Vërtetimet për azil politik, zbardhen përgjimet: 4 mijë euro për një dokument fals
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe Kryetar i Komitetit të Pajtimit për Qarkun e Durrësit, Ndrecë Prenga, rrezikon të dënohet me tetë muaj burg, pasi lëshonte vërtetime me të dhëna të rreme për gjakmarrje. Sipas prokurorisë, këto vërtetime janë përdorur nga qytetarë të shumtë në shtete të ndryshme të Europës, madje dhe deri në Kanada, ku ata kanë “zbarkuar” duke kërkuar statusin e azilantëve. Tom Marena, misionar i kësaj shoqate, dhe Petrit Ndoj, bashkëpunëtor, rrezikojnë dënimet përkatësisht me 6 dhe 5 muaj burg.
Më poshtë, dosja e plotë e prokurorisë, ku prova më e fortë e fajësisë ndaj të pandehurve janë përgjimet telefonike.
Dosja e plotë
Nga hetimet është provuar se Ndrecë Prenga, në cilësinë e Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe Kryetar i Komitetit të Pajtimit për Qarkun e Durrësit, dyshohej se formulonte dokumente fiktive kundrejt përfitimit të paligjshëm, për shtetas të ndryshëm, të cilat përdoreshin në vendet e Shengenit për të përfituar azil. Në këto kushte, në funksion të hetimit është lejuar përgjimi i numrit të tij të telefonit dhe ku i dyshuari, është vëzhguar në ambiente publike.
Në dosje thuhet se më datë 16.01.2014, i pandehuri Ndrecë Prenga ka përpiluar dhe lëshuar një dokument në emër të Gazmend M., duke përshkruar të dhëna të rreme sikur familja e këtij shtetasi ishte në konflikt për gjakmarrje me familjen Markaj. Në vërtetimin e lëshuar prej tij është përshkruar sikur ngjarja ka ndodhur më datë 10.12.2012. Sipas hetimit, rezulton se nuk është plotësuar asnjë dosje konkrete për pajtimin midis familjeve dhe se kjo datë e vendosur në dokument është tërësisht e rremë, dhe se ky dokument duhej për t’u përdorur në shtetin belg, me qëllim për të përfituar azil. Sipas të dhënave të sistemit TIMS, rezultoi se Gazmend M., është shpallur në kërkim me kartelë “Rozë”, pasi më datë 02.10.2012, rreth orës 15.00, në vendin e quajtur “Fshati Xhafzotaj Fermë”, Durrës, ka qëlluar me armë zjarri për motive të dobëta M. Markajn.
Sipas hetuesve, Ndrecë Prenga është telefonuar nga babai i Gazmen M., Xhelil M., i cili e ka marrë nga numri telefonik …39138 dhe gjatë bisedës Ndreca i premton se do ta korrigjojë dokumentin e datës në vërtetimin që i ka lëshuar djalit të tij (Gazmenit), duke i thënë Xhelilit që të vijë ta marrë të nesërmen.
Biseda e përgjuar:
3556: Alo, hë?
00495: O Pashk, ç’kemi, si je, a je mirë? Ej, Gamen Marku jam, a më ngjon?
3556: Kush je ti?
00495: Gazmeni, Gazmeni, çuni Xhelilit.
3556: Po.
00495: Ej, a me ngjon? Te kjo letra që ma ke lshue, a më ndigjon?
3556: Po.
00495: Nuk më rakordon data, mor burrë, me datën e plagosjes. Unë e kam më dy tetor, ti ma ke lëshu më dhjetë i dymbëdhjeti.
3556: Po mirë, po e ndrrojmë mor.
00495: Ani ndrroje pra, se ti e ke bo sikur e kam plagos, unë kam fut edhe letrat këtu. Se ça do bëjmë s’e di, se sot e pashë unë, aty thotë data dy.
3556: Ej… sikur më kanë thënë e kom bo unë i shkreti.
00495: A s’i kishe letrat aty, a s’pate ndonjë dokument?
3556: Për zotin jo, sikur më kanë thënë e kemi bo, nuk e di, as kam dokument, as sen.
00495: Ok, pa shife pak, në qoftë se ashtu fol me babin, do të marrë babi e shife. Më datë dy tetor e kam ngjarjen unë, kam dhe dokumentet e policisë.
