Zgjedhjet, sfida e vështirë e Bashës për bashkimin e PD-së
Në Gjirokastër kontestohet Bejko, dorëhiqet kryetarja e Forumit të Gruas
Vetëm pak ditë nga njëvjetori i ndërrimit të drejtimit të Partisë Demokratike, ristrukturimi i partisë më të madhe të opozitës mbetet një proces jashtë normalitetit. Kjo pasi zgjedhjet në PD po shoqërohen çdo ditë dhe më shumë me incidente për garën e brendshme mes njerëzve që gëzojnë mbështetjen e kryetarit Lulzim Basha dhe atyre të moderuar, por që nuk e kanë këtë mbështetje nga qendra. Edhe pse kreu i PD-së trumbeton për një bashkim të demokratëve për një ringritje sa më të shpejtë, dhe se nuk ka preferencë për askënd që garon në këto zgjedhje, akuzat e anëtarësisë në bazë pohojnë të kundërtën, ku sipas tyre mësohet se shumë nga fituesit janë njerëz që gëzojnë mbështetjen e vetë Bashës dhe se votimi është manipuluar hera-herës. Pas problemeve që shoqëruan zgjedhjet në Mat, Elbasan, Sarandë, Vlorë, Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër, së fundmi në Gjirokastër, tashmë lufta e bërrylave zbriti dje edhe në Berat.
Problemet në Gjirokastër
Një ditë pas zgjedhjes së Roland Bejkos në krye të PD-së në Gjirokastër me vetëm 6 vota diferencë nga kandidati i tij më i fortë, Shemsho Lamaj, ky i fundit akuzoi dje se ka qenë një proces i manipuluar. Lamaj në një prononcim për “A1 Report” u shpreh se gara mes tij dhe Bejkos për shkak të diferencës prej vetëm 6 votash, në të vërtetë është në balotazh, pavarësisht manipulimeve. Më tej, Lamaj deklaroi se nuk e njeh legjitimitetin e kreut aktual të PD-së në Gjirokastër. Ditën e djeshme dhe një ditë pas zgjedhjeve kanë dhënë dorëheqjen nga kjo forcë politike, Kryetarja e Forumit të Gruas, Alije Kokalari dhe kryetarja e Forumit Rinor, Buljana Karagjozi. Ish-kryetarja e këtij forumi u shpreh se shkak për dorëheqjen janë bërë presionet e shumta karshi saj, lidhur me këtë proces. “Unë nuk lejoj që askush nga çdo anë, nga çdo klasë, nga çdo grup që të jetë, që të prekë dinjitetin dhe nderin tim dhe të familjes time. Kam pasur presione nga delegatë, edhe anëtarë kryesie. Kam pasur ofendime dhe fyerje nga ana e tyre të cilat për mua janë të padurueshme”, tha dje Kokalari. Por Basha nga Gjirokastra ka deklaruar se do të ketë “tolerancë dhe mirëkuptim zero për gjithçka që çon në përçarjen e PD. Anëtarësimi masiv i rinisë në PD tregon se ata kanë besim dhe kjo na çon drejt fitores së afërt. Kemi lindur si parti e qytetëruar dhe do të mbetemi e tillë”.
