Opinion

Vlerat Perëndimore dhe Ballkani Perëndimor

ballkani-ka-humbur-mb-euml-shtetjen-e-britanis-euml-por-ka-fituar-gjermanin-euml_2_hdILIR MELO

Në reflektim të ngjarjeve në Ukrainë, Robert D. Kaplan boton më 14 mars 2014, në revistënForbes, artikullin “Krimeja: Një hakmarrje e gjeografisë?”.

Mbasi ke shijuar një artikull të mrekullueshëm, gjithsesi të mundon pyetja nëse është pikërisht momenti për të trajtuar raportet midis koncepteve fondamentale si gjeografia, gjeopolitika, dhe vlerat perëndimore, kur janë aq të freskëta skenat tronditëse në Krime, apo kur e ardhmja e afërt dukej më e kërcënuar se kurrë?

Në një qasje me të kujdesshme kupton se pikërisht rasti i Ukrainës është një realitet kompleks ku ndërthuren parime, koncepte dhe dinamika globale, historike, ekonomike dhe kulturore. Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme në Ukrainë ka nevojë edhe për diskutime të rrafshit themeltar.

Në artikullin e tij, Robert D. Kaplan përcakton hierarkinë e tre koncepteve dhe dinamikën ndërvepruese në aspektin historik dhe të perspektivës. Në këndvështrimin historik përparësia e koncepteve është lehtësisht e dallueshme: gjeografia, ndjekur nga gjeopolitika dhe në kohët moderne gjithnjë e më tepër fitojnë terren vlerat e përbashkëta dhe ligji ndërkombëtar.

Duke shmangur çdo shtysë për diskutime teorike mbi koncepte historiko-politike, do veçoja konkluzionin përmbyllës të Kaplan: “Gjëra të tilla si …. të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtare mund dhe duhet të triumfojnë mbi gjeografinë. Por kjo ndodh vetëm nëse gjeopolitika bëhet pjesë e strategjisë së Perëndimit”.

***

Duke u zhvendosur në një rrafsh tjetër, natyrshëm bën pyetjen: si përthyhet në Ballkan konkluzioni i Robert D. Kaplan. Më specifikisht si ndërthuren dhe dominohen gjeografia, gjeopolitika dhe ligji ndërkombëtar në rajonin që aq shumë është portretizuar si prishës i balancave dhe provokues i ngjarjeve historike dramatike.

Në dritëhijet e vështrimit të Kaplan, gjeografia ka qenë historikisht përcaktuese e zhvillimeve në Ballkan. Një grup popujsh që ndanin një territor të vogël dhe të vështirë, të përfshirë historikisht në ngjarje dramatike pushtimesh, marrje dhe rimarrje territoresh, të cilat prodhonin ndryshime të shpeshta në hartën politike rajonale. Kjo situatë ka vazhduar edhe në historinë e afërme dhe duket po aq e zakonshme në rajon, sa i përhapur është ndikimi i ndërsjellë në artin e kulinarisë, apo në motivet epike e muzikore tradicionale të çdo vendi.

Gjeografia dhe raportet me vendet fqinje kanë përcaktuar shtrirjen aktuale të Shqipërisë. Gjeografia ka ndikuar në Kroacinë e periudhës moderne, si dhe ka determinuar synimin e kahershëm të Serbisë për të pasur dalje në det.

Por, nëse do të tentohet që të analizojmë gjeopolitikën dhe Ballkanin, situata kalon në kufijtë ku shpjegimet mbeten të mangëta dhe jo shteruese. Gjeopolitika ka qenë gjithmonë miku i paftuar i rajonit. Duke qenë një rajon që ndodhej në periferitë e perandorive të mëdha (romake, bizantine, austro-hungareze), midis Lindjes dhe Perëndimit, si dhe një rajon ku takoheshin dhe ndaheshin feja kristiane (katolike dhe ortodokse) me atë myslimane, Ballkani gjithmonë ka vuajtur zgjedhjet koniunkturale të gjeopolitikës, pa qenë asnjëherë një zë komplementar i rëndësishëm i saj. Në përgjithësi dinamikat globale gjeopolitike nuk kane qenë në sinkron me zhvillimet gjeopolitike të vetë rajonit.

