Politika

Zgjedhjet lokale, kompromis i vështirë PD- PS- OSBE për Reformën Zgjedhore

Katër faktorë kombëtar dhe ndërkombëtar ndajnë qëndrime dhe objeksione të ndryshme për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Partia Demokratike, Partia Socialiste, partitë e ashtuquajtura të vogla dhe OSBE/ODIHR kanë bërë propozime të ndryshme, në disa pika krejtësisht të kundërta, për reformën zgjedhore, duke e bërë konsensusin një sfidë të vështirë. Partia Demokratike, subjekti më i madh në opozitë, shpalli në fillim të javës një platformë për çlirimin e zgjedhjeve, duke artikuluar katër kërkesa kryesore, të cilat duhen sipas saj të reflektohen në Kodin Zgjedhor, si kushte për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

PD ka propozuar dekriminalizim të procesit zgjedhor, duke përfshirë Vetingun në politikë, sistem masash kundër shitblerjes së votës, financim shtetëror 100% të fushatës së partive, identifikim biometrik, votim dhe numërim elektronik. Ndërkaq, asnjëra nga kërkesat e PD nuk adresohet plotësisht në draftin e PS për reformën zgjedhore. Nisma e PS nuk përfshin votimin dhe numërimin elektronik, ndërsa sa i takon shitblerjes së votës, PS propozon që kryetarët e partive të nënshkruajnë një deklaratë, përmes të cilës të përbetohen se nuk do ta angazhohen në blerjen e votave. Votimi dhe numërimi elektronik janë refuzuar edhe nga OSBE/ODIHR, për shkak të pasigurisë. Sa i takon financimin, drafti i PS parashikon kufizimin e financimit nga subjekte private për partitë politike, ku dhurimet dhe financimet nuk duhet të kalojnë dyfishin e vlerës që partia politike përfiton nga buxheti i shtetit.

Ndërkaq, drafti i PS parashikon zgjedhjen e komisionerëve jo partiakë me anë të shortit nga KQZ, Ndalimin e reklamave politike në media kundrejt pagesës 3 muaj para zgjedhjeve, portal për denoncime në lidhje me financimet e fushatës, rregulla të reja për afishimin e materialeve propagandistike etj. Propozimi kryesor i PS për komisionerë jopartiakë nuk pranohet nga PD, për shkak të mosbesimit të thellë, ndërsa nuk është shprehur për propozimet e tjera. Të gjitha palët kanë ‘harruar’ të drejtën e emigrantëve për të votuar. Garantimi i kësaj të drejte u premtuar nga PS, por nuk ekziston në draftin e propozuar. Nga ana e saj, PD është shprehur kundra, me pretendimin e qeveria nuk garanton të dot votën e shqiptarëve brenda vendit jo më të shqiptarëve jashtë vendit.

Të vegjlit
Kërkesa kryesore e parive të ashtuquajtura të vogla, përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim ka të bëjë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke përfshirë elementin e korrektimit kombëtar të votave, me qëllim që votat e të partive më të vogla të mos shkojnë për partitë e mëdha, por të mblidhen në disa zona dhe të prodhojnë mandat. Thelbi i konfliktit disavjeçar mes partive kryesore dhe partive ashtuquajtura të vogla konsiston pikërisht tek sistemi zgjedhor.

PD-PS kërkojnë mbrojtjen e sistemit aktual, ndërsa partitë e tjera, përfshirë edhe LSI, kërkojnë ndryshimin e sistemit, duke përfshirë elementin e korrektimit kombëtar, që do të thotë mbledhja e të gjitha votave në rang kombëtar dhe përthyerja në mandate. Korrektimi kombëtar rrit fuqinë e partive të vogla dhe maksimalizon vendet e tyre në parlament, por nga ana tjetër ul numrin e deputetëve për PD-PS, të cilat marrin një numër të caktuar deputetësh me votat e të vegjëlve.

OSBE/ODIHR
Rekomandimet e OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve lokale të 2015 dhe zgjedhjeve parlamentare të 2017, konsistojnë në depolitizimin e të gjitha komisioneve që administrojnë zgjedhjet, duke hequr komisionerët partiakë, të cilët shishen si rreziku kryesor për zgjedhjet. Gjithashtu, OSBE/ODIHR që të ndalohen filmimet e prodhuara nga partitë politike për aktivitetet zgjedhore, të cilat më pas transmetohen në lajme. OSBE/ODIHR ka rekomanduar rregulla më të forta për regjistrimin e kandidatëve, të mos ushtrohet presion ndaj punonjësve të sektorit publik, adresimin e problemit të shitblerjes së votave, të dhëna të sakta mbi pronësinë e mediave etj.

Ku ndahen palët për reformën zgjedhore

Propozimet e PD
Dekriminalizimi i procesit zgjedhor – Vetting i politikës- pastrimi i Policisë së Shtetit nga lidhjet me krimin

Sistem masash kundër shitblerjes së votës

Financim shtetëror 100% të procesit zgjedhor dhe fushatës së partive

Përdorimi i teknologjive në votim, Identifikim biometrik, votim dhe numërim elektronik

Parashikimet e draftit të PS
Komisioneri jopartiakë të zgjedhur me short nga KQZ

Ndalimi i reklamave politike në media kundrejt pagesës 3 muaj para zgjedhjeve

Shpenzimet e partive nuk duhet të jenë më shumë se sa dyfishi i shumës që marrin nga buxheti i shtetit

Portal nga KQZ për denoncime në lidhje me financimet e fushatës

Personat që i bëjnë dhurime një partie nuk mund të marrin përfitojnë para publike mbi 10 milionë lekë, për një periudhë 3-vjeçare

Rregulla të reja për afishimin e materialeve propagandistike

Kërkesat e partitive të vogla
Ndryshimi i sistemit zgjedhor

Korrektimi i sistemit proporcional rajonal, duke përfshirë korrektimin kombëtar të votave

Votim elektronik dhe numërimin elektronik të votave

Realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve

Transparencë e financimit të partive

Të ulet kostoja e fushatës zgjedhore në mënyrë drastike

Të forcohen ndalimet për financimin dhe të forcohen penalitetet

Garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik

Reduktimi e nominimi i hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore

Ndalim rreptësisht përdorimit të burimeve njerëzore të administratës publike

Disa nga kërkesat e OSBE/ODIHR
Të depolitizohen komisionet zgjedhore

Jo filmime të prodhuara nga partitë politike që transmetohen në lajme.

Të rregullohet çështja e adresave të zgjedhësve.

Rregullat më të forta për regjistrimin e kandidatëve.

Të mos ushtrohet presion ndaj punonjësve të sektorit publik.

Të trajtohet problemi i shitblerjes së votës.

AMA duhet të monitorojë median gjatë dhe ndërmjet zgjedhjeve.

Vëmendje duhet t’i jepet rishikimit të metodologjisë së BMM-së.

Duhet të mendojnë për të fuqizuar transmetuesin publik shtetëror.

Të dhëna të sakta mbi pronësinë e mediave duhet të bëhen publike.

Vëmendje duhet t’i kushtohet rritjes së transparencës në procesin e nxjerrjes së rezultateve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button