Politika

Zgjedhjet-Tavo: Vijojnë negociatat për kandidatët; do përzgjidhen përfaqësuesit më të mirë të së majtës

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, pohoi sot vazhdimin e negociatave mes dy liderëve të koalicionit të majtë qeverisës, për kandidatët që do të konkurojnë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

vangjel-tavoTavo thotë se dy forcat politike aleate, PS dhe LSI, synojnë që kandidatët e përzgjedhur të jenë të përgjegjshëm dhe që do të përfaqësojnë më së miri të majtën shqiptare. Deputeti i LSI-së sqaron gjithashtu se nuk do të jetë kandidat për kryebashkiak në Gjirokastër.
“Është në vazhdimësi procesi i negociatave, nuk janë vendosur akoma kandidatët, por me një përzgjedhje të përgjegjshme besoj shumë se do të zgjedhim njerëzit më të mirë e përfaqësues të së majtës shqiptare”, tha deputeti Tavo në një intervistë televizive, paraditen e së shtunës.
Sipas tij, bisedimet janë në kohën e duhur dhe se nuk ka vonesa në përcaktimin e emrave të kandidatëve për pushtetin lokal në të 12 qarqet e vendit. Po ashtu, Tavo tha se në këto bisedime e majta nuk synon të ndajë zona, por të gjejë kandidatët, të cilët kur të vendoset që do të konkurojnë, të jenë të përgjegjshëm.
“Nuk do ketë një ndarje të mirëfilltë të zonave elektorale, siç ka ndodhur më parë, por një ndarje përmes kandidatëve të përgjegjshëm që e majta shqiptare do të zgjedhë për ta përfaqësuar. Nuk ka ndarje zonash, por do të ketë ndarje përgjegjësish. Zgjedhja e kandidatëve të përgjegjshëm do të ishte një veprim i matur e i studjuar për të gjetur njerëzit më përfaqësues të së majtës që do i japin asaj fitoren në pjesën më të madhe të bashkive”, u shpreh Tavo.
I pyetur nëse ai mund të jetë një kandidaturë e mundshme për postin e kryebashkiakut të Gjirokatrës, ku ai është deputet prej katër legjislaturash, Tavo e mohoi kategorisht këtë mundësi, duke deklaruar se do ta çojë deri në fund mandatin e tij si anëtar i parlamentit shqiptar.
“Unë kam marrë një mandat në qarkun e Gjirokastrës, të cilin do e çoj deri në fund se i jam zotuar elektoratit tim. Nuk jam i predispozuar të ndërpres mandatin e deputetit”, tha Tavo.
I pyetur për vendimin e Gjykatës Administrative, që pezullon testimin e infermierëve, Tavo u përgjigj se e vlerëson vendimin e Ministrit të Shëndetësisë për të respektuar vendimin e Gjykatës, deri në shqyrtimin e kësaj çështje me themel.
“E kam kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të testuar bluzat e bardha dhe kam qënë gjithmonë në krah të mjekëve e infermierëve. Por, në këtë rast vlerësoj qëndrimin e ministrit Beqaj për të respektuar vendimin e Gjykatës Administrative”, u shpreh deputeti Tavo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button