3556: Mirë, ngjo tani këtu, nesër, nesër po e shofim, dakort.
00495: Se më tha babi, më tha ai ishte takue sot me ty, po ai s’ka dit gjo. Unë q’tash kur i vuna menjen këtyne gjonave.
3556: Hajt mo se janë gjona të vogla kto, janë gjona të vogla këto, i ndreqim.
00495: Shumë shumë faleminderit, i nderum je. Ej, s’ka nevojë për përkthimin fare, dakort? Pa përkthim.
3556: Mirë dakort. Ej, vetëm shqip ë? S’ka nevojë për përkthim ë?
00495: Po po, vetëm shqip, s’ka nevojë për përkthim, vetëm të ketë vetëm vulë e kto, se i përkthejnë vetë kto, nuk pinë ujë këto të Shqipërisë fare.
3556: Hajt shnet.
00495: Hajt ta kalosh mirë.
Vërtetimi fals
Më datë 23.12.2013, i pandehuri Ndrecë Prenga, në bashkëpunim me të pandehurin Tom Marena, misionar i shoqatës së mësipërme, me banim në fshatin Arapaj, kanë kërkuar përfitim të paligjshëm nga i pandehuri Petrit Ndoj në vlerën prej 4000 mijë eurosh për këtë vërtetim, me të dhëna të rreme sikur ishte në gjak, me qëllim për ta përdorur në ambasadën kanadeze, për t’u pajisur me vizë pranë kësaj ambasade. Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Ndrecë Prenga, për siguri ka premtuar se pas lëshimit të dokumentit do ta shoqëronte vetë në konsullatën kanadeze. Ndërkohë që, i pandehuri Petrit Ndoj i ka premtuar se, në rast se dokumentet e lëshuara i mbarojnë punë, ai do të paguante trefishin e shumës që kishin folur në fillim.
Nga transkriptet e bisedave telefonike rezulton se, për këtë fakt i pandehuri Petrit ka pasur debate të forta në telefon me të pandehurin Tomë Marena, pasi ky i fundit kishte rezerva përse nuk ia kishte paguar të gjithë shumën e përfitimit të paligjshëm. Kështu, gjatë bisedës së datës 03.01.2013, ndër të tjera rezulton:
06847: (Toma): Hë Petrit, ça bone?
06857: (Petriti) Hiç.
06847: (Toma): Pse hiç?
06857: (Petriti): Hiç po them, hala s’kena bo gjo. Ato i boni ai, po të shohim për atë garancinë e atij kur ta sjelli
06847: (Toma): Dgjo mu, mos e pri xhaxhin në besë se ke për të ardh prap te ne.
06857… (Petriti): Nuk të dëgjova po fol prap.
06847… (Toma): Ky djali që të kam prezantu është burrë i ndershëm, mos ma pri në besë, pse ma preve në besë?
06857… (Petriti): Kush ta preu në besë mor burrë.
06847… (Toma): Po ti mor burrë………………….
06857… (Petriti): Jo për zotin.
06847… (Toma): Po ti më fole shumë gjojna mu dhe unë të thashë aq sa të thashë, u desh me ja dhënë atij.
06857… (Petriti): Po pra, e lamë për me shku bashkë për me nxjerrë atë vizën tjetër e me i dhënë edhe tre herë aq…
06847… (Toma): Po ti ato t’ia kishe dhone ti.
06857… (Petriti): Po ram dakort me shku bashkë me e marrë dhe atë tjetrën dhe me marrë dhe tre herë aq.
06847… (Toma): Po ti më pate thënë gjëra të tjera mu, tani më fal se jemi shokë, më vjen keq.
06857… (Petriti): Po mirë or burrë, po takohena po ja jap ato.
06847… (Toma): Po mirë pra, hajt takohemi bashkë në Durrës.
06857… (Petriti): Halli është sikur tha vetë, do ta nxjerri dhe atë, edhe ramë dakort….
06847… (Toma): Ça të ka thënë ai është punë për atë, ti hajd më tako mua këtu te Pranvera.
06857… (Petriti): Jo atje, se mund të vi tash unë.
06847… (Toma): Dëgjo Petrit, unë jam tregu burrë i mirë me ty, edhe ti më kupto drejt, hajde më tako te Pranvera po deshe.
06857… (Petriti): Po për zotin, ne u morrëm vesh, nuk i thashë gjë.
