Zemërimi i Amerikës, në bardhë e zi
La Repubblica
E ngulur në hartën e luftës së pafund në bardhë e zi, një tjetër gjilpërë shpon zemrën e Amerikës, këtë herë në Milwaukee, në Veriun e Madh të Wisconsinit, në betejën e natës, ndezur nga një tjetër vrasje prej policisë, nga zjarret, trazirat, frika, zemërimi, të shtypura vetëm prej forcave të armatosura. Nëse qyteti i birrës, i Harley-Davidsonit, djathit, tani është qetësuar përsëri, i detyrohet Gardës Kombëtare të Wisconsinit, e mobilizuar nga guvernatori. Një kujtesë e frikshme e militarizimit, pas trazirave racore të viteve 60-të dhe 70-të. Eshtë luftë dhe kjo duket.
Vendndodhjet e betejave, në këtë fazë të re të luftës së vjetër, i gjen kudo në hartën e SHBA, në një front që shtrihet nga bregu në breg, dhe nga Liqenet e Mëdha të veriut, deri në në ujërat e Gjirit, në jug. Eshtë një mësim gjeografie, që merret duke ndjekur GPS-in e gjakut, duke u nisur nga Florida, ku u vra Trayvon Martini, në vitin 2012. Dhe pastaj, përmes periferisë së St Louisit, Ferguson, ku humbi jetën Michael Brown. Turi i fushëbetejave na shpie në New York, Los Angeles, Cleveland, Dallas, Berkeley, Bloomington, Minnesota, Charlotte, Baltimore, Oakland, Stonewall Misisipi, Mineapolis, Salt Lake City, Baton Rouge Louisiana, Palm Beach. Dhe këta janë vetëm rastet e famshme, ata që kanë mbërritur në faqet e mediave, të vjetra dhe të reja. Për vendet e vogla, kontetë e zhytura në barkun e madh të shtetit-kontinent, dimë shumë pak, ose aspak.
Por lajmi nuk është numri i viktimave në këto fushëbeteja urbane, edhe pse 532 viktima nga zjarri i forcave të ndryshme policore në gjashtë muajt e parë të këtij viti, gjysma e tyre me ngjyrë, është një numër i lartë në krahasim me popullsinë, apo 76 “cops”, policët e vdekur në detyrë, si në pritat e hakmarrësve zezakë, në Dallas dhe Baton Rouge, Luiziana. Lajmi është se sa ajo që ndodhi pas vdekjes së Martinit në Florida ka bërë lajm, që normaliteti i një lufte me intensitet të ulët, mes civilëve me ngjyrë dhe qytetarëve në uniformë, po bëhet i padurueshëm.
Zemërimi ka prodhuar një lëvizje politike spontane, e koaguluar përreth një hashtagu në Twitter, krijuar pas vrasjes së Treyvon Martinit në Florida dhe lirimit të agjentit që e kishte qëlluar atë: #blacklivesmatter. Jetët e zezakëve kanë rëndësi. Kanë lindur katërmbëdhjetë “kapituj”, katërmbëdhjetë degë në mbarë vendin. Eshtë krijuar një shoqatë e nënave të të rinjve të vrarë, të cilat morën pjesë dhe folën në Konventën Demokratike në Filadelfia në favor të Hillary Clintonit, ndërkohë që reagimi i pashmangshëm prodhonte #bluelivesmatter, jetët blu të uniformës klasike të policëve kanë rëndësi, grupi që shpërndante shenja dhe distinktivë në Konventën Republikane në Cleveland. #alllivesmatter, të gjithë jetët kanë rëndësi, kjo ishte deviza e një tjetër grupi, në një përpjekje të hershme për të ndërmjetësuar, në një luftë ku është përfshirë edhe Obama: “Sigurisht gjithë jetët kanë rëndësi, por ka një problem specifik – tha ai – që lidhet me komunitetet e afro-amerikanëve. Kur unë shoh një nga ata djemtë e vrarë, mendoj se mund të më kishte ndodhur mua, vite më parë”.
Në rrëfimin e tërbuar e të papajtueshëm të pjesëve të kësaj lufte, janë kristalizuar mitet e pashlyeshëm tashmë. Polici racist, që në radio me qendrën thotë: “Merrem unë me këta plehëra, që ia hedhin gjithmonë”, apo shpërndarësi astmatik i drogës në New York që mezi nxjerr zërin: “… nuk marr dot frymë, nuk marr dot frymë …”, teksa polici i ka futur duart në fyt, përpara se i gjori të vdesë nga një arrest kardiak. Çdo djalë i zi me kapuç deri tek sytë është një kriminel, një “predator” në gjueti për viktima të mundshme, si e përshkruante Bill Clintoni vite më parë. Çdo polic është një gjuetar i afro-amerikanëve të pafajshëm. Javën e kaluar në Florida, në një ndryshim të përsosur të linçimit klasik nga KKK, shtëpisë së një familje të bardhë, e cila kishte ekspozuar flamurin blu pro policisë, iu vu zjarri nga një grup i cili u largua, por pa harruar të lërë një shënim: “Kush bëhet me derrat, do përfundojë si proshutë”.
Në kërkim të konsensusit emocional, politika presidenciale e këtij viti zgjedhor është hedhur në pellgun e gjakut, për të kapur votat. Hillary është me zemërimin e Amerikës me ngjyrë, për shkak se për votat e saj ajo ka nevojë, por pa ua vënë të gjithë fajin policëve, për të mos armiqësuar elektoratin e bardhë dhe femëror që, pa e patur guximin ta thotë, nga zezaku me kapuç mbi fytyrë ka shumë frikë. Trumpi, i cili ka marrë mbështetjen e supremacistëve të KuKluxKlan dhe nonazistëve, premton një kthim në “Madhështinë e Amerikës”, që të gjithë e kuptojnë si Amerika e bardhë e së kaluarës, por edhe ai vetë nuk guxon ta thotë në mënyrë eksplicite.
Llogoret po gërmohen. Kundërshtarët po armatosen, jo vetëm me retorikë, në një Amerikë ku çdo polic e di se cilido, edhe shoferi i ndaluar për tejkalim shpejtësie, mund të fshehë një pistoletë në vendin ku mban dokumentat. Politika, që sot jeton edhe në centrifugën shkumëzuese të rrjeteve sociale, mes kundërvënieve radikale dhe intolerancës reciproke, ushqen atë që nuk di më ta ndërmjetësojë, apo zbusë. Lufta vazhdon. Ka ende shumë gjilpëra për të ngulur në hartë.