Kronika

Arian Çani sqaron episodin me çamët në Zonë e Lirë

Emisioni “Zonë e Lirë” i Arian Çanit ka prodhuar sërish polemika në rrjetet sociale. Gazetari është vënë në qendër të vëmendjes nga mediat online për shkak të një episodi të ndodhur në studion e tij të premten e 8 majit. Batutat – siç i quan Çani, që shkëmbeu gjatë një bashkëbisedimi me të ftuarin, këngëtarin Arjan Korkaj, janë nxjerrë jashtë kontekstit.

E gjitha u provokua nga videoklipi “Një djalë lab dhe një djalë çam” që Arjan Korkaj kishte vajtur të promovonte në emision. Sipas këngëtarit, ai ishte nxitur nga miqtë e tij Çamë të bënte një këngë me tematikë Çame, për të cilën edhe do të paguhej. Por, siç tregoi këngëtari vetë në emision, ata e kishin braktisur dhe nuk e kishin paguar. Në kontekstin e batutave dhe thënieve të vjetra popullore se “çamëve nuk u zihet besë” duket se u zhvillua i gjithë diskutimi. Megjithatë, shprehja e thënë nga Arian Çani, “çamët janë aq të mirë, sa t’i vrasësh pak e kanë”, shkaktoi jo pak zhurmë.

Mediat madje, shkruan se gazetari konsumoi vepër penale duke cituar nenet e Kodit Penal, që ndalojnë nxitjen e urrejtjes në publik. Mirëpo gazetari i Zonës së Lirë, këto shkrime i shpërfill, duke i quajtur fletushka e paçavurre, ndërsa mediat që e sulmuan me tituj bombastikë – gjobëvënëse. Për publikun që reagoi me komente në këto artikuj Arian Çani ka mesazhin e tij. Reagimin ekskluziv për lapsi.al në lidhje me këtë episod, duhet t’a shoqëroni me videon e emisionit, siç sugjeron edhe Çani:

“Siç ndodh rëndom në këtë katund, mjafton një batutë me humor brenda një konteksti të caktuar që disa media të përfitojnë për të pasur ca klikime më shumë. Në fakt janë media që mbijetojnë vetëm me spekullime të qëllimshme. Nxjerrin gjithçka nga konteksti dhe kaq mjafton që një tufë debilësh dhe parazitësh anonimë që vrasin kohën e tyre nëpër blogje, të turren e të të bëjnë copë në fyerje e sharje nga më të rëndomtat. Por kjo mua nuk më shqetëson aspak sepse këtë kategori humanësh të dobët e njoh mir qysh kur punoja para 15 vjetesh në radio netëve vonë. Kjo kategori janë fansat e mi të pasherueshëm që s’më janë ndarë asnjëherë. Sa më shumë i shaj unë, aq më shumë më duan ata. Janë mazokistë ndonëse ata nuk e dinë sëmundjen e tyre. Un i dua shumë këta tipa. Janë të njëjtët. Si dikur në radio, edhe tani nëpër blogje. Është gazeta e Mero B. dhe një tjetër e dy të fortëve të pushtetit që jetojnë me gjoba. Fletushka të neveritshme të cilat nuk kanë marrë asnjëherë mundimin të më bënin qoftë dhe një telefonatë para se të përmendnin emrin tim në paçavurret e tyre. Po nejse. Batuta e çameve që ka ngjallur sërish këtë polemikë ishte thjeshtë një batutë brenda një konteksti plot humor. Për të gjithë ata që kanë fare pak mënd në kokë, le ta shohin ose rishohin emisionin tim të dates 8 maj 2015 në youtube. Ciaooo”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button