Zv/Ministri i Jashtëm grek, Hundis, vizitë dy ditore në Tiranë
Zv. Ministri i Jashtëm për Çështje Evropiane i Greqisë, Nikos Hundis (Nikolaos Chountis), do të zhvillojë një vizitë dyditore, ditën e hënë 23 dhe ditën e martë 24 Shkurt, në Tiranë, ku do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore), aktivitet i cili organizohet nga presidenca shqiptare e SEECP, bëjnë të ditur burime nga ambasada e Greqisë në Tiranë.
Gjatë qëndrimit të tij, thuhet në njoftimin për mediat nga Ambasada greke në Tiranë, Hundis do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh me krerë të shtetit shqiptar. Më konkretisht, të hënën Hundis do të takohet me Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta (17:30), me kreun e opozitës dhe kryetrin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha (18:00), si dhe do të marrë pjesë ne një darkë pune, e cila organizohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, për nder të pjesëmarrësve në Takimin Ministerial.
Ditën e martë më 24 Shkurt, Zv. Ministri i Jashtëm për Çështje Evropiane do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të SEECP (9:30-15:00), në kuadër të të cilit do të takohet dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.
Në vazhdim, do të zhvillojë takime të njëpasnjëshme me Ministren e Integrimit Europian të Shqipërisë, Klajda Gjosha (16:00) dhe me Hiresinë e tij Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z.Anastas (17:30).
Hundis, gjithashtu, do të jetë i pranishëm në pritjen që do të organizojë partia e PBDNJ-së me rastin e përvjetorit të 23-të të themelimit të saj.