Politika

Washington-i telefonatë Ramës. Ambasadori Philip T. Reeker: Zgjedhjet në 30 Qershor

Ambasadori Philip T. Reeker, asistentsekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama javën e shkuar.

Kjo telefonatë e kërkuar nga ambasadori Reeker, raporton “Top Channel”, është konfirmuar  nga dy burime diplomatike të pavarura nga njëra-tjetra si dhe nga Kryeministria.

Po të njëjtat burime në dijeni të përmbajtjes së kësaj telefonate, që ka zgjatur 20 minuta, kanë treguar edhe thelbin e saj.

Ambasadori Reeker ka ngulmuar gjatë telefonatës për mosbërjen e asnjë hapi pas në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Një qëndrim ky i palëkundur i amerikanëve gjatë muajve të fundit, por i përforcuar edhe njëherë tjetër në këtë bisedë telefonike.

Ditën kur Presidenti Meta zhdekretoi datën e zgjedhjeve, “Top Channel” raportoi se në DASH ambasadori Philip T. Reeker, kishte zhvilluar një takim me departamentin e Euroazizë, për të analizuar vendimin e Presidentit.

Ajo çfarë ishte konkluduar në këtë takim, u mësua një ditë më pas, kur një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i tha “Zërit të Amerikës” se DASH, është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës, lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të Presidentit.

Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.

Pikërisht kjo ndjekje vijoi me telefonatën e Reeker për Ramën të mërkurën, nga ku më pas Ambasadës amerikane iu dha porosia për hapin e radhës.

E enjtja e shkuar një ditë përpara protestës së 9 kombëtare, e gjeti zv.shefin e Misionit në Detyrë i Ambasadës amerikane, Daniel Koski në zyrat e kryedemokratit Lulzim Basha dhe shefes së LSI Kryemadhi.

Për ta, si asnjëherë më parë, mesazhi i përcjellë ishte më radikali në historinë e pluralizmit shqiptar.

“Çdo akt dhune nga sot, deri në 1 korrik, i bërë apo nxitur nga ju, do ta detyrojë Departamentin e Shtetit t’ju klasifikojë si organizata të dhunshme!” – mësohet se ka thënë Koski.

Ligji amerikan për organizatat e dhunshme, të cilat radhiten një shkallë më poshtë se organizatat terroriste, është shumë i ashpër.

Ai prek të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e organizatës, të cilëve u konfiskohen asetet, u bllokohen kontot bankare, u sekuestrohet çdo transaksion i mundshëm në dollarë apo pasuri të patundshme.

Por jo vetëm kaq. U kufizohet edhe lëvizja në vendet me të cilat SHBA kanë marrëveshje për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Ky ligj amerikan është veçanërisht specifik për të gjithë anëtarët e këtyre organizatave që kanë pasur poste publike apo kanë aktivitet biznesi.

Ky mesazh i Washington-it përcjellë si një telegram urgjent Bashës dhe Kryemadhit nga Daniel Koski, nuk u pohua apo mohua nga përfaqësia diplomatike amerikane në Rrugën e Elbasanit.

Efekti i këtij paralajmërimi u reflektua menjëherë, në protestën e të premtes ku nuk u hodh as edhe një kapsollë e vetme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button