Vladimir Putini po planifikon vetë-shkatërrimin e Perëndimit
Nga Owen Matthews
Vetëm një person do të jetë vërtet i kënaqur me raportin e Komitetit britanik të Inteligjencës dhe Sigurisë mbi Rusinë, i bërë publik të martën, dhe ky është Vladimir Putini. Rusia del aty si një armik amorf dhe i frikshëm. Aq më tepër që raporti që nuk jep ndonjë përfundim shterues, është shumë i redaktuar, dhe nuk përmban pretendime të argumentuara.
Përkundrazi, Rusia paraqitet si një fantazmë, si një kërcënim i panjohur. Dhe kjo gjë do të nxisë1 mijë teori konspirative shumë më gërryese dhe konfuze për politikën tonë, sesa çdo “stuhi” e shkaktuar në rrjetet sociale nga Moska.
Në raport, nuk thuhet asnjë mbi Brexit. E megjithatë, vonesa e qeverisë britanike në publikimin e këtij raporti, i jep shkas cilitdo të besoje për një mbulim të fakteve. Madje edhe të këmbëngulë se Britania duhet të bëjë shumë më shumë për të parandaluar lojërat ruse të ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera.
Frika nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet britanike, krijon kaos dhe ndarje dhe ky më shumë sesa ndonjë rezultat i veçantë, është synimi i vërtetë i Putinit. Rusia mund të jetë tronditur nga rënia e çmimet e naftës, por edhe nga numri i madh i të prekurve me Covid-19.
Por Moska mbështetet në promovimin e idesë, se është Perëndimi ai që është realisht në telashe, i zhytur në luftërat e dhunshme kulturore, dhe që po vuan jo pak nga një humbje e thellë e besimit në vlerat e veta. Linja e re në Kremlin:ne mund te jemi aktualisht keq, por kriza e tyre është shumë më e rëndë.
Dhe aty ku udhëheqin propagandistët e Putinit, gjenden trollët dhe hakerat rusë. Nëse historia e kohëve të fundit na ka mësuar ndonjë gjë, ajo është se ndarjet e forta rreth lëvizjes “Black Lives Matter” janë gjithashtu një subjekt i preferuar për trollët rusë që janë të vendosur të ndezin ”flakët” e vetë-shkatërrimit të Perëndimit, në Mbretërinë e Bashkuar, në BE dhe sidomos në SHBA.
Një hetim i Komitetit të Inteligjencës së Senatit në SHBA-së mbi zgjedhjet presidenciale, arriti në përfundimin se një fushatë ruse e lajmeve të rreme, kishte si synim “më shumë se sa të tjetër…afro-amerikanët”. Operatorët rusë i përdorën mediat sociale, për të penguar pjesëmarrjen e votuesve zezakë, dhe për ta ndarë shoqërinë amerikane përgjatë linjave racore.
Një faqe në Facebook e këtij grupi, “Blacktivist”, pati 11.2 milionë angazhime të përdoruesve dhe më shumë se 360.000 pëlqime deri në shtatorin e vitit 2017, krahasuar me 301.000 pëlqimet në llogarinë e verifikuar si zyrtare të lëvizjes “Black Lives Matter” në Facebook.
Midis viteve 2014-2017, Agjensia e Kërkimit në Internet, një qendër influencuesish të rremë me seli në Shën Petersburg, financuar nga aleati i ngushtë i Putinit Jevgeni Prigozhin, drejtoi mijëra llogari në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube, duke përhapur temat e diskutimit pro-zezakëve apo pro shteteve jugore në SHBA, apo edhe pro pavarësisë së Skocisë, si dhe postime në Twitter pro Brexit.
Një studim i hollësishëm për vitin 2018 nga Universiteti i Uashingtonit, zbuloi se llogaritë në Twitter të kontrolluara nga Rusia që përmendnin hashtagun #BlackLivesMatter, po shpërndanin jo vetëm mesazhe pro kësaj lëvizje, por edhe meme ironike anti-BLM.
