Xhakolli: Humbja në Pogradec, PS-ja nuk përfilli peticionin e bazës, Mile na u imponua
“PS e mbështeti, por populli nuk është dele, LSI humbi në bastionin e saj”
Falja – “Mund të them se duhet që Rama apo më shumë Meta t’u kërkojnë falje socialistëve të Pogradecit. Unë së bashku me socialistët kemi bërë peticion, që një kandidaturë e hedhur forcërisht nuk mund të fitojë”
Nga Artemisa Hoxha
Selia qendrore e PS-së nuk mori në konsideratë peticionin e bazës socialiste të Pogradecit për kandidatin e imponuar për kryetar bashkie dhe se me LSI-në para katër vitesh kanë qenë kundërshtarë politikë, gjë që baza e ka pasur të vështirë ta kapërdijë një fakt të tillë për të votuar për Diana Milen. Kjo është analiza në vija të trasha që bën deputeti i PS-së, Ilir Xhakolli, i cili ka qenë një ndër deputetët përgjegjës për fushatën elektorale të qytetit të Pogradecit, të bastionit të së majtës për më shumë se 10 vite, e që tashmë do të drejtohet nga e djathta. Teksa LSI-ja pritet që të bëjë një analizë të thellë të çdo kutie votimi për humbjen që pësoi me kandidaten Diana Mile, për Bashkinë e Pogradecit, PS-ja ka bërë gati analizën për këtë rezultat, e cila pritet që të bëhet e ditur nga deputeti Ilir Xhakolli dhe Bashkim Fino në mbledhjen e Asamblesë së Rrethit Pogradec. Për gazetën “Shqip”, i deleguari i PS-së për Pogradecin, deputeti Ilir Xhakolli, zbardh disa nga shkaqet e renditura në analizë, që sipas PS-së së kësaj bashkie çuan në humbjen e saj dhe drejtimin e saj tashmë nga një kandidat i djathtë, por që ashtu siç e ka thënë dhe vetë kreu i PS-së, Eduart Kapri ka qenë një i majtë.
Peticioni dhe mbështetja
Fakti që PS-ja e Pogradecit bëri një peticion kundër lënies së të drejtës për të propozuar kandidatin e bashkisë LSI-së, si dhe vetë “lufta” që PS-ja ka bërë me LSI-në në zgjedhjet e 2011-s, atë kohë me PD-në në koalicion, janë arsyet që kjo bashki nuk arriti të merrte më shumë vota se e djathta. “Sigurisht që ne do të kemi një analizë, të cilën unë e kam bërë gati. Ka disa arsye pse erdhi humbja e kësaj bashkie. E para, socialistët nuk e mirëpritën qysh në fillim kandidaturën. E dyta, nuk është e vërtetë se socialistët nuk kanë dhënë vota, por nuk kanë qenë të impenjuara maksimalisht, sepse kandidatja vetë nga LSI-ja ka marrë 5300 vota dhe pjesën tjetër e ka marrë nga socialistët. Këtu mund të them se largimi i asaj pjese që ne konsiderojmë gri, pra të lëkundur me partinë, kanë ikur. Është manipuluar nga kandidati tjetër me metodat që tashmë dihen. Kjo le të themi se mbetet më kryesorja. Së treti, edhe pse vetë PS-ja nuk u angazhua sa duhej, pasi nuk e ka kapërdirë kandidaturën, por edhe vetë LSI-ja nuk ka qenë në lartësinë e vet, sepse në komunën ku ajo ka si bastion (Buçimas). Kështu që pjesën tjetër të votave kandidatja i ka marrë nga votat e PS-së”, sqaron deputeti i PS-së. Duke vijuar me shkaqe të tjera, Xhakolli vë theksin se në fund të gjithçkaje socialistëve në Pogradec u duhet kërkuar falje nga vetë kreu i PS-së, Edi Rama, apo dhe më shumë nga ai i LSI-së, Ilir Meta. “Pritet që të mblidhet asambleja e rrethit të PS-së për të diskutuar këtë analizë, por jam i bindur se ajo që është më kryesorja, është pikërisht fakti që socialistët nuk e kanë kapërdirë dot, kjo pasi ata kanë bërë kontestimet që në fillim me peticion, edhe pse vota e tyre është e evidentueshme, por nuk kanë mundur që të bindin atë pjesë gri të elektoratit që e përkrahu në 2013-n. Mund të them se duhet që Rama apo më shumë Meta t’u kërkojnë falje socialistëve të Pogradecit. Unë së bashku me socialistët kemi bërë peticion, që një kandidaturë e