Zyrtarizohet HEC-i i Poçemit, do investohen 100 mln euro për 3 vite
Ministria e Energjisë zyrtarizoi marrëveshjen e koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në lumin e Vjosës. Lajmi bëhet publik në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve, sipas së cilës, Ministria i ka dhënë kompanisë turke “Kovlu Energy” të drejtën për ndërtimin e HEC-it me fuqi të instaluar 95 megavat.
Sipas marrëveshjes koncesionare, kompania turke do të investojë 14.1 miliardë lekë, ose mbi 100 milionë euro për hidrocentralin e Poçemit. Koha e ndërtimit është parashikuar 3 vite, ndërsa sasia e prodhimit do të jetë 305 milionë kilovat/orë energji në vit.
Procedurat për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit nisën në korrik të vitit 2015, kur qeveria pranoi propozimin e pakërkuar të një kompanie turke me emrin “Cinar”.
Pasi e shpërbleu me bonus sa 8 për qind të pikëve kompaninë turke, në fillim të këtij viti qeveria shpalli tenderin për të dhënë me koncesion ndërtimin e hidrocentralit. Por në garë u paraqit vetëm një ofertë, ajo e kompanisë “Cinar” në konsorcium me një tjetër kompani turke të quajtur “Ayen”.
Oferta u shpall fituese, duke i dhënë kompanive turke të drejtën për ndërtimin e hidrocentralit dhe shfrytëzimin e tij për 35 vite. Ai i Poçemit është hidrocentrali i dytë që ndërtohet mbi lumin Vjosë, pas atij të Kalivaçit.
Ndërtimi i hidrocentraleve në Vjosë është kundërshtuar nga shoqatat e ambientalistëve. Por Ministria e Energjisë thotë se HEC-i i Poçemit ndodhet poshtë atij të Kalivaçit dhe nuk e prek rrjedhën kryesore të lumit Vjosë.