Zhbllokimi i Veriut me buldozher diplomaci – Kurti fali barrikaduesit, Vuçiq shpalli fitore
BE, SHBA dhe NATO iu dhanë disa garanci të rëndësishme dje serbëve në Veri për t’i bindur që t’i heqin barrikadat. KFOR’i i qetësoi duke thënë se mund t’i konsultojë ata rreth shkuarjes së FSK’së në Veri, ndërsa Uashingtoni e Brukseli i njohën barikaduesit si protestues paqësor. Kurti, në kundërshtim me ato që kishte thënë publikisht për barrikadat, garantoi se s’ka lista për arrestime në Veri. Me këto veprime dhe lënien e ish -policit Dejan Pantiq të akuzuar për terrorizëm në arrest shtëpiak, Vuçiq u bind të nisë heqjen e kamionëve -barrikada në ditën e 19 të vendosjes së tye. Kurti e Vuçiq duket se vetëm u pajtuan me komunikatat e ndërkombëtarëve që u dukën si vendime.
Kjo ishte vetëm barrikada e radhës që u ishte shtuar të tjerave që ishin vendosur prej gati tri javësh. Ato u shtuan dita-ditës. Barrikada e vendosur në anën serbe të kufirit shkaktoi tashmë më shumë rrugë me më shumë pritje për mërgimtarët.
“Në përputhje me vlerësimet e sigurisë, ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shteron me shpejtësi”, tha Kurti.
Në të njëjtën kohë, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që në fillim të vendosjes së barrikadave e kishte kush krijimin e Asociacionit për heqjen e tyre, i bëri disa manovra me ushtri dy kilometra pranë kufirit me Kosovën, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq tha se Beogradi “është i gatshëm për marrëveshje”, por shtoi se ushtria serbe është edhe “e gatshme për të kryer çdo detyrë”.
“Shpresoj që askush të mos testojë nëse kjo është e vërtetë”, tha ai.
Ish-polici serb i Kosovës, Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm terrorist ndaj institucioneve, u lirua dje për t’u lënë në arrest shtëpiak. Prokurori special, Afrim Shefkiu kërkoi zbutjen e masës së sigurisë ndaj tij dhe kjo u aprovua me vendim të gjyqtarit te procedurës paraprake Mentor Bajraktari. Kjo, publikisht u duk se e habiti shumë Kurtin, i cili foli në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
“Kur ke akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak… Unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që kërkon arrest shtëpiak e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, tha Kurti para gazetarëve.
Pas drekës, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën me një deklaratë të përbashkët, pas së cilës Vuçiq tregoi publikisht se është pajtuar që barrikadat të hiqen.
“Ne po punojmë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për t’i zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale”, thanë BE-ja dhe SHBA-ja në deklaratën e publikuar nga zëvendës zëdhënësi kryesor i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel dhe zëdhënëses e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Nabila Massrali.
Pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe në kazermën e ushtrisë së Serbisë në Rashkë, Vuçiq në mbrëmje e dha lajmin: “Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”.
Ai takoi përfaqësuesit e serbëve nga Kosova mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Pas takimit, Vuçiq lexoi konkluzionin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, lidhur me heqjen e barrikadave.
Kurti iu tha ministrave se do t’i arrestojnë kriminelët e veriut, ndërsa BE-në e SHBA-në e garantoi se s’ka asnjë listë për arrestime
Kryeministri Albin Kurti mundi t’i përshkruante edhe në tipare fizike ata që i ngritën barrikadat në veri të vendit. Kurtit, barrikaduesit ia kujtuan Drazha Mihailoviqin, serbin që i kishte organizuar grupet çetnike gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore.
“Këto barrikada nuk janë barrikadat e protestave studentore të 68-ës në Paris. Këto janë barrikadat e njerëzve që janë me uniforma të errëta, janë tullacë, me mjekër, duke e imituar Drazha Mihailoviqin”, tha Kurti në fillim të kësaj jave, në një intervistë për mediumin boshnjak.
Të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se “institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata”.
“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve e vendimeve të ligjshme të qeverisë e institucioneve të Kosovës i janë kundërvënë kriminelët, duke sfiduar organet e zbatimit të ligjit por edhe duke cenuar sigurinë në vend. Fatkeqësisht, këta kriminelë, të sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga Presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveçse cenimin e integritetit territorial të Republikës sonë”, deklaroi Kurti.
Befasisht, brenda ditës u mësua se Kurti i garantoi BE-në dhe SHBA-në se këta kriminelë që i përshkruante si vrasës potencialë dhe të gatshëm për të qëlluar mbi ata që do t’u afroheshin, nuk do të arrestohen nga institucionet e Kosovës.
“Mirëpresim garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore”, u tha në deklaratën e përbashkët të BE-së dhe SHBA-së.
Në të njëjtën kohë, BE-ja dhe SHBA-ja thanë se “sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”.
Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill tha se do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe. “Tani pyetja nuk është se a bëhet apo jo Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por si do të funksionojë dhe si do të zbatohet ai”, tha Hill.
Në deklaratën e ndërkombëtarëve u theksua edhe njëherë se “të gjitha detyrimet e dialogut duhet të zbatohen plotësisht pa vonesë”.
Kurti nuk foli më, por zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, në një intervistë për një medium lokal serb, u shpreh tejet i gëzuar për këtë marrëveshje.
“Unë jam shumë optimist se barrikadat do të hiqen sot dhe nesër dhe se njerëzit do të kenë arsye për të festuar”, tha Bislimi të mërkurën për “Radio Kim”.
Ai tha se askush nuk dëshiron konflikte dhe ua uroi serbëve Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.
Nuk ishte nje duel por ishte nje situate intriguese e krijuar nga ana e Serbise por Kosova e perballoi me sukses kete sfide.Nje merite te padiskutueshme ka Albin Kurti dhe nderkombetaret.