hedhur forcërisht nuk mund të fitojë. Por nuk duhet të harrojmë që ne, para katër vitesh kemi luftuar kundër LSI-së për bashkinë dhe e kemi mundur, dhe tani nuk mund t’i marrim njerëzit, të cilët njëherë kanë votuar kundër dhe tani t’u themi votoni këtë parti. Nuk mund t’i trajtojmë kështu si dele. Edhe kjo është një arsye madhore e këtij rezultati”, shtoi më tej deputeti socialist. Por përtej këtyre arsyeve, që mesa duket kanë qenë më madhore se gjithçka tjetër, socialistët kanë bindjen se deri diku votat e asaj pjese të “të pabindurve” për bindjen e tyre politike ka shkuar në drejtimin e djathtë, edhe për shkak të metodave manipuluese të përdorura nga kandidati i djathtë. Kështu, sipas deputetit Xhakolli, kandidati demokrat ka përdorur metoda manipuluese, duke e kërkuar votën edhe si i majtë, por edhe duke e blerë atë. “Një tjetër arsye nëse mund ta rendisim në shkaqet që çuan në këtë rezultat, mund them është dhe vetë fakti se kandidati tjetër vjen nga radhët e së majtës. Ai luftoi duke iu thënë votuesve ‘ma jepna mua votën dhe kështu ia jepni PS-së’. Njëkohësisht mund të them se ka hedhur shumë lekë. Kampi tjetër nuk bëri asnjë lloji mbështetjeje të tillë për kandidaten për kryetare të bashkisë”, tha Xhakolli. Bashkia e Pogradecit, ku e djathta fitoi me një diferencë prej 1623 votash, është vënë në “shënjestër” nga LSI-ja, për një pazar partiak, por pa dhënë më shumë detaje se në çfarë aspekti ka të bëjë ky pazar, por vetëm duke u mjaftuar me paralelizmin e pazarit të Roskovecit. Gjithsesi, teksa Bashkia e Pogradecit pritet që të drejtohet nga një i djathtë, këshilli bashkiak do të dominohet nga e majta, e cila ka arritur që të fitojë 19 mandate këshilltarësh, kundrejt 12 mandateve të fituara nga e djathta.
Si shkuan votat e dy kandidatëve dhe të koalicioneve
Edhe pse koalicioni i majtë humbi zgjedhjet në Bashkinë e Pogradecit, rezultatet përfundimtare që kanë dalë nga qendrat e votimit në tetë njësitë administrative që me ndarjen e re territoriale janë pjesë e bashkisë së madhe, rezulton se kandidatja e propozuar nga LSI-ja ka arritur që të marrë një numër më të vogël votash sesa aleanca e majtë, përkatësisht 16 024 vota kundrejt 22 229 votave që ka marrë PS-ja, LSI-ja, si dhe aleatët e tjerë, ku numër të konsiderueshëm votash në këtë bashki, bazuar në listën e këshilltarëve të saj, ka pasur edhe PDI-ja si dhe FRD-ja. Por nëse shikojmë rezultatet për kundërshtarin e saj, Eduard Kaprin e PD-së, rezulton se vetë ai ka marrë më shumë vota sesa koalicioni i djathë, rreth shtatë mijë vota më shumë. Përkatësisht e djathta së bashku me partitë në koalicion ka arritur që të mbledhë 10 776 vota, një shifër e ulët kjo krahasuar me 17 647 të mbledhura nga Kapri, i cili rezultoi në këtë mënyrë edhe fitues i garës për një nga bashkitë, ku e majta dukej e bindur se do ta fitonte. Por duke u ndalur në një analizë votash për humbësin, pra kandidaten e LSI-së, Diana Milen, vlen të theksohet se ajo nuk ka arritur që të marrë mbështetjen me votë as në Komunën e Buçimasit, e konsideruar që prej 2011-s si bastion i LSI-së, komunë të cilën e ka drejtuar një emër që u lakua deri në ditën e fundit si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Pogradecit, Roshi Tollozhina, i cili vetë si anëtar i këshillit bashkiak që do të jetë ka arritur ta rendisë LSI-në forcë të parë politike, duke lënë Partinë Socialiste pas asaj Demokratike. Mesa duket mbështetja në vota nuk ka qenë e njëjtë edhe për kandidaten për kryetare të bashkisë. Mile ka arritur të dalë fituese vetëm në dy njësi administrative, pikërisht në Trebinjë dhe në Velçan.
