Home / Opinion / “Obama krijoi pritshmëri të mëdha në Lindjen e Mesme, por më pas dështoi”

“Obama krijoi pritshmëri të mëdha në Lindjen e Mesme, por më pas dështoi”

Nga Paul Berman

Shkrimtar

Në politikën e jashtme, “supozoj dhe shpresoj që Hilari do të jetë më mirë se sa Obama”, thotë historiani dhe shkrimtari Paul Berman. Prej kohësh kritik i dështimeve të presidentit në Lindjen e Mesme, i njeh atij suksese të rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike, dhe pohon se në Amerikë ai do të kujtohet si një lider i mirë. Por shpresa e tij për një politikë të jashtme “më të sofistikuar” qëndron tashmë tek Hilari Klinton.

E takojmë autorin e “Terrori dhe liberalizmi” në një lokal në Bruklin. Janë ditët kur fotografia e Omranit, vogëlushi i Aleppos i mbuluar me pluhur dhe gjak, ka përfunduar në faqet e para, por është zhdukur shumë shpejt, zëvendësuar nga pamjet e sfidës për Shtëpinë e Bardhë, mes Klintonit dhe Trampit.

Presidenca Obama është duke përfunduar, a është koha për të bërë një bilanc?

“Në Shtetet e Bashkuara mbetet popullor. Nuk ka më një besim të mbinatyrshëm tek ai, por mbështetja për të është e lartë dhe është një nga arsyet pse Hilari do të fitojë. Në pjesën tjetër të botës është ndryshem. Sukseset e tij më të mëdha ishin të brendshme, jo ndërkombëtare. Në vitin 2012 ai fitoi me moton “Bin Laden ka vdekur, General Motors është gjallë.” Në qoftë se mund të thuash një gjë të tillë, atëherë fiton. Ai udhëhoqi Amerikën nga recesioni me rezultate më të mira se sa në Evropë. Ndryshe nga Merkeli, beson se ndonjëherë ju duhet të shpenzoni para, që të fitoni para. Kujdesi shëndetësor ende ka probleme, por në afat të gjatë do të funksionojë mirë. Por çështjet ndërkombëtare janë një tjetër histori. Në fillim ka pasur një shpresë të mbinatyrshme tek ai, sapo fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Ka krijuar shpresa të mëdha në Lindjen e Mesme, por pa patur mënyrë për t’i zbatuar: kishte një vizion të pamend të problemeve, ai besonte se konflikti izraelito-palestinez ishte çështja qendrore, por ne kemi parë Lindjen e Mesme shpërbëhet në luftëra civile, që nuk kanë aspak të bëjnë me atë konflikt. Ai nuk arriti të gjykojë lëvizjet islamike dhe rëndësinë e pranisë amerikane, duke tërhequr trupat nga Iraku, duke mos ndërhyrë në Siri dhe duke ndërhyrë në Libi, pa patur një plan. Obama u pengua shumë herë”.

Si do të kujtohet?

“Ai do të mbahet mend si një president i mirë për politikën ekonomike dhe shëndetësore. Gabimet dhe dështimet e tij në politikën e jashtme nuk shihen në Shtetet e Bashkuara. Nëse Putini ka marrë Krimenë dhe pushtuar Ukrainën, nëse lufta është e përhapur në botën arabe, në se Siria ka rënë, të gjitha këto gjëra nuk janë ndjerë këtu në SHBA. Ndjejmë terrorizmin islamik, atë po. Obama ka bërë më të mirën e tij në përpjekje për të minimizuar, dhe kështu natyra e kërcënimit nuk është kuptuar. Pas çdo ngjarje terroriste, ai thotë se ne nuk e dimë shkakun, i çmend republikanët, dhe kështu fiton përsëri, sepse, të çmendur, ata thonë gjëra të pakuptimta. Në shumë drejtime, ai ishte një president i suksesshëm, por unë supozoj dhe shpresoj se Hilari do të bëjë më mirë. Unë mendoj se ajo ka një kuptim më të sofistikuar të politikës së jashtme”.

Për shkak të përvojës si Sekretare Shteti, apo edhe asaj si Zonjë e Parë?

“Periudha e Bill Klintonit në Shtëpinë e Bardhë ka qenë shumë e dobishme për të dy. Negociatat me Arafatin ishin një përvojë e shkëlqyer edukative”.

