Sporti

Zyrtare, Itali-Shqipëri më 18 nëntor

ndeshja-me-italine-320x180Ndeshja do të luhet në orën 18:00 në stadiumin “Enio Tardini” të qytetit të Parmës

Ndeshja – Shqipëria dhe Italia janë ndeshur disa herë me kombëtaret e moshave, nga U-17, deri të U-21, por kjo është hera e parë që luajnë ndaj njëra-tjetrës me kombëtaret A

Tashmë është zyrtare: Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë kundër Italisë me kombëtaren A në historinë e saj me datë 18 nëntor, në miqësoren e dytë të luksit për këtë muaj, vetëm 4 ditë pas asaj me Francën. Pas disa ditësh negociata është arritur akordi mes dy federatave për këtë ndeshje të parë, ndërsa janë caktuar edhe detajet e zhvillimit të kësaj miqësoreje, të cilën pala shqiptare kishte disa vite që e kërkonte me ngulm.

Për arritjen e marrëveshjes, FSHF duhet t’i jetë mirënjohëse trajnerit italian, Xhani De Biazi, i cili ka ndërhyrë personalisht te trajneri i Italisë, Antonio Konte, për të bërë të mundur fillimin e negociatave. Gjatë një takimi të organizuar nga UEFA në Shën Petersburg, dy trajnerët kanë rënë dakord parimisht për zhvillimin e ndeshjes, duke vënë në kontakt më pas dy federatat, të cilat kanë përcaktuar detajet e kësaj sfide. Meqenëse Italia ishte në negociata edhe me Kolumbinë për një sfidë në këtë datë që përfshihet në kalendarin e FIFA-s, janë dashur disa ditë për të marrë konfirmimin zyrtar nga pala italiane. Miratimi ka ardhur dje, bashkë me detajet e zhvillimit të ndeshjes, duke caktuar stadiumin “Enio Tardini” të Parmës si arenën ku do të luhet kjo sfidë, e programuar në orën 18:00 të datës 18 nëntor. Në këtë impiant, që mund të akomodojë rreth 30 mijë spektatorë, pritet një prani shumë e madhe tifozësh shqiptarë, emigrantë që jetojnë e punojnë përtej Adriatikut, të cilët ëndërrojnë prej kohësh një sfidë mes dy përfaqësueseve që nuk janë ndeshur asnjëherë më parë me Kombëtaret A.

Kësisoj, muaji nëntor i këtij viti mund të cilësohet historik për kombëtaren shqiptare të futbollit, pasi brenda pak ditësh do të zhvillojë miqësore me dy nga ekipet më të forta në Europë dhe botë, Francën e Italinë. Meqenëse Shqipëria u caktua në një grup me 5 skuadra në eliminatoret e Euro 2016, UEFA i caktoi me “detyrim” dy ndeshje ndaj Francës. Në kalendarin e përcaktuar nga UEFA, ndeshja e parë Francë-Shqipëri u caktua me datë 14 nëntor, ndërsa mbetej bosh data 18 nëntor për të kërkuar një tjetër kundërshtar për të testuar grupin e lojtarëve të grumbulluar nga De Biazi. Akordi me Italinë e bën nëntorin muajin më të suksesshëm në historinë e FSHF-së për sigurimin e miqësoreve, duke pasur parasysh se në 5 vitet e fundit, miqësorja e vetme ndaj një ekipi elitar në botë ka qenë ajo ndaj Argjentinës në qershorin e vitit 2011. Falë akordeve të bashkëpunimit të ndërsjellë, gjatë këtyre viteve FSHF ka organizuar ndeshje vajtje–ardhje me kombëtare si Malta, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia apo ekipet e rajonit si Mali i Zi e Maqedonia për të mbushur datat ku nuk kishte ndeshje zyrtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button