Kosova

Veton Surroi e quan imbecil Baton Haxhiun

Lideri shpirtëror i kompanisë “Koha” Veton Surroi po bën përpjekje t’i rikuperojë dëmet e një interviste të tij një javë më parë. Fajin për “keqkuptimet” ia ka lënë Gazetës Express kurse ofendimet i ka rezervuar për Baton Haxhiun.

Veton Surroi, ka shkruar një tekst të gjatë, sot, në “Koha Ditore”, lidhur me një intervistë, të dhënë një javë më parë, ku kishte folur për luftën e UÇK’së, Hashim Thaçin dhe votuesit e PDK’së.

Surroi ka thënë se i gjithë faji pse intervista e tij s’ishte kuptuar drejt është te Gazeta Express.

Sidoqoftë, Gazeta Express beson se Veton Surroi si gazetar e di se titulli i shkrimit tonë për intervistën e tij reflekton frymën e asaj që ka thënë  e në asnjë mënyrë citim të fjalëpërfjalshëm. Në anën tjetër Gazeta Express vlerëson se Veton Surroi është dashur të na falënderojë për jehonën që bëri intervista e tij pasi në mediat e tij askush nuk do ta lexonte.

Në gjithë këtë situatë, Surroi ka rezervuar fyerje të rënda për Baton Haxhiun, të cilin e ka personazh edhe në një prej librave të tij. E ka quajtur imbecil. Termi “imbecil’ përdoret ndaj personave që kanë zhvillim të ulët të inteligjencës. Pra, janë të dobët në inteligjencës dhe janë të afërt me idiotët.

Surroi ka treguar se si kishte reaguar kur kishte shikuar Baton Haxhiun teksa prezantonte emisionin me temë kryesore nga intervista e tij e dhënë në “Koha Ditore”.

“Shikues të Klan Kosovës, një temë e cila ka zgjuar debat, pak a shumë, pas një interviste në KOHA Ditore të pronarit ose ish pronarit…”, ka cituar Surroi fjalët e Baton Haxhiut.

“Reagimi im i parë ishte habia, se si ende mund të ketë paraqitje të këtilla, që i afrohen nivelit prej imbecili, në television”, ka treguar Surroi, në tekstin e botuar në KD.

“Fjalitë “Mund të teoretizojmë dhe të themi dëshira se çfarë ka ndodhur por nuk e di sa janë të vërteta ato për apo fakte për t’i diskutuar. Mund të flasim në nivel të hidhërimit apo mund të flasim në nivel të po themi pakënaqësisë momental, se mund të jetë edhe ndryshe” do të tingëllonin disi në teatrin e absurdit, por gjithsesi jo në një emision debatues informativ. Aq më pak për të shpjeguar çështjen bazike: çka është ajo çka thashë në intervistë në KD”, ka shtuar ai.

Pa ia përmendur emrin Baton Haxhiut, Veton Surroi shkon edhe mëtutje me fyerjet drejtuar atij.

“Por, meqë nuk qe teatër, drejtuesi vazhdoi rrëshqitjen e mëtejme për në banalitet. Ai tha, disa herë se Veton Surroi ka deklaruar se “UÇK-ja ka luftuar kundër dy taborreve, LDK-së së Rugovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Surroi ishte marrë edhe një herë tjetër me Baton Haxhiun, kur kishte shkruar për librin “Lufta ndryshe”. Aty, Surroi kishte thënë se ndaj Baton Haxhiut ende e “ndien barrën e bashkëpërgjegjësisë; mosarritjen e të ndihmuarit për formësimin e një gazetari artikullshkrues, pas kaq shumë vjetësh bashkëpunimi me të”. /GazetaExpress/.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button