Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka tërhequr propozimin e tij për të qenë ministër i Financave.
Këtë propozim Zaev e bëri para kap ditësh me ndryshimet ne kabinetin qeveritar ku ndër të larguarit ishte edhe ministri i financave.
“Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë lejojnë që kryeministri të jetë edhe ministër, por pasi që janë hapur dilema dhe debati publik, duhet të dëgjojmë Komisionin shtetëror për parandalimin e korrupsionit, opozitën dhe ekspertët në publik”, tha Zaev dhe shtoi se ky propozim do të tërhiqet nga rendi i ditës.
Ndërkohë Komisioni për parandalimin e korrupsionit thekson se propozimi i kryeministrit Zoran Zaev për të ushtruar edhe funksionin e ministrit të Financave bie ndesh me Nenin 44 alinea 1 dhe 2 në Ligjin për parandalimin e korrupsionit.
Nga Anti-korrupsioni theksojnë se në rast se kreu i qeverisë zgjidhet ministër i Financave, ata do të detyrohen të marrin masa konkrete në bazë të kompetencave që dalin nga Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.