Zvërneci, Rama sjell rastin e “Ria Formosa”: Boll i kemi paguar haraç budallallëkut tonë 100 vite!
Në vazhdën e spekulimeve, teorive konspirative dhe protestave qytetarë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec, kryeministri Edi Rama ka ndarë foto nga “Ria Formosa”.
Rama thotë se “pak dekada më parë, Algarve ishte një rajon periferik, me ekonomi të mbështetur kryesisht tek bujqësia dhe peshkimi, me të ardhura të ulëta dhe emigracion të lartë. Në vend që të ndiqte modelin e turizmit masiv me vlerë të ulët, Portugalia bëri një zgjedhje strategjike: investoi tek turizmi luksoz dhe me vlerë të lartë”.
Më tej kreu i qeverisë shkruan se “Ria Formosa” është një resort në jug të Portugalisë dhe është një ndër lagunat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh unik me flamingo, shpendë migratorë, ishuj ranorë, dunat bregdetare dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm.
Duke ndarë foto të resortit në rrjetet sociale, Rama shprehet se natyra dhe investimet për turizmin, mund të bashkëjetojnë në një mënyrë perfekte.
“Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shumëkush e paraqet debatin si një zgjedhje të detyrueshme mes natyrës dhe ekonomisë. Por ka vende që tregojnë se realiteti mund të jetë krejt tjetër. Ria Formosa, në jug të Portugalisë, është një nga lagunat më të rëndësishme të Europës. Një peizazh unik me flamingo, shpendë migratorë, ishuj ranorë, dunat bregdetare dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm. Dhe pikërisht aty, në zemër të këtij peizazhi, Portugalia ndërtoi një nga historitë më të suksesshme të transformimit ekonomik në Europë”, shkruan Rama.
Duke shtuar se resorti luksoz nuk u ndërtua kundër natyrë, por falë natyrës, Rama liston benefitet që mori zona nga një investim i jashtëzakonshëm: “miliarda euro investime private, mijëra vende pune direkte dhe indirekte, rritje e ndjeshme e vlerës së pronave, të ardhura shumë më të larta për çdo turist, një sezon turistik që zgjat gjatë gjithë vitit dhe transformimi i Algarve në një nga destinacionet më prestigjioze të Europës.“
Krahas investimit që ka sjellë shumë të ardhura për zonën, Rama shprehet se natyra, flamengot, shpendët mirgatorë madje vetë biodiversiteti është bërë pjesë e produktit turistik.
Sipas Ramës mësimi për Shqipërinë dhe shqiptarët është i thjeshtë: Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe vullnetin për t’i bërë ato të bashkëjetojnë, sepse pasuria nuk krijohet duke zgjedhur mes natyrës dhe zhvillimit. E pra, boll i kemi paguar haraç budallallëkut tonë 100 vite! Shqipëria e rilindur turistike do hyjë me se s’bën në ligën e kampionëve të turizmit botëror dhe Europa e bota do të na vlerësojë përfundimisht si vend i bekuar jo i mallkuar.









Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.