Zgjedhjet në Berat
Edhe në zgjedhjet për kreun e ri të PD-së në Berat sërish u shfaqën të njëjtat probleme që shoqëruan dhe rrethet e tjera, ku kandidatët që merrnin pjesë në këtë garë detyroheshin të tërhiqeshin, ose tërheqja e tyre bëhej pa ndonjë arsye të kuptueshme. Kjo pasi në garën për kreun e degës së PD-së Berat, kandidati dhe ish-deputeti i këtij qarku Lefter Maliqi përmes faqes së tij zyrtare në Facebook akuzoi organizatorët se emri i tij ishte hequr nga lista e kandidatëve për kreun e PD-së së këtij qyteti me pretendimin e se ai ishte shpallur tashmë kryetar i PD-së në Komunën Otllak. “Ka informacion që emri im nuk është në listën e kandidatëve për kryetar të PD-së dega Berat, për shkak se jam zgjedhur kryetar i grupseksionit të PD-së Komuna Otllak dhe nuk lejohet. Ju lutem procesi të vazhdojë i rregullt, duhet të bashkëpunojmë për interesin e përbashkët, fitoren e PD-së në Berat dhe në gjithë vendin”, theksoi dje Maliqi. Por, vetëm pak orë nga ky njoftim, ish-deputeti bën me dije dhe tërheqjen e tij nga kjo garë ku garonin 14 kandidatë: Albert Verria, Afize Skëndo, Agron Mahmutaj, Bujar Hoxhaj, Ethem Mahmutaj, Gazment Azizi, Gentian Zëre, Gentian Mishova, Namir Lapardhaja, Lefter Maliqi, Kostandin Lefta, Ilir Gavelli, Oltion Merdari dhe Shaqo Merkaj. “Bëra zgjedhjen më të mirë për të mbajtur postin e kryetarit të grupseksionit të Otllakut, duke dhënë shembull në komunën më të madhe të Qarkut Berat. Do jem krah mbështetës i kryetarit të ri të degës së PD-së Berat, nuk njoh tërheqje as humbje, vazhdoj betejat e tjera më me kurajë. Respekte e mirënjohje të gjithëve”, u shpreh Lefter Maliqi. Ndërkohë, anëtarë të PD-së në Berat duke komentuar zgjedhjet e djeshme në këtë qytet, theksuan se çdo gjë është e paracaktuar. Pasi sipas tyre nuk ka mundësi që tërheqja e një kandidati për kthehet menjëherë në mbështetje të rivalit të tij. “Edhe pse janë brenda PD-së, këta kandidatë nuk mund të dalin kaq shpejt dhe pas asnjë shpjegim të qartë se kush është arsyeja që tërhiqen nga gara, dhe kryesorja menjëherë pas tërheqjes, shprehen në krah të rivalit. Këto janë probleme që kanë të bëjnë me mos demokratizimin, autokracinë”, thanë burime pranë PD-së në Berat.
Strukturat
Rinovimi i PD-së, proces
i tejzgjatur tetëmujor
I gjithë procesi zgjedhor në Partinë Demokratike ka nisur në dhjetor të vitit 2013 kur Basha hartoi të gjithë strategjinë për të marrë nën kontroll partinë. Në fillim të vitit 2014, ai përzgjodhi koordinatorët e PD-së në rrethe të cilët bënë edhe spastrimin e anëtarësisë nga persona fiktivë, si edhe futën mbështetës në këto lista, të cilët kanë përzgjedhur krerët e rinj të seksioneve dhe grupseksioneve. Pas tre muajsh proces, Basha hapi garën e zgjedhjeve në Tiranë. Fillimisht nisi edhe në kryeqytet spastrimin e anëtarësisë dhe më pas futjen e personave të rinj në radhët e PD-së, proces ky që vijon. Por në momentin kur hapi garën për Tiranën dhe nxori udhëzuesin e dytë, klima politike në vend kaloi në një ashpërsim të madh, ndërsa zgjedhjet në struktura vijuan normalisht. Duke përfituar nga takimet në kuadër të protestave, Basha ka bërë edhe manovrimet e fundit në strukturat e partisë në rrethe, duke nxjerrë jashtë lojë të gjithë senatorët e partisë të cilët gëzonin një farë përkrahjeje nga baza. Pas kësaj, në të gjithë vendin nisën zgjedhjet për krerët e degëve të PD-së, proces i cili po bëhet nga delegatët e zgjedhur nga Basha, që nënkupton që edhe krerët e rinj në degët e partisë janë sërish njerëz të tij. Shqetësimi për këtë tejzgjatje të këtij procesi erdhi dhe nga vetë lideri historik i PD-së, Berisha. Por qytetet e mëdha mbeten tabuja e Bashës, pasi procesi në dukje i qetë, po vlon nga klanet dhe grupimet, për të cilat kryedemokrati me “qetësinë olimpike” në dukje po synon t’ia presë lidhjet me bazën. Jashtë procesit është lënë Topalli, Bode, Doda, emra që kanë pasur ndikim dhe peshë në PD.
HERION MESI