Zvicër: Qendrat e azilit përplot, priten edhe mijëra azilkërkues të rinj!
“Qendrat tona kanë mbërritur kufirin e mundësive të tyre ose, disa madje e kanë tejkaluar atë”, ka thënë një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë.
Zyra Federale për Migracion parashikon që gjatë këtij viti në Zvicër të kërkojnë azil gjithsej 24000 të huaj, ndërkohë që deri më tani këtë e kanë bërë 10 mijë syresh.
Por, derisa numri i azilkërkuesve pritet të rritet në këtë masë, qendrat e strehimit të azilkërkuesve qysh tash janë të stërmbushura.
“Qendrat tona kanë mbërritur kufirin e mundësive të tyre ose, disa prej tyre madje e kanë tejkaluar atë”, ka thënë për “Shweiz am Sonntag”, një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë.
Edhe më keq paraqitet gjendja në kantone dhe në komuna.
Për këtë arsye Zvicra po provon të pranojë vetëm refugjatët për të cilët është përgjegjëse dhe kjo ka bërë qe viti e kaluar ajo të dëbojë 13351 azilkërkues në vende të ndryshme.
Kjo nënkupton që azilkërkuesit të cilët para se të vinin në Zvicër kanë bërë kërkesë për azil në një vend tjetër, marrëveshja e Dublinit i detyron të kthehen në atë vend.
Dhe kjo zakonisht paraqet problem të madh për Italinë, pasi që shumica e madhe e refugjatëve nga Afrika, vendin e parë evropian në të cilin shkelin e kanë pasur Italinë.
Vetëm në Itali, Zvicra gjatë vitit 2013 ka kthyer 5318 refugjatë në kuadër të Marrëveshjes së Dublinit ndërsa deri në fund të majit 2014 edhe 2063 të tjerë.
Këtij numri i shtohen edhe rreth 3000 të tjerë, pa dokumente të vlefshme, të cilët janë ndaluar nga rojet kufitare të Zvicrës dhe janë kthyer sërish në Itali.
Zvicra megjithatë është duke punuar për zgjerimin e kapaciteteve për strehim të azilkërkuesve të rinj.
BFM planifikon që në nivel nacional të hapë 170 vende të reja në Losone të Tesinës, 80 në Perreux të Neushaelit ndërsa në Menzingen të Zugut nga maji i vitit 2015 do të jenë në dispozicion edhe120 vende të reja për strehim të azilkërkuesve.