Zgjedhjet lokale në Itali, pjesëmarrja tepër e ulët
13 milionë italianë janë thirrur sot në qendrat e votimit për të zgjedhur kryetarë bashkie dhe këshilla komunale në 1.342 komuna italiane.
Votohet për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive në shtatë qytete të rëndësishme: Roma, Torino, Milano, Trieste, Bologna, Napoli dhe Cagliari në Sardegna.
Do të votohet deri në orën 23:00 dhe në rast balotazhi, do te votohet më 19 qershor.
Ky test zgjedhor ka rëndësi për kryeministrin Matteo Renzi dhe Partinë e tij Demokratike e cila ka shënuar rënie të preferencave. Në disa komuna e kryeqëndra, në fushatë janë përfshirë edhe zgjedhësit shqiptarë me të drejtë vote.
Pak ditë më parë në Qendrën e Kulturës Shqiptare në Torino kandidati kryesor Piero Fassino zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar me të cilin edhe herë të tjera ka dëshmuar lidhje të veçantë.
Në Romë skandalet e shumta në administrimin e qytetit mund të çojnë zgjedhësit drejt kandidatëve të Levizjes Pesë Yjet të Peppe Grillos, duke shënuar kështu një kthesë të mundshme në drejtimin e kryeqytetit.
Tani për tani pjesëmarrja nuk ka qenë e lartë dhe pikërisht abstenimi është një prej elementëve që mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e këtyre zgjedhjeve.