Visar Zhiti: Marrëdhëniet me Nishanin të mira, nuk më refuzon si ambasador
Nga: Fatmira Nikolli*
Është kandidat i shumicës së majtë në pushtet për detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, edhe pse më herët ka qenë ministër Kulture i qeverisë së djathtë. Visar Zhiti, vjen në “GSH” me një rrëfim për propozimin e bërë, marrëdhëniet e tij me të djathtën dhe Presidentin e Republikës Bujar Nishani, të cilët do të vendosin miratimin e kandidaturës së tij. Ndërsa mohon të ketë ‘çarje’ mes tij dhe së djathtës, më konkretisht me ish-kryeministrin Berisha, ai gjithashtu, mohon që presidenti do e kundërshtojë emrin e tij për ambasador. Shkrimtari dhe poeti i njohur, një ish-i përndjekur politik i regjimit, ka shërbyer si diplomat në Romë, porse këtë herë, ai do të jetë ambasador pranë Vatikanit, shtet me të cilin deri tani ka pasur shkëmbime pozitive.
Kandidatura juaj për ambasador të Shqipërisë në Vatikan, nga kush ju është propozuar?
Është kryeministri i Shqipërisë, z.Edi Rama që mendoi që unë të jem ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Po kështu edhe ministri i Jashtëm z.Ditmir Bushati bëri propozimin dhe plotësoi dokumentacionin dhe ditën e hënë unë do të paraqitem në Kuvend, në Komisionin e Jashtëm për të mbrojtur idenë se këtë punë të nderuar, këtë punë të vyer, mund ta kryej me nder për vendin tim.
Kush ju ka kontaktuar?
Është dëshirë e propozim i kryeministrit, gjë që i është kaluar Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mua ma ka paraqitur propozimin zyrtarisht z.Bushati dhe po kështu unë e kam pranuar këtë.
Ju keni qenë pjesë e ambasadës sonë në Romë për disa vite. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Vatikanin?
Unë kam punuar dy herë në ambasadën tonë në Romë. Kam qenë zëvendësambasador, ose ministër këshilltar si detyrë. Kemi arritur të bëjmë aktivitete të një rëndësie kombëtare dhe ndërkombëtare në Itali në të dyja rastet. Është shpalosur imazhi kulturor i Shqipërisë atje dhe kemi arritur të marrim nga kultura e madhe italiane dhe e Europës në një farë mënyrë për të sjellë në Shqipëri aq sa e lejojnë kushtet e një ambasade. Duke qenë se Vatikani është në territorin e Italisë, duke qenë shtet superfuqi shpirtërore, absolutisht që ne e kemi ndjerë praninë e tij dhe kemi punuar edhe me të. Unë jam përkthyes i poezive të Papa Vojtilës dhe kam botuar katër libra për Nënë Terezën. Njëri prej tyre është botuar edhe në Itali. Gazeta më e madhe e Vatikanit “Osservatore Romano” ka bërë një recension të mrekullueshëm, për këtë botim tonin, të ambasadës sonë atje. Njohjet e mia me Vatikanin janë të konsideruesh-me. Unë po i largohem modestisë për arsye të punës dhe të njohjes. Ka qenë propozimi im që libri i parë i shqiptarëve, “Meshari” i Gjon Buzukut, të vijë në Shqipëri me rastin e 100- vjetorit të shtetit modern shqiptar dhe Ministria e Kulturës e bëri realitet. Kam lidhje me Vatikanin e kam punuar edhe me ambasadën e Kosovës në Romë, qoftë për mbarëvajtjen e punës në Ambasadën e Kosovës, në bashkëpunimet tona, po kështu edhe në një sërë aktivitetesh me ambasadën e Vatikanit. Shqipëria është vend fatlum, ku shqiptarët kanë në Itali tre ambasada, të Shqipërisë dhe të Kosovës në Romë dhe të Shqipërisë në Vatikan. Mundësitë janë të mrekullueshme për të punuar atje ku kemi edhe një diasporë ndër më të mirat, arbëreshët, por edhe diasporën moderne.
Presidenti Bujar Nishani nuk e ka pranuar kandidaturën tuaj. Pse?
Jo, nuk është ashtu. Nuk është e vërtetë që nuk e ka pranuar. Teknikisht, ditën e hënë paraqitemi në Kuvend dhe pastaj propozimi i shkon presidentit, si instanca më e lartë e shtetit. Propozimi do shkojë tek presidenti. Nuk ka asnjë mundësi që presidenti të mendojë ndryshe. Unë kam qenë i dekretuar si ministër i tij, kam dekoratën e firmosur prej tij si “Mjeshtër i madh i punës”, i vlerësuar kështu do të thotë se ai do të dijë të më çmojë edhe për të punuar në Vatikan.
Edhe ju, edhe z.Nishani, vini nga e djathta shqiptare. Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Nishanin më herët?
Marrëdhëniet e mia me Nishanin janë si raportet e një qytetari shqiptar me presidentin, si një ministër i shtetit shqiptar me presidentin, dhe tani si një diplomat shqiptar me presidentin. Po ta përmbledh shkurt, marrëdhënie të shkëlqyera. Ashtu siç janë të shkëlqyera marrëdhëniet me kryeministrin tim tani, ashtu siç kanë qenë të shkëlqyera me kryeministrin tim që më kishte ministër në kabinetin e vet.
Si një ish-ministër i djathtë, pse mendoni se jeni propozuar nga një qeveri e majtë? Për shkak se keni qenë i përndjekur politik?
Mbase është edhe kjo që thoni ju, por unë mendoj se Shqipëria është emancipuar në mënyrë të tillë që kërkon vlera qytetare kudo që janë. Format e të menduarit majtas apo djathtas, janë zgjidhje që i kërkon koha, dhe sovrani popull vendos që në kohë të caktuara të zgjedhë nga e majta apo nga e djathta, pra nga kush të drejtohet. Ndërsa, atdheu, Shqipëria është për të gjithë. Në këtë mënyrë ne do ti shërbejmë shtetit tonë, qoftë i majtë apo i djathtë qeverisësi, dhe shteti ynë do të na marrë ne në punë si ndihmë, ngado qofshim ne, apo nga kudo që besojmë ne.
Për staturën tuaj intelektual, për faktin se jeni shkrimtar e poet, dalloni nga deputetë e ministra që e ruajnë militantizmin ndaj partisë nga vijnë. Megjithatë, a mendoni se fakti që tani do jeni bashkëpunëtor i kryeministrit Rama do të shkaktojë pakënaqësi për ish-kryeministrin Berisha?
Jo, absolutisht. Kolegët e andejshëm janë gëzuar shumë. Nuk ka asnjë keqkuptim, përkundrazi. Është një rast fatlum ku bashkohen.
Përparësia juaj si ambasador, cila do jetë?
Dëshirat e ëndrrat janë të shumta. Do duhej të flisja mbasi të dekretohem.