Bota

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe rëndësia e tyre

Pas tre javësh, evropianët do të votojnë për Parlamentin e ri Evropian, por lufta e vërtetë për pushtet do të fillojë pas numërimit të votave.

Ja pse.

KUSH VOTON DHE PËR ÇFARË?

Më shumë se 400 milionë njerëz në 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të votojnë në datat 23-26 maj, duke përfshirë edhe afro 50 milionë britanikë që duhej të largoheshin nga blloku në mars të këtij viti. Votimi për 73 ligjvënës të cilët mund të duhet të lënë postet e tyre

brenda disa javësh, ka shkaktuar pakanëqësi pas vonesave për arritjen e një marrëveshje për Brexit-in.

Nga përfaqësimi proporcional, evropianët do të zgjedhin 751 anëtarë të Parlamentit Europian, që do të ndajnë kohën e tyre mes Brukselit dhe Strasburgut. Duke filluar nga Luksemburgu, Malta dhe Qipro me nga gjashtë vende secila, deri te Gjermania me 96 vende. Deputetët e rinjë të Parlamentit Evropian me mandat pesë vjeçar do të shqyrtojnë dhe miratojnë ligje të propozuar nga Komisioni Evropian, të cilat më pas gjithashtu do të duhet të miratohen nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së.

CILAT JANË ÇËSHTJET KRYESORE?

Disa nga çështjet më të debatueshme janë shpenzimet, edhe pse buxheti i BE-së është vetëm 1 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të vendeve anëtare, ndryshimet klimatike dhe të drejtat e punës. Por disa që duan shpërbërjen e BE-së, e shohin atë si një referendum të stilit të Brexit-it për mbijetesën e BE-së, dhe po mbështesin rikthimin e modelit historik

të vendeve me bazë etnike, kundër idesë së sovranitetit të përbashkët, për të mbrojtur pasurinë dhe vlerat e Evropës në një botë të fuqive autoritare në rritje dhe të korporatave globale. Në mes të këtij debati të ashpër janë vënë refugjatët.

Nacionalistët fajësojnë BE-në për një rritje të numrit të refugjatëve në vitin 2015. Federalistët thonë se vetëm bashkëpunimi mund të kontrollojë imigracionin. Udhëheqës të disa shteteve lindore, si Hungaria dhe Polonia po kritikojnë Brukselin për politikat ndaj emigrantëve dhe ankesat e tyre se po minojnë rregullat e BE-së mbi demokracinë në Varshavë dhe Budapest. Ndërsa, disa politikanë perëndimorë kanë bërë thirrje për uljen e subvencioneve të tyre në BE në shenjë hakmarrjeje ndaj veprimeve të Budapestit dhe Varshavës.

Zgjedhjet në Britani shihen nga disa si referendum i ri për Brexit-in, që mund të ndihmojë në bllokimin e shkëputjes, ose ta përshpejtojë atë, ndërsa britanikët vazhdojnë të debatojnë se si dhe nëse duhet të shkëputen nga Bashkimi Evropian.

A KA PARTI POLITIKE TË BE-SË?

Po dhe jo. Tetë grupime partiake janë të përfaqësuara në Parlamentin Evropian. Partia Popullore Evropiane (EPP), një parti e qendrës së djathtë, që ka 217 vende dhe siguron një shumicë të thjeshtë duke bashkëpunuar shpesh me Socialistët dhe Demokratët e qendrës së majtë (S & D – me 186 vende) si dhe liberalët e ALDE-s (që kanë 68 vende). Dy grupime të krahut të djathtë, anti-BE, të udhëhequr nga partia UKIP e Britanisë dhe Partia e Bashkuar Kombëtare e Francës së bashkua kanë 78 vende në Parlamentin Evropian.

Por të gjitha grupimet janë të paqëndrueshme dhe zgjedhjet e BE-së janë kryesisht të kontestuara nga partitë kombëtare në vendet anëtare përkatëse për çështje të njohura për votuesit e tyre.

