Zgjedhjet në Kosovë/ PDK vonoi publikimin e listës, Musliu: Ishte vendim i kryetarit, nuk ka pasur probleme
Në një lidhje live në një studio televizive kandidatja për deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, tregoi arsyen e vonesës së publikimit të emrave të kandidatëve për deputetë të PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Musliut, PDK nuk ka pasur asnjë problem brenda partisë për përpilimin e listës së saj. Ndërkohë, ajo theksoi se ka qenë vendim i vetë kryetarit të PDK-së që lista të publikohej më vonë, ndryshe nga partitë e tjera.
“Nuk kishte asnjë problem dhe nuk kishte asnjë telashe rreth përpilimit të listës së Partisë Demokratike të Kosovës. Po, ka pasur interes të jashtëzakonshëm të kuadrave profesioniste dhe qytetarëve të cilët e kanë gjetur veten brenda Partisë Demokratike dhe kanë menduar që aty mund të jepin kontributin. Dhe normal, kemi shqyrtuar çdo kandidaturë me shumë kujdes dhe me shumë maturi. Por mund ta them me kompetencë të plotë, meqë jam edhe pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, që lista e Partisë Demokratike të Kosovës është votuar me votë anonime, që nënkupton që nuk ka pasur asnjë pakënaqësi rreth përpilimit të listës dhe nuk ka pasur ndonjë arsye për vonesë. Është bërë thjesht, ka qenë vendim i kryetarit që të dalë në atë kohë me listën”, u shpreh ajo.
E pyetur nga gazetarja Esmeralda Mulaj se pse në 110 emra nuk u gjet një vend për Fatmir Limajn, Musliu u shpreh se kandidatura e Fatmir Limajt është e mbyllur dhe se, sipas saj, ka qenë një vendim i drejtë, duke theksuar se është diskutuar me kujdes brenda kryesisë.
“Tani mendoj që çështja e kandidaturës së Fatmir Limës, ose pjesëmarrjes së Fatmir Limës në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës, është proces i mbyllur. Edhe këtë çështje me maturi e kemi trajtuar dhe shqyrtuar brenda kryesisë dhe besoj që ka qenë një vendim i drejtë në aspektin elektoral edhe të kohës kur po zhvillohen këto zgjedhje. Dhe nuk ka ndonjë arsye të veçantë pse Fatmir Limaj nuk është. Mund të them ka qenë vetëm çështje procedurale dhe çështje e menaxhimit më të mirë të kërkesës drejtuar drejt Partisë Demokratike. Nuk kemi dashur që vendimi për futjen e Fatmir Limës në Partinë Demokratike të nënkuptohet si arsye e presionit publik. Është e vërtetë që kemi pasur kërkesa të jashtëzakonshme edhe nga elektorati dhe anëtarësia e Partisë Demokratike të Kosovës, dhe mendoj që këtu ka qenë edhe gabimi, sepse para se të nxirret në ankand, të thosha këtu publik, një kërkesë e tillë do duhej fillimisht t’i adresohej organeve të partisë, kryetarit dhe kryesisë”, u shpreh ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.