Rajoni

A do të fitojë Gjukanovici apo Putini nesër në Mal të Zi

Nesër qytetarët e Malit te Zi do t’iu drejtohen kutive të votimit. Në garë janë partitë proeuropiane, të udhehequa nga Kryeministri Millo Gjukanoviq dhe forcat proruse që drejtohën nga i ashtuquajturi Fronti Demokratik i Andrija Mandiqit. Sigurisht, shqiptarët e kanë të qartë se kënd duhet ta votojnë nesër.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës së 16 tetorit 2016 në Mal të Zi, shqiptarët i gjejnë më të bashkuar se asnjëherë më parë.

Katër subjektet politike shqiptare të bashkuar në koalicionin e madh shqiptar me moton “Me një qëllim”, do të sfidojnë partitë malazeze dhe ato serbe, me qëllimin e vetëm, për sigurimin e sa më shumë vendeve në Parlamentin e Malit të Zi, për t’u bërë zë i fuqishëm i shqiptarëve në këtë shtet.

Pjesë e këtij koalicioni janë këto katër subjekte; Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Iniciativa Qytetare dhe Lëvizja qytetare “Perspektiva”.

Qëllimi i këtij koalicioni të madh shqiptar është mbrojtja dhe avancimi i të drejtave shqiptarëve në Mal të Zi, siç janë; zyrtarizmi i gjuhës shqipe në të gjitha territoret e banuara me shqiptar, përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, hapja e një Universiteti në gjuhën shqipe, si dhe realizimin e shumë objektivave tjera, që për synim kanë krijimin e kushteve për jetë të barabartë me të gjithë qytetarët e Malit të Zi, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë diskriminimit politik që u është bërë shqiptarëve nga qeveritë paraprake.

Kurse, në garë për këto zgjedhje është edhe  kryeministri Millo Gjukanoviq, i cili ditë më parë kishte thënë se grupi i liderëve partiakë të bashkuar rreth Frontit të koalicionit, me sasi të madhe të parave të marra nga Rusia përmes kanaleve sekrete, tentojnë të ndikojnë në rezultatet nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi.

“Ekzistojnë njerëz të cilët janë të gatshëm për një shumë të vogël parash të luajnë me interesat kombëtare, që është e papërgjegjshme, jopatriotike dhe jodinjitoze”, deklaroi kryeministri malazez,

Ai kishte thënë se gjeneratat e paraardhësve të popullit malazez edhe pse kanë jetuar në varfëri, nuk i kanë shitur interesat shtetërore.

Të drejtë vote në zgjedhje kanë 528.817 qytetarë të Malit të Zi, të cilët do të përcaktohen për njërën nga 17 listat.

1207 qendrat e votimit, aq sa janë në Mal të Zi, do të hapen nesër në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 20:00 Zgjedhjet do të mbikëqyren nga 1.400 vëzhgues të Qendrës për Monitorim (CEMI), si dhe vëzhgues nga OSBE-ja.

Përveç zgjedhjeve parlamentare, më 16 tetor do të mbahen edhe zgjedhjet lokale në katër komuna malazeze. Bëhet fjalë për Kotorin, Budvën, Andrijevicën dhe Gucinë. Për zgjedhjet në Kotor janë parashtruar 12 lista, në Budvë 10 lista. Në Guci janë dorëzuar 8 lista, dhe në Andrijevicë 7.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button