Opinion

Zgjedhjet në SHBA dhe bota

Nga:Nabil FAHMY

Zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA nuk do të jenë të një rëndësie të madhe vetëm për Shtetet e Bashkuara, por ato mbartin rëndësi të jashtëzakonshme edhe për fatin e marrëdhënieve strategjike të aktorëve me peshë të skenës globale.

Kandidati i partisë republikane për presidencën në SHBA, Donald Trump, qartazi nuk është zgjedhja e parë e establishmentit të partisë së tij. Edhe kaq pranë zgjedhjeve të 8 nëntorit, disa republikanë të njohur vazhdojnë të refuzojnë ta mbështesin atë në publik dhe nuk ka nevojë të thuhet se demokratët e urrejnë atë. Ai e fitoi nominimin nga partia e tij për shkak se ishte zgjedhja më e famshme mes votuesve republikanë në fazën e parë.

Nga ana tjetër, kandidatja centriste demokrate, Hillary Clinton, është qartazi një kandidate establishmenti. Megjithatë, për të fituar nominimin nga partia e saj, asaj iu desh të luftonte një sfidë të fortë përkundrejt senatorit Bernie Sanders, një socialist i shpallur pikëpamjet politike të të cilit janë më të majta se të sajat dhe mesazhi i të cilit u mirëprit më tepër nga votuesit e rinj në fazën e parë.

Fenomeni Trump dhe Sanders sugjeron se votuesit amerikanë nuk ndihen mirë me zgjedhjet e tradicionale politike. Sipas sondazheve të fundit, Trump dhe Clinton po garojnë me 5 për qind diferencë dhe që të dy kanë norma të pafavorshme historike të larta. Pavarësisht se kush fiton, amerikanët me shumë gjasa do ta zgjedhin presidentin e ardhshëm jo se e pëlqejnë atë zgjedhje, por sepse nuk pëlqejnë alternativën tjetër.

Deri më tani, të dy kandidatët duken se po përqendrohen më pak te alternativat politike dhe më tepër te të metat e karakterit të kundërshtarit: fushata Clinton e përshkruan Trump si pa temperament të duhur, të paditur dhe pa eksperiencë për të qenë president dhe fushata Trump e portretizon Clinton si një oportuniste të korruptuar.

Vetëm amerikanët do ta vendosin rezultatin e zgjedhjeve, por ata duhet të kenë parasysh se një botë e shqetësuar dhe e mëdyshur i ka kthyer sytë nga ajo. Për vëzhguesit e jashtëm, pyetja kryesore nuk është se kush do të zgjidhet, por nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë një lider efektiv global në vitet e ardhshme.

Shumë vende janë me të drejtë të shqetësuara se një administratë Trump do ta shpërfillë kompleksitetin e çështjeve globale dhe në mënyrë të shkujdesur do të shkëpusë aleancat strategjike ekzistuese. Njëkohësisht, pavarësisht se kush fiton, shumë vende gjithashtu i frikësohen një mosveprimi amerikan. A do të vazhdojë SHBA të përqendrohet në menaxhimin afatshkurtër të krizës me një sy nga konsideratat e brendshme? Apo do të miratojë perspektivën globale për të cilën ka nevojë bota e sotme e ndërlidhur?

Qasja “Amerika e para” e Trump është qartazi jashtë çdo konsistence me rolin ndërkombëtar të shtrirjes së lidershipit dhe do ta çonte SHBA-në në një rrugë izolimi. Prirja e Clinton për llogaritje politike sugjeron një preferencë për përfshirje në sfidat globale. Asnjëra nga qasjet nuk është e guximshme apo gjithëpërfshirëse mjaftueshëm për një botë të zhytur në gjakderdhje dhe mungesë stabiliteti, veçanërisht në Lindjen e Mesme, ku konfliktet gëlojnë në Siri dhe Libi dhe tensionet ekzistojnë ende mes Izraelit dhe Palestinës.

Shumë pak persona nga Lindja e Mesme do të thoshin që u mungon administrata e George Ë. Bush dhe ne vazhdojmë ta paguajmë rëndë pushtimin shkatërrimtar të vitit 2003 të Irakut. Por po aq pak persona e duartrokasin ende presidencin Barack Obama, arritjet e të cilit në politikanën e jashtme në rajon nuk i përmbushën idealet dhe pritshmëritë që ai vuri në fjalimin e tij të parë dhe atë pasardhësin në Kajro në qershor 2009.

Presidenti i ardhshëm i SHBA do të duhet të hartojë zgjidhje ambicioze jo vetëm për sfidat në Lindjen e Mesme, por edhe për çështjet që prekin të gjithë planetin, përfshirë ndryshimin klimatik, varfërinë, epidemitë, terrorizmin, rezervat bërthamore dhe konfliktet rajonale thuajse në çdo kontinent. Ai apo ajo, mund të marrin pjesë edhe në reformimin e institucioneve ndërkombëtare kyçe, si Kombet e Bashkuara që kanë drejtuar qeverisjen globale që nga Lufta e Dytë Botërore – dhe do të përballet me një rend botëror në të cilën aktorët jo-shtetërorë mund të luajnë rol po aq të rëndësishëm sa shtetet tradicionale.

Presidenti i ardhshëm do të ketë gjithashtu mundësi të mëdha të nxisë teknologjitë e reja të jenë në përdorim të të gjithë njerëzve. Por, ashtu si siguria, progresi teknologjik dhe ekonomik është i qëndrueshëm vetëm me përfshirje aktive të pjesëtarëve të rëndësishëm ndërkombëtarë si SHBA, që vazhdon të ketë ekonominë dhe ushtrinë më të fortë.

Liderët botërorë që do të marrin pjesë në sesionin e 71 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB do të kenë një mundësi të njihen me Trump dhe Clinton dhe me këshilltarët më të lartë të kandidatëve. Bashkë me presidentin e vendit tim, Abdel Fattah el-Sisi, i kam takuar personalisht të dy kandidatët dhe parashikoj se liderët e huaj do të largohen nga këto takime më pak të alarmuar, por ende të paqetë.

Për t’u përballur me demonët e të shkuarës dhe të tashmes dhe për të ndërtuar një rend botëror më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, anëtarët e komunitetit ndërkombëtar duhet të ndërveprojnë me njëri-tjetrin, edhe kur kanë pikëpamje të ndryshme për çështje të caktuara. SHBA-ja nuk duhet – dhe nuk mundet – të tërhiqet nga skena botërore drejt izolimit apo të lejojë që vendimet strategjike globale të errësohen nga interesat politike vendase.

Teksa ne vëzhguesit e jashtëm presim për zgjedhja e presidentit të ardhshëm amerikan, vetëm mund të shpresojmë se ai apo ajo do të vendosin një shembull respekti dhe angazhimi nga ana e vendit të tyre dhe të sjellin lidership të matur dhe të guximshëm në skenën globale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button