Zbardhet vrasja e 32-vjeçares në Durrës
Në pranga dy persona, nën hetim tri vajza që ishin dëshmitare
Vrasja e 32-vjeçares Luljeta Preza një ditë më parë në Durrës është zbardhur nga policia, ndërsa dy persona ranë në pranga.
Gruaja nga Sukthi pjesë e komunitetit rom u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, paraditen e djeshme rreth orës 10:35 me shenja thike në trup.
Nga hetimet rezultoi se rreth orës 01:00 të 2 gushtit, poshtë urës së Dajlanit, viktima është konfliktuar me Aldo Brahimin 22-vjeç dhe Ylli Grabovarin 45-vjeç për motive të dobëta. Më pas dy personat e kanë goditur me thikë dhe si pasojë ajo ka humbur jetën në vendin ku u gjet trupi.
Dyshohet se viktima kishte konsumuar kokainë, së bashku me tri vajzat e identifikuara si B. S. 28 vjeçe, M. M. 26-vjeçe dhe një e mitur 15 vjeç.
Sipas burimeve policore, viktima është abuzuar seksualisht dhe më pas është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Nga hetimet e para rezulton se viktima bënte një jetë endacake dhe jo rrallëherë detyrohej të shiste trupin e saj për të fituar pak para e mbajtur veten gjallë.
Një ditë më parë 17 persona që dyshohet se kishin dijeni mbi ngjarjen e rëndë u shoqëruan në polici.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Deluzion”, për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së 32-vjeçares, e cila u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, paraditen e djeshme. Vranë me mjet prerës (thikë), 32-vjeçaren, pas një konflikti për motive të dobëta me të, në vendin ku u gjet trupi i pajetë, identifikohen në kohë rekord, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Procedohen penalisht 3 shtetase që kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, për moskallëzim të krimit. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 32-vjeçarja, 2 autorët e vrasjes dhe 3 shtetaset e proceduara, gjatë ngjarjes së ndodhur poshtë urës së Dajlanit, kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e rrethanave të humbjes së jetës së shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, ditën e djeshme, rreth orës 10:35. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Deluzion”, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimi, kapja dhe vënia në pranga në kohë rekord, e 2 autorëve të dyshuar të saj. Në vijim të këtyre veprimeve, u vunë në pranga shtetasit A. B., 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Y. G., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e thelluara të kryera menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se rreth orës 01:00 të datës 02.08.2023, poshtë urës së Dajlanit, Durrës, 32-vjeçarja është konfliktuar me shtetasit A. B. dhe Y. G., për motive të dobëta (pasi kanë konsumuar lëndë narkotike kokainë, së bashku me shtetaset B. S., M. M. dhe me një 15-vjeçare). Gjatë konfliktit, shtetasit A. B. dhe Y. G. kanë goditur me mjet prerës (thikë) shtetasen L. P., e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset B. S., 28 vjeçe, M. M., 26 vjeçe dhe për 15-vjeçaren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, por asnjëra nuk ka kallëzuar në Polici”, sipas njoftimit të policisë.
Sipas policisë, materialet për të akuzuarit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.