Madje trollët rusë, tentuan të diskreditojnë BLM, duke promovuar mesazhin se “#BlackLivesMatter, është një krah i qeverisë ruse”.
A po përdor Agjencia e Kërkimit në Internet, të njëjta truke të vjetra gjatë sezonit të fundit të akteve dhunës dhe përplasjeve civile, të përhapura nga Amerika në Britani? Me siguri që po, sipas 7 zyrtarëve amerikanë, që informuan Kongresin mbi të dhënat me të fundit të shërbimeve inteligjente.
Ata paralajmëruan se agjencia ruse e inteligjencës së huaj SVR, e ka rritur shkallën dhe sofistikimin e përpjekjeve të saj për të nxitur mosmarrëveshje. “Për shkak të mënyrës se si ajo e percepton konfliktin e saj me Perëndimin, ne po shohim që Rusia është e gatshme të kryejë më shumë operacione të guximshme dhe përçarëse të ndikimit”-tha Dejvid Porter, një agjent i Task-Forcës së Ndikimit të Jashtëm në FBI, në një aktivitet mbi sigurinë e zgjedhjeve të ardhshme në Uashington të mbajtur në muajin shkurt.
“Thënë thjesht… Rusia dëshiron të na shohë të përçarë”- shtoi ai. Ndërsa Facebook dhe Twitter janë bërë më vigjilentë rreth llogarive të rreme në platformat e tyre, edhe rusët janë u bërë shumë më të aftë në mbulimin e gjurmëve të tyre.
Pasi u bënë publike detajet teknike, se si u zbuluan llogaritë e rreme gjatë hetimeve të Kongresit, trollët ruse kujdesen tani që të zhdukin gjurmët e veprimtarisë së tyre, dhe të shmangin gjuhën haptazi raciste, që identifikohet lehtësisht nga sistemet e automatizuara.
Në vend se t’i përdorin faqet publike për të përhapur mesazhet e tyre sa më gjerësisht që të jetë e mundur, ashtu si në vitin 2016, operativët rusë janë sipas zyrtarëve që kanë folur për “The New York Times” duke përdorur grupet private në Facebook, apo postimet në forumet e mbyllura, të cilat janë më të vështirë për t’u monitoruar.
Dhe sipas “Cambridge Analytica”, këto mesazhe dhe grupime synojnë të krijojnë konfuzion tek votuesit në shtetet e lëkundura në SHBA. Duke pasur parasysh se prej sa kohësh po i përdor ato, nuk është për t’u habitur pse Rusia është aq e aftë në operacionet e ndikimit në Perëndim.
Në vitet 1920-1930, agjitatori komunist gjerman i mbështetur nga Moska, Vili Mynzenberg ngriti dhe financoi dhjetëra organizata të majta, nga “Lidhja kundër Imperializmit” tek “Ndihmësit Ndërkombëtarë të Punëtorëve”, me synimin tërheqjen në të të mijërave njerëz me mendësi liberale, për të mbështetur kauzat e financuara fshehtas nga Internacionalja Komuniste.
Mynzenberg i quajti organizatat e ngritura prej tij si “të pafajshëm”. Por ato kishin ndikim shumë më të gjerë, sesa vetëm mbi organet e propagandës sovjetike siç ishin “L’Humanité’ në Francë apo “Daily Worker” në SHBA.
Ashtu si llogaritë e sotme të rreme në rrjetet sociale, kanë më shumë ndikim sesa agjencia ruse e lajmeve Sputnik, apo kanali televiziv “Russia Today”, ku kohët e fundit u pohua se Black Live Matters ishte një organizatë e financuar nga Xhorxh Soros.
Në vitin 1927, shumë kohë përpara se Evropa të ishte bërë periferia kulturore e SHBA-së që është sot, rrjeti i Mynzenberg nxiti protesta globale kundër ekzekutimit të 2 anarkistëve amerikanë, Nikola Sako dhe Bartolomeo Vanxeti, të dënuar për një vrasje të dyfishtë gjatë një grabitjeje me armë.
