordinator i Programit SIPU, thotë për ATSH-në se, SIPU Internacional dhe “Jarskog Konsult“, që përbëjnë Programin Ndërkombëtar të Trajnimit për Nxitjen dhe Zhvillimin e sektorit privat me komponentet e menaxhimit strategjik të biznesit (SBM) dhe strategjinë e rritjes së sektorit privat(PSGS), synon të ndihmojë në zhvillimin e një sektori privat të qëndrueshëm, duke forcuar bashkëpunimin e tij me atë publik, për funksionimin më të mirë të tregut në Shqipëri dhe përfshirjen e tij në atë botëror.

Për këtë qëllim, përfaqësuesit e institucioneve publike dhe ato të subjekteve të sipërpërmendura, u përfshinë në programin e trajnimit që u orientua në mënyrat e rivitalizimit dhe ndryshimit të institucioneve apo organizatave, me objektivin që kjo të sjellë një ndryshim të konsoliduar në shkallë kombëtare, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe nxitur rritjen ekonomike. Sipas tij, ky është programi i parë për Shqipërinë dhe brenda muajit janar, do të lançohet viti i dytë i tij, ku do të ftohen të marrin pjesë aplikantë të rinj.

Partnerë në implementimin e kësaj nisme janë Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujrave, Ministria e Financave, Agjensia per Zhvillimin Rural dhe Agrokulturës, Agjencia e Investimit dhe Zhvillimit Shqiptar, Drejtorite e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër, Dhomat e Tregtisë, Agjencitë e Zhvillimit Ekonomik Lokal, Rrjeti i Zhvillimit Rural, si edhe shoqatat e prodhuesve, të mbështetura nga organizata të njohura ndërkombëtare mes të cilave, SIDA, USAID, UNDP, Sëiss Contact, GIZ, të cilat mbështesin aktualisht sektorin e agrobiznesit në Shqipëri me programe konkrete financimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button