Zaev: Partitë të mos gjejnë arsye për t’i shtyrë marrëveshjet
Kryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase, LSDM-së, Zoran Zaev, u ka bërë thirrje partive që marrin pjesë në bisedimet për realizimin e marrëveshjes për daljen e Maqedonisë nga kriza politike, që të arrijnë pajtueshmëri për modelin dhe kodin zgjedhor përpara afatit të parashikuar, 6 tetorit, e jo në momentin e fundit, siç ndodhi në rastin e zgjedhjes së Prokurorit Special.
“Dikush po tenton të gjejë një milion arsye për të anashkaluar zgjidhjet për ligjin zgjedhor dhe atë për mediat. Kërkoj që përvoja me zgjedhjen e Prokurorit Special në momentin e fundit, të mos përsëritet”, ka deklaruar Zoran Zaev.
Zaev nuk ka dashur të japë vlerësime lidhur me të përzgjedhurit e Prokurores Speciale Katica Janeva si bashkëpunëtorë të saj. Ai ka thënë se Janevës, ligji i garanton autonomi të plotë në punën dhe zgjedhjet që bën dhe ka kërkuar nga Prokuroja Speciale që skandalet e zbardhura nga bisedat e përgjuara telefonike, sa më shpejt të kenë përfundim gjyqësor.