Kosova

Veseli: Pavarësia e Kosovës dhe Malit të Zi, goditje për hegjemoninë serbe

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në ceremoninë e organizuar me rastin e 9-vjetorit të shtetësisë së Malit të Zi tha se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi janë një shembull shumë pozitiv për të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se të dyja vendet janë duke jetuar një epokë të re marrëdhëniesh, të bazuara mbi parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

“Pavarësia e Malit të Zi, e konfirmuar nga vullneti i popullit në vitin 2006, ka qenë pa diskutim një ngjarje progresive për paqen, stabilitetin dhe forcimin e demokracisë në Ballkanin perëndimor“, theksoi kryetari Veseli.

Jugosllavia komuniste kishte vdekur, tha në vazhdim kryeparlamentari Veseli, ndërsa përpjekja që nën emrin e saj të ndërtohej një shteti ri jugosllav, ku hegjemoninë do ta kishte Beogradi, pati pasoja fatale për popujt e ish-Jugosllavisë.

Veseli tha se tha se pavarësia e Malit të Zi e vitit 2006, duke ndodhur pikërisht në momentet e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ka ushtruar një ndikim pozitiv, duke dhënë argument shtesë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe i domosdoshëm, politikisht dhe historikisht.

“Nëse vetë qytetarët e Malit të Zi, që nuk kishin përjetuar dhunën e ushtrisë së Millosheviqit, nuk dëshironin që të jetojnë nën një çati politike me Beogradin, pse duhej kërkuar diçka e tillë nga ne kosovarët, që sapo kishim lënë pas një luftë me mijëra viktima, me 1 milion të dëbuar dhe me vendin e shkatërruar“, u shpreh kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se pavarësia e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi ishin goditje finale të projekteve të nacionalizmit serb për hegjemoni dhe si të tilla një faktor emancipimi për vet Serbinë.

Me pavarësinë e Kosovës dhe të Malit të Zi, theksoi Veseli, Serbia ka fituar shansin për të kuptuar se mirëqenia e kombit serb nuk qëndron në sundimin mbi të tjerët, por tek zhvillimi i brendshëm demokratik dhe raportet e mira me fqinjët.

“Duke mos e njohur Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdon të mbahet i kapur nga e kaluara dhe ky është një shërbim i keq që i bëhet vet popullit serb. Ne sot jemi të lumtur që Prishtina dhe Podgorica ndajnë të njëjtat pikëpamje mbi nevojat aktuale të rajonit dhe të ardhmen e tij. Mbi këtë bazë, të dy vendet tona janë duke zhvilluar marrëdhënie shumë të mirë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”, tha ndër të tjera kryetari Veseli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button