Zgjedhjet vendore 2027/ Begaj pret Ballën dhe PSD në Pallatin e Brigadave, PD refuzon ftesën
Presidenti Bajram Begaj ka nisur konsultimet me përfaqësuesit e partive parlamentare për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Takimi i parë u zhvillua me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili mbërriti në Pallatin e Brigadave rreth orës 09:00.
Pas përfundimit të takimit, konsultimet kanë vijuar në orën 11:00 me përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit. Ndërkohë, disa nga forcat e tjera politike parlamentare kanë refuzuar ftesën e Presidentit, duke e cilësuar procesin si një “show politik” dhe jo si një konsultim real.
Zgjedhjet vendore të ardhshme pritet të zhvillohen në periudhën 15 prill–15 maj 2027. Deri më tani, asnjë prej forcave politike nuk ka propozuar një datë konkrete për mbajtjen e tyre.
Sipas gazetares Rugova Dunisha, një prej datave që përmendet si mundësi është 9 maji, pasi 2 maji përkon me Pashkët Ortodokse. Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon Presidentit të Republikës, i cili duhet të përcaktojë datën përmes dekretit përkatës brenda afatit kushtetues.
Partia Socialiste ka konfirmuar pjesëmarrjen në konsultime. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar më herët se takimet me partitë politike janë një procedurë e zakonshme që ndiqet nga çdo President për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Në krahun tjetër, Partia Demokratike ka refuzuar për të dytën herë ftesën e Begajt. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi procesin si “teatër politik”, duke pretenduar se data e zgjedhjeve është e paracaktuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas opozitës, Presidenti duhet të fokusohet te situata politike në vend, protestat dhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët, në vend që të zhvillojë konsultime që PD i konsideron formale.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.