“Vlora janë të gjithë për atë zhvillim”/ Kryeministri Rama flet nga Elbasani: Sot jemi më pranë se kurrë BE-së, të mos humbim më trenat e historisë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në 35-vjetorin e PS-së në Elbasan, ku vlerësoi kontributin e socialistëve ndër vite dhe theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment historik në rrugën e saj drejt integrimit europian.
Gjatë fjalës së tij, Rama falënderoi qytetarët për mikpritjen dhe vlerësoi figurat që kanë kontribuar në forcimin e Partisë Socialiste në periudha të vështira. Ai kujtoi veçanërisht ish-kryebashkiakun e Elbasanit, Qazim Sejdini, për rolin e tij në konsolidimin e PS-së në këtë qytet. Ai e nisi mesazhin e tij me një batutë me pjesëmarrësit, ku përmendej Vlora dhe tha se e gjithë Vlora është pro zhvillimit duke iu referuar Zvërnecit.
“Vlora janë të gjithë për atë zhvillim.” Faleminderit për atë mikpritje në këtë vapë me këtë zhurmë. Është vërtetë një provë respekti për familjen tonë politike dhe është një provë respekti edhe për të gjithë ata të cilët u nderuan këtu sot me medaljen e mirënjohjes për çfarë bënë në kohët shumë të vështira kur i duhej dhënë jetë, forcë dhe kurajë PS-së. Por sot nuk ishin të gjithë të pranishëm këtu dhe natyrisht kjo histori është një histori 35-vjeçare ku edhe vitet kanë bërë të vetën dhe unë nuk dua që ta lë pa u përmendur dikush që sot mungon, por pa të cilin PS-ja e Elbasanit nuk do ishte ajo që u bë dhe rreth të cilit punuan dhe bënë shumë beteja shumë prej atyre që sot morën medaljen. Dua një duartrokitje të fortë për Qazim Sejdinin. Duke qenë se lala ishte dhe besimtar unë dua shumë të besoj që ai po na sheh nga lart sot”, tha kreu i PS-së.
Kryeministri ndaloi edhe te sfidat me të cilat përballeshin socialistët kur partia ishte në opozitë, duke kujtuar raste kur mbështetës të saj humbnin vendet e punës për shkak të bindjeve politike. Sipas tij, situata e sotme është krejtësisht ndryshe dhe praktika të tilla janë të paimagjinueshme.
“Ndërkohë që duke kujtuar të shkuarën është bërë e vështirë t’u flitet sot atyre që janë gjenerata më e re. Shumë e shumë socialistë nuk kishin të drejtën e një pune për shkak se ishin anëtarë të PS-së. Më kujtohet kur kemi bërë një takim pikërisht këtu në Elbasan dhe kam marrë mesazh nga një mësuese, ne ishim në opozitë atë kohë, nga një mësuese që më shkruante se ishte mësuese dhe anëtare e PS-së dhe më kërkonte ndjesë që nuk vinte dot në miting, pasi nga kamerat dhe pamjet që publikoheshin në ekran, shiheshin njerëzit një për një dhe nëse ata që ishin të pranishëm në takimet tona, nëse ishin në punë të shtetit largoheshin nga puna”, tha Rama.
Rama u shpreh se sfida kryesore e vendit mbetet moshumbja e mundësive historike për zhvillimin dhe integrimin. Ai theksoi se Shqipëria është më afër se kurrë realizimit të aspiratës së saj europiane dhe se vendi ka një mundësi reale për të përjetuar një transformim të ri ekonomik.
“Sot kjo është e paimagjinueshme. Sot kemi të tjera sfida. Sfida e sfidave është të mos humbim më kohën e Shqipërisë, të mos humbim më shanset e Shqipërisë, që të mos humbim më trenat e historisë së këtij vendi sepse kemi humbur shumë kohë, kemi humbur shumë mundësi, kemi humbur disa herë trenin e historisë dhe kemi mbetur pastaj jo në stacion, por në buzë humnerash shumë të rrezikshme. Sot jemi më afër se kurrë, realizimit të një ëndrre shekullore të shqiptarëve. Ne nuk kemi vetëm amanetin në duar, por edhe mundësinë e madhe që me duart tona ta ngremë Shqipërinë e Madhe në krah dhe ta vendosim në atë majë ku e donin Naim Frashëri, rilindasit dhe të gjithë ata që e deshën Shqipërinë të lirë e të pavarur. Por sot, dielli lind atje ku perëndon. Me vështrimin dhe sytë nga Perëndimi. Sot jemi më pranë se kurrë BE-së. Sot jemi më pranë se kurrë edhe një transformimi të ri, një kapërcimi në nivel tjetër për ekonominë tonë”, deklaroi kryeministri Rama.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.