A ËSHTË BRITANIA NJË PROBLEM?

Disa zyrtarë të BE-së thonë se mund të ketë një vonesë në miratimin e emërimeve kyçe pas zgjedhjeve, deri pas largimit të deputetëve britanikë, për të shmangur akuzat se vendimeve të parlamentit do t’i mungonte legjitimiteti.

Votimi i ligjvënësve britanikë do të favorizonte euroskeptikët, socialistët dhe të Gjelbrit, por do të dëmtonte Partinë Popullore Evropiane, e cila nuk ka anëtarë nga Britania që nga koha kur konservatorët në pushtet braktisën grupin për të formuar bllokun e tyre. Duke marrë pjesë në zgjedhje, Britania e ka detyruar BE-në të shtyjë rishpërndarjen e 27 nga 73 vendet që tani i takojnë Britanisë. Franca, për shembull, do të zgjedhë 79 deputetë, pesë më shumë sesa ka tani, por ata pesë deputetë nuk do të jenë në gjendje të fillojnë punën deri pas shkëputjes së Britanisë dhe pasi parlamenti të zvogëlohet me 46 anëtarë (nga 751 në 705 deputetë).

A MERR FITUESI DREJTIMIN E BE-SË?

Kjo nuk është shumë e qartë. Udhëheqësit e parlamentit thonë se ata janë zemra e demokracisë evropiane. Udhëheqësit kombëtarë të vendeve

anëtare tallen me pjesëmarrjen e ulët prej 43 për qind në zgjedhjet e BE-së në vitin 2014. Në realitet, shtetet kanë më shumë pushtet dhe pothuajse asgjë nuk ndodh pa pëlqimin e qeverive kombëtare.

Komisioni ekzekutiv i BE-së udhëhiqet nga ish kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker. Lufta historike për pushtet mes Parlamentit dhe këshillit evropian pritet të jetë pjesë e fushatës së zgjedhjeve të majit.

Parlamenti është zotuar se do të detyrojë Këshillin Evropian që pasardhësi i Juncker-it të jetë një kandidat nga një parti fituese. Udhëheqës të vendeve anëtare të BE-së, si Presidenti francez Emmanuel Macron thonë se ata nuk do të jenë të detyruar ta respektojnë këtë kërkesë. Parlamenti Evropian mund të refuzojë kandidatin për President të Komisionit të Këshillit.

ÇFARË ËSHTË BE-ja NË TË VËRTETË?

Është një pyetje e vështirë që kërkon një përgjigje të komplikuar. Por votimi dhe kandidatët kryesorë janë pjesë e tregtisë mes qeverive të forta për të vendosur në pozita të larta bashkëvendasit e tyre ose aleatët e tyre, jo vetëm në Komisionet e ndryshme Evropiane por edhe në Bankën Qendrore Evropiane.’

Gjermania dhe Franca, dy shtetet më të mëdha, kanë një rol më të madh në këtë betejë, por edhe vendet më të vogla luajnë rol të rëndësishëm. Juncker është udhëheqësi i tretë ekzekutiv i BE-së nga Luksemburgu, një vend i vogël anëtar i BE-së.

ÇFARË NDRYSHIME MUND TË SJELLIN ZGJEDHJET?

Një shtytje nga eurokeptikët mund të krijojë një pakicë më të fortë që mund të shkaktojë pengesa në procesin legjislativ të BE-së. Por, optimistët e BE-së thonë se një fushatë që tërheqë më shumë vëmendjen e njerëzve mund të ringjallë përpjekjet pas Brexit-it për të forcuar unitetin në BE.

Sondazhet tregojnë se e djathta ekstreme mund të rrisë numrin e deputetëve të saj, por ndoshta përparimi i tyre nuk do të jetë i mjaftueshëm për të goditur këmbanat e vdekjes së BE-së. Duket se asnjëra palë nuk do të mund të shënojë një fitore të thellë në këto zgjedhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button