Vijon puna për pastrimin e plazheve – AKB ndalet në Tale të Lezhës
Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, vijuan në Tale të Lezhës aksionin për pastrimin e plazheve. Në rrjetin social ‘facebook’ ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj postoi foto të plazhit të Tales, ndërsa komentoi se aksioni për pastrimine plazheve vazhdon.
“Aksioni për pastrimin e plazheve vazhdon.
Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka punësuar 300 punonjës sezonale, me qëllim pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacioneve të plazheve gjatë sezonit turistik. Çdo ditë aksioni vazhdon në plazhe të ndryshme nga veriu në jug të vendit, sipas shpërndarjes së grupeve të punës.
Ndërkohë ministria e Ekonomisë dhe Turizmit ka publikuar edhe masat për sezonin turistik.
MZHETTS ka filluar pastrimin e plazheve përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, në kushtet kur pushteti vendor për shkak se është në proces zgjedhor, nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrën funksionale që i ngarkohet me ligj, pra pastrimin dhe mirëmbajtjen e plazheve.
Në të njëjtën kohë, një nga masat e marra e cila i takon Ministrisë së Brendshme është që në pikat e kalimit kufitar, sidomos në pikën e Morinës ku kalojnë vizitorët nga Kosova, të cilët nuk do të duhet të presin më në rradhë të gjata, duke u kontrolluar dy herë, pra në të dy anët e kufirit, tani do të kalojnë vetëm një kontroll, ajo e Shqipërisë në hyrje dhe në dalje ajo e Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat për vendosjen e 22 ambulancave në plazhe përgjatë sezonit veror dhe jo me larg se ditën e diel, në Vlorë, me Kryeministrin dhe Ministrin e Shëndetësisë do ta bëjmë publike këtë nismë.
Ministria e Transportit, përmes një urdhri të brendshëm, ka definuar qartë portet dhe kalatat për ankorimin e anijeve të turistëve dhe krocierave që ka qenë një problem në vite.
Po kështu, Ministria e Transportit po punon për sinjalistikën e arterieve të qarkullimit turistik, pra rrugët që të çojnë drejt destinacioneve turistike. Ndërkohë, dy agjencitë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit, po punojnë në bashkëpunim për pajisjen me sinjalistikën e duhur të destinacioneve turistike kulturore dhe historike. 37% e turistëve në botë janë turistë kulturorë dhe historikë.
Ministria e Kulturës ka përgatitur të gjithë kalendarin e aktiviteteve kulturore që do të jenë përgjatë sezonit veror. Ndërkohë, po me Ministrinë e Brendshme, është bërë dhe plani i monitorimit të akseve kryesore jo vetëm për të evituar aksidentet por edhe për të ndihmuar qarkullimin dhe për të evituar trafikun që shkakton mungesë rehatie për turistët.
Brenda MZHETTS, Agjencia e Bregdetit do të ngrejë një qendër operative e cila do të komunikojë përmes një platforme të koordinuar me të gjitha ministritë dhe institucionet e përfshira në këtë plan masash për çdo situatë që mund të krijohet, për të mundësuar përgjigje të menjëhershme. Në të gjitha plazhet do të vendosim numrin e telefonit të kësaj qendre operative për të bërë të mundur që çdo qytetar apo grup turistësh të mund të kontaktojë në kohë reale për çdo problem.