Zhvillimi ekonomik, përfundon programi veror me Universitetin e Harvardit
U mbyll këtë të enjte programi veror i studentëve master të Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillim në Universitetin e Harvardit.
Ky është viti i dytë që ekspertët e rinj vijnë në Shqipëri për t’u angazhuar në studime të thella kërkimore dhe analiza për sektorët kryesorë të ekonomisë, me një kontribut të rëndësishëm në eksporte.
Programi i Universitetit të Harvardit me qeverinë shqiptare është koordinuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ka angazhuar disa ministri dhe stafet e tyre, sipas fushave përkatese të projekteve.
Këtë vit u punua në 8 drejtime kryesore si turizmi, zonat ekonomike, investimet e huaja, energjia, të ardhurat, diaspora, integrimi rajonal dhe bujqësia.
Ministri Arben Ahmetaj e vleresoi punën e bërë duke sjellë rastet që u kthyen në shembuj suksesi dhe model të ri bashkëpunimi mes qeverisë dhe sipërmarrjes si manifaktura, bujqësia, turizmi, plastika, etj.
Ministri renditi konstatimet kryesore nga studimet e bëra gjatë 10 javëve të qëndrimit në Shqipëri të studentëve nga Harvardi.
Ai theksoi se mundësitë dhe sfidat e rritjes ekonomike qëndrojnë tek njohuritë dhe dijet e investuara në ekonomi dhe nga ana tjetër, tek diversifikimi i bazës së sektorëve që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm, eksporte dhe investime të huaja direkte.