Protesta në mbështetje të tyre, u mbajtën në çdo qytet të madh në Amerikën e Veriut dhe në Evropë, deri në Tokio, Sidnei, Melburn, Sao Paulo, Rio de Zhaneiro, Buenos Aires, Montevideo, Johanesburg, Okland dhe madje edhe nga mbledhësit e perlave në Dubai.
Kur të dy u ekzekutuan me vdekje në karrige elektrike pas mesnatës së 23 gushtit 1927, rebelët e zemëruar shkatërruan shumë dyqane në Paris, Londër dhe qytete të tjera të Evropës.
Ndërkohë, sovjetikët financuan fshehurazi Fushatën për Çarmatimin Bërthamor dhe Unionin Kombëtar të Punëtorëve të Minierave gjatë grevës së vitit 1984 në SHBA.
Dhe me gjithë dyshimet e drejtorit të FBI-së, J.Edgar Huver, se Martin Luter Kingu po financohej nga rusët, ishin të pabaza, propagandistët sovjetikë e përdorën racizmin që ekzistonte në SHBA, për të diskredituar pretendimin e Uashingtonit mbi udhëheqjen e tij morale gjatë Luftës së Ftohtë.
Sa herë që Bashkimi Sovjetik kritikohej për abuzimet me të drejtat e njeriut, përgënjeshtrimi zyrtar dhe standard i Moskës ishte:”Edhe ju i linçoni zezakët!”. Sot, propagandistët rusë nuk kanë më nevojë të rekrutojnë “idiotë të dobishëm” për të çuar përpara kauzën e tyre.
Përmes mediave sociale, ata mund të komunikojnë drejtpërdrejt me miliona njerëz. Dhe detyra e tyre, është më e lehtë sesa e gjeneratave të mëparshme të influencuesve, sepse në vend se të përhapin mesazhin e komunizmit, qëllimi i trollëve të sotëm rusë, është një përmbysje e thjeshtë e lutjes së famshme të Shën Françeskut të Asizit:të shkaktojnë përçarje në vend të harmonisë, të thonë gënjeshtra në vend të së vërtetës, dhe të nxisin dëshpërim aty ku ka shpresë.
Por aspekti më i trishtë i gjithë kësaj, është fakti që ndoshta për herë të parë që nga Depresioni i Madh, ndërhyrja përçarëse e fundit e Rusisë vjen në një periudhë kur jo vetëm udhëheqja e SHBA-së në botën e lirë, por edhe besimi i saj në vetvete, kanë filluar që të lëkunden.
Dominimi i Partisë Republikane dikur të moderuar, nga nacionalistët trumpianë të së djathtës, dhe shkatërrimi i liberalizmit klasik nga më të zellshmit e korrektesës politike në të majtë, po e bën Amerikën më të brishtë se kurrë më parë, ndaj llojit të nihilizmit toksik që vjell çdo kohë Kremlini.
Brexit dhe kriza e vazhdueshme e besimit ndaj BE-së në mbarë kontinentin, janë gjithashtu një “muzikë” për veshët e Kremlinit. Çdo lloj mosmarrëveshjeje në Perëndim, forcon mesazhin themelor të Putinit drejtuar popullit të tij dhe botës, se demokracia është një dobësi, jo një forcë.
Vladimir Lenin, duke cituar Nikolai Çernishevskin shkroi “Sa më keq, aq më mirë!” mbi regjimi Carist që ishte duke u shembur. E njëjta gjë është e vërtetë për Putinin. Sa më i përçarë Perëndimi nga luftërat kulturore, aq më i mirë duket për krahasim sundimi i tij.
Duke drejtuar një ekonomi të korruptuar dhe të sëmurë, që është 15 herë me e vogël se sa ajo e SHBA-së, Putini nuk mund të shpresojë të shkatërrojë atë që KGB-ja e cilësonte si kundërshtari kryesor. Por Rusia mund të ndihmojë – dhe sigurisht po e ndihmon – Amerikën dhe aleatët e saj që të shkatërrojnë veten e tyre.
“The Spectator”