Zbardhet axhenda e vizitës së Juncker në Shqipëri
Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker mbërrin të dielën në Tiranë për një vizitë zyrtare, në kuadër të një turneu në Ballkan.
Sipas njoftimit për shtyp nga kryeministria, ditën e nesërme, në orën 17:30 organizohet ceremonia ushtarake e pritjes në Tiranë nga kryeministri Edi Rama të Presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Ndërsa në orën 19:15, Rama dhe Juncker do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, do të vizitojnë vendet e Ballkanit, në kuadër të një turneu të tyre në Ballkan. Ata do të vizitojnë fillimisht Maqedoninë, pastaj Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe ndalesa e fundit e tyre do të jetë në Bullgari.
Ky turne që nis nga 25 shkurti dhe përfundon më 1 mars, bëhet për të prezantuar strategjinë e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.