Zhdukja e 12 mijë kallëpeve tritol
12 mijë kallëpe tritoli 200 gramësh si dhe materiale të tjera ushtarake janë zhdukur nga magazinat ushtarake të fshatit Nuaj të Krujës. Dëmi llogaritet rreth 200 milionë lekë.
Ky zbulim alarmant është bërë publik mbrëmjen e së premtes nga Prokuroria e Krujës, e cila nuk ka thënë se si është bërë e mundur nxjerrja e kësaj lënde në sasi kaq të mëdha dhe nga ambiente ushtarake të sigurisë së lartë.
Megjithatë, Policia Ushtarake ka arrestuar Adem Hasanin, me gradë tetar, i cili ishte përgjegjës i magazinës së armatimit në fshatin Nuaj, Krujë. Ai dyshohet për ‘shpërdorim të detyrës’ të parashikuar nga neni 70/1 të Kodit Penal Ushtarak.
Me anë të një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme tha se dyshon që lënda plasëse mund të jetë shitur për shpërthimet në guroret e zonës, por edhe për veprime me qëllime terroriste në qytetin e Krujës, në rajone të tjera të vendit, por edhe jashtë territorit të Shqipërisë.
“Për shkak të akteve të shtuara të atentateve me lëndë plasëse në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës, Prokuroria e këtij qyteti ka ndërmarrë hetime të gjithanshme për të zbuluar origjinën dhe itinerarin e tritolit që është përdorur në shpërthime kundër bizneseve, shtëpive banimi dhe ambienteve të tjera private. Prokuroria e Krujës konstaton se municioni që mungon në inventarin e magazinës, si fishekë, kallëpe tritoli, lëndë plasëse, djegore, e të tjera, janë të një karakteri sensitiv, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha”. Sipas Prokurorisë këto lëndë luftarake bien në duart e personave me precedent penalë, apo organizatave me karakter kriminal, krijojnë rrezikshmëri të lartë shoqërore. Burime nga Prokuroria thanë se hetimi ka nisur pas disa informacioneve se lënda plasëse e përdorur kryesisht në shpërthimet e shumta të ndodhura në Krujë, vinte nga magazinat ushtarake në fshatin Nuaj.
Prokuroria ka kërkuar nga Policia Ushtarake kryerjen e një inventarizimi në këtë magazinë, e pas kësaj është konstatuar mungesa e 2400 kg tritol dhe municione të tjera ushtarake.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes thotë se denoncimi është bërë më herët nga ky dikaster, pas një kontrolli të kryer me urdhër të ministres Kodheli në fillim të muajit nëntor.
Bëhet e ditur se hetimet po vijojnë për të zbuluar skemën e plotë të zhdukjes së materialit ushtarak, si edhe persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë situatë.
Por kjo nuk është hera e parë që materiale ushtarake vidhen nga ata që kanë për detyre t’i ruajnë ato. Gjate muajit maj të këtij viti 96 kilogramë eksploziv C4 u sekuestruan në Tiranë, e cila kishte dalë nga depot e ushtrisë shqiptare dhe Policia e Tiranës vuri në pranga katër ushtarakë. Edhe në këtë rast, policia ngriti dyshimet se sasia e eksplozivit ishte shitur për aktivitete kriminale ose në gurore