Nëse flasim për vlerat globale dhe ligjin ndërkombëtar, rajoni duket më i mpakur se për çdo gjë tjetër. Në një sfidim kryeneç të këtyre vlerave, 100 vjet më parë, nga ky rajon filloi Lufta e Parë Botërore. Edhe në vazhdim rajoni mbeti viktimë e mallkimit të vet: të prodhojë më tepër histori se ç’mundet të konsumojë. Në më pak se dy dekada më parë rajoni u bë dëshmitar i një gjenocidi apokaliptik. Rreth 1 milion shqiptarë u dëbuan forcërisht nga trojet e tyre historike në Kosovë.

Pavarësisht trashëgimisë historike të vështirë, praktikat, të cilat u japin përparësi standardeve dhe të drejtës ndërkombëtare në zgjidhjen e çështjeve midis vendeve, po fitojnë gjithnjë e më tepër qytetari rajonale. Vetëm pak muaj më parë, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, nënvizon rolin e veçantë të ligjit ndërkombëtar kur deklaron, për një çështje sensitive dypalëshe me Greqinë, se “Kemi gjetur gjuhën e përbashkët në parim për të konsideruar çështjen e toponimeve si një çështje e karakterit të qartë teknik …e cila… do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare…, duke respektuar në këtë mënyrë të drejtën ndërkombëtare…”

***

Sot situata është shpresëplotë. Vendet e Ballkanit Perëndimor, në distanca të ndryshme, janë përcaktuar drejt vlerave të përbashkëta dhe respektimit të ligjit ndërkombëtar. Dy janë drejtimet themeltare: BE dhe NATO. Por deri në përfshirjen e plotë në BE dhe NATO, rajoni ka një udhëtim relativisht të gjatë, jo shumë të gjatë në aspektin kohor, por shumë të vështirë në tejkalimin e vetes së vet. Ndërkohë, marrëdhëniet midis gjeografisë, gjeopolitikës dhe vlerave perëndimore do të prodhojnë realitete interesante, që më së paku do të ngjajnë me klishetë historike rajonale.

Skena gjeopolitike rajonale ravijëzohet sipas një dinamike komplekse. Në rajon bashkëjetojnë vende anëtare të NATO-s dhe BE-së, një vend anëtar i NATO-s dhe me statusin e vendit kandidat të BE-së, vende që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe një vend që synon anëtarësimin në BE. Pra duket se shumica në rajon ka përqafuar vlerat perëndimore që mbështeten fuqishëm në dy shtylla kryesore: NATO dhe BE. Më së pakti tradita politike historike e rajonit dhe më së shumti qasja ndaj NATO-s dhe BE-së duket se do të jetë kyçi për të zgjidhur enigmën se cilat vende do të udhëheqin rajonin drejt Europës në të ardhmen.

Europa historikisht ka përcaktuar zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Aktualisht, vlerat perëndimore janë shtrati ku do të rilindë BP i së ardhmes, duke u bërë pjesë e plotë dhe integrale e familjes europiane. E ardhmja u përket vendeve dhe popujve që këto vlera i bëjnë pjesë të zhvillimeve të tyre demokratizuese. Tashmë duket qartazi që vlerat e përbashkëta perëndimore dhe qëndrimi ndaj ligjit ndërkombëtar do të kurorëzojnë liderët e rinj në BP.

Duke huazuar perifrazimin e Robert D. Kaplan, mund të skicohet se e ardhmja në Ballkanin Perëndimor do të favorizojë si liderë të rinj të rajonit ato vende që të drejtat e njeriut dhe ligjet ndërkombëtare mund dhe duhet t’i vendosin mbi gjeografinë dhe kjo do të jetë e suksesshme vetëm nëse gjeopolitikën rajonale do ta bëjnë pjesë integrale të strategjisë së përbashkët të integrimit euroatlantik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button