06847… (Toma): Jo, s’i ke dhënë gjë. Dhe në i pate dhënë gjë, ky o burrë i mirë, më trego ky mu.
06857… (Petriti): Si të trego ty? Vetë ramë dakort q’ashtu, mirë tha Petrit, unë i thashë trefish i ke. Kur sa ta sjelli garancinë ai, do shkoj ti sjell të tjerat. Ça zotin të bëj tjetër unë?
Ndërsa i pandehuri Ndrecë Prenga i ka premtuar se do ta shoqërojë vetë në konsullatën kanadeze. Pas kësaj, Petriti i ka premtuar subjektit se, në rast se dokumentet e lëshuara nga Ndreca i mbarojnë punë, ai do të pagojë trefishin e shumës që kanë folur në fillim. Kështu, gjatë bisedës që kanë bërë midis tyre po në datën 03.01.2014, ata shprehen:
06858… (Ndreca): Digjo tani këtu ti, mos u merr me Tomën.
06857… (Petriti): A mosh e vjetër edhe më erdh keq për llafet që foli, edhe nuk di gjë se ça menje ka ai rob.
06858… (Ndreca): Ore të ketë ça të ketë.
06857… (Petriti): Në qoftë se ka hallin për lekt, thuji Tomës. Mu Toma nuk mund t’mi hajë lekt qashtu.
06858… (Ndreca): Pasha kryt e fmive pashku, s’e ka për lekt or ti.
06857… (Petriti): Prit, prit, ne u morëm vesh bashkë. A u morrëm vesh bashkë?
06858… (Ndreca): Po.
06857… (Petriti): A ramë dakort bashkë? Ç’punë ka Toma në këtë mes?
06858… (Ndreca): Ça bone më the, kur të vi në ambasadë të japi vizën, shlyhena për të gjitha.
06857… (Petriti): Kur të japi vizën të thash, të japi njëmij e pesqind në dorë. A më the po?
06858… (Ndreca): Po more, po s’jam kundra un or ti.
Dëshmia e Ndojit
Petrit Ndoj, ka deklaruar se kanë qenë të dy të pandehurit, Pash dhe Tomë, të cilët i kanë kërkuar një shumë prej 4000 eurosh, për t’i lëshuar një vërtetim sikur ishte në gjakmarrje, me qëllim marrjen e vizës për në Kanada. “Më vonë më ka marrë në telefon Toma dhe më ka thënë se duhej që t’i jepja një shumë prej 500 eurosh. Më tha që, nëse do të merrte vizën e rregullt, do t’i jepja më shumë, por duhej garanci”, – rrëfen Ndoj. Pas kësaj bisede, ka komunikuar në telefon dhe me të pandehurin Ndrecë Prenga, i cili i ka thënë se ishte dakord me shumën që kishin lënë prej 4000 eurosh dhe, pasi të merrte vërtetimin, do ta shoqëronte dhe ai në ambasadën kanadeze. I pandehuri Petrit Ndoj është interesuar dhe ka konstatuar se në Shqipëri nuk kishte ambasadë kanadeze, dhe pasi ka telefonuar dy të pandehurit e mësipërm, nga i pandehuri Ndrecë i është thënë se ka në Itali dhe se vërtetimi i lëshuar prej tij kishte efekt dhe atje, dhe se do ta shoqëronin ata në ambasadën kanadeze në Itali.
Konkluzionet
e prokurorisë
Kështu, nga gjykimi rezulton e provuar se i pandehuri Ndrecë Prenga, në bashkëpunim me Tom Marenën, kanë kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”, e kryer në bashkëpunim. Ndrecë Prenga, duke i lëshuar Gazmend M. një dokument sikur Gazmend M., ishte i pranishëm në pajtimin midis familjeve dhe lidhur me datën e ngjarjes, në mungesën e kryerjes së një procedure pajtimi pa pasur një dosje përkatëse, rezulton se për shkak të detyrës ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato. Fakti i mungesës së qenies, i pranishëm në procedurën e pretenduar për pajtimin e datës 24.10.2012, rezulton, si nga provat shkresore të sistemit TIMS, ashtu edhe nga përgjimi i bisedave telefonike të zhvilluara midis të pandehurit Ndrecë Prenga dhe familjarëve të familjes Marku. I pandehuri Petrit Ndoj dyshohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”.