ASHE 22 229 vota (6419 PS; 5318 LSI)
Diana Mile: 16 024 vota
APPD 10 776
Eduard Kapri: 17 647 vota
Tetë njësitë administrative
Pogradec:
ASHE 9165 vota
(PS 3185 vota, LSI 1638 vota)
Diana Mile 6503 vota
Buçimas
ASHE 3870 vota
(PS 906 vota, LSI 1587 vota)
Diana Mile 3281 vota
Çërravë
ASHE 2222 vota
(PS 582 vota, LSI 400 vota)
Diana Mile 1543 vota
Dardhas
ASHE 1026 vota
(PS 155 vota, LSI 186 vota)
Diana Mile 703 vota
Udenisht
ASHE 2468 vota
(PS 607 vota, LSI 186 vota)
Diana Mile 1638 vota
Proptisht
ASHE 1765 vota
(PS 499 vota, 272 LSI)
Diana Mile 1010 vota
Trebinjë
ASHE 889 vota
(PS 180 vota, LSI 341 vota)
Diana Mile 740 vota
Velçan
ASHE 824 vota
(PS 332 vota, LSI 278 vota)
Diana Mile 784 vota
Pmvaresisht nga deshira e mire qe Rama ka cfaqur brenda aleances dhe ja la Pogradecin LSI Ilirit , kjo nuke duhej te ndothte, duhej te ish mare ne konsiderate peticjoni i PS te Pogradecit qe kjo bashki si e majte qe eshte ti mbetej PS, qefmbetja e socjalisteve beri qe nje pjese te mosvotonin fare dhe nje pjese ti kete mashtruar Kapri si i majte qe ka qene, pore qe u shit ne pazarin e Roskovecit dhe u be i djathte. Rr ethi i Pogradecit dhe qyteti kane qene dhe mbeten te majte, kete ta kete te qarte PD. Dote vije 2017 dhe dota shikoi se sa deputet dote mare ne rrethin e Pogradecit.
Si PS dhe lSI duhet ta kene kuptuar , se humbja e Pogradecit nga e majta eshte nje marveshje midis shokesh e miq te ngushte te Tollozhanit dhe Kaprit. Kapri i ka karkuar Tollozhanit ta mbeshtes per kryetar bashkie dhe Tollozhani apo shejtani e mbeshteti Kaprin me te gjitha drejtimet qe te fitonte ashtu sic fitoi. Ndersa kapri i ka premtuar Tollozhanit qe ta mbeshtes per te fituar ne keshillin bashkiak dhe pse jo te zgjidhet kryetar i keshillit bashkiak, sepse esht vend pellumbash dhe page te majme, ka kohe edhe me bizneset qe ka vene te meret edhe me te mare rogen si kryetar i keshillit ose i parlamentit te vogel te bashkise. Ketu eshte bere pazar si ne Roskovec, vetem per interesa personale duke demtuar fitoren e te majtes dhe sidomos te LSI . I takon LSI ta analizoi dhe te mbaje edhe qendrimin e duhur per kete pazar te felliqur.