Keshilla

Veset me paratë, që i kanë të gjithë 20-vjeçarët

Si të kurseni para nëse jeni në një moshë pa asnjë strategji të veprimit dhe si të kuptoni gabimet që duhen shmangur për të qenë të pasur në të ardhmen. Ndonëse keni në krah kohën, pasi jeni ende të rinj, duhet t’i filloni herët planet për të ndërtuar të ardhmen tuaj mes pasurisë

Ja ku jeni, te të njëzetat dhe në përfundim të arsimit. Keni gjetur një punë dhe po shijoni pavarësinë financiare. Vitet e pensionit mund të duken shekuj larg, por nëse nisni që gjatë kësaj kohe të kurseni dhe të ecni me plan, pas disa dekadash do të bindeni se keni bërë veprimin e duhur. Ndonëse keni në krah kohën, pasi jeni ende të rinj, duhet të filloni herët strategjitë për të ndërtuar të ardhmen tuaj mes pasurisë. Këto janë këshillat që duhet të keni parasysh për të menaxhuar paratë kur të dilni në pension.

Mungesa e kursimit

Moskursimi sa duhet ose moskursimi fare po ju dëmton financat. Ka një dallim midis njohjes së faktit se ju duhet të kurseni dhe bërjes së tij në realitet. Sondazhet amerikane tregojnë se rreth 20 për qind e 20 – 30-vjeçarëve nuk kanë filluar ende të kursejnë. Gati 69 për qind e tyre kanë një llogari kursimi, po me më pak se 5000 dollarë në të. Si ta ndreqni këtë? Informohuni për planet e kursimit dhe ndiqni atë që, sipas jush, është më i përshtatshmi. Gjithashtu mësojeni veten si kursimtar, sepse kështu do të mësoni të jetoni edhe pa shpenzuar shumë.

Shpenzimet afatshkurtra

Fitimi i rrogës së parë është një ndjesi e mirë dhe çliruese, por mund të jetë edhe e rrezikshme. Zakonet tuaja të shpenzimit do të priren të degradojnë drejt shpenzimeve afatshkurtra, por mos e lejoni këtë gjë. Nëse jeni një person që preferon të harxhojë shumë, shmangni marrjen e borxheve. Kurseni vazhdimisht para për të ardhmen. Blerjet me masë janë çelësi. Nëse po përpiqeni të lini pas kurrizit zakonin e të qenët “dorëshpuar”, lexoni mbi shkaqet psikologjike dhe si ta kontrolloni atë.

Pagimi me kartë krediti

Pasja e një karte krediti është diçka shumë e mirë, por përdorimi i saj vend e pa vend mund t’ju sjellë telashe. Studimet zbulojnë se shumë njerëz mbështeten te kartat e kreditit për pagesat e jetës së përditshme, por duhet ta ngulisni në mendje se të pasurit një kartë krediti nuk do të thotë që duhet ta përdorni vend e pa vend.

Shpenzimi pa kuptim

Nëse nuk keni idenë se ku shkojnë paratë tuaja, dijeni se ky është një problem i zakonshëm te personat që janë nga mosha 20 deri në 30 vjeç. Një këshillë për të kufizuar këto shpenzime është të mbani një ditar blerjesh çdo mbrëmje. Nëse ju duket e vështirë, shkarkoni aplikacione që do t’i bëjnë këto llogari për juve.

Pritja e gjatë përpara se të investoni

Mosha 20-vjeçare nuk e sheh investimin afatgjatë si një mënyrë për të arritur suksesin monetar. Problemi me këtë grupmoshë është se ajo pret për një kohë të gjatë përpara se të investojë në përpjekje për të grumbulluar më shumë para. Duhet të kapni çastin në bursë me paratë që keni në dispozicion. Kërkoni mënyra të ndryshme të investimit dhe vërini paratë tuaja në qarkullim.

Blerja e artikujve të lirë

Nëse po përpiqeni të kurseni para duke blerë produkte të lira të cilësisë së ulët, kjo nuk është mënyra e duhur. Sipas kësaj mënyre, produktet do t’ju kushtojnë më tepër në kuptimin afatgjatë, sepse ato kanë mungesë cilësie.

Në moshën 20-vjeçare duhet të filloni të bëni blerje me vlerë, qoftë duke kursyer shpenzime në drejtime të tjera. Gjithnjë duhet të përqendroheni te vlera e asaj që po blini dhe jo te funksioni që ka.

Mendimi i vetes si të pamposhtur

Po, është e vërtetë që jeni në moshën kur problemet tuaja shëndetësore mund të mos ekzistojnë, por ju nuk jeni të pamposhtur. Mendimi i kësaj vetëm sa do t’ju përkeqësojë gjendjen financiare. Faturat mjekësore janë shkaqet më të mëdha të falimentit personal, ndaj duhet të planifikoni më të keqen dhe çdo emergjencë.

Mbështetja te prindërit

Të rinjtë e moshës 20-vjeçare ende nuk janë shkëputur plotësisht nga financat e familjes, pasi ata ende marrin ndihmë monetare prej prindërve të tyre, thonë sondazhet amerikane. Ndihma varion nga faturat telefonike, tek ushqimet, veshjet ose pagesat e makinës.

Në moshë të rritur është e vështirë të përballohen financat, por në fakt gjetja e një pune dhe krijimi i të ardhurave te të 20-at është një domosdoshmëri dhe një hap i parë shumë i nevojshëm për t’u çliruar plotësisht nga mbështetja financiare e të tjerëve.

Mburrja te miqtë

Një nga problemet më të mëdha të të rinjve me paratë është që ata i shohin mjetet e tyre financiare si mënyrë për të treguar statusin social të mirë, ndonëse mund të mos kenë mjaftueshëm para. Studimet tregojnë se 78 për qind e 25 – 34-vjeçarëve, lejojnë që zakonet financiare të miqve të tyre të përcaktojnë edhe të tyret. Kujdes nga miqtë që ju nxisin të shpenzoni shumë para, nëse po përpiqeni të kurseni.

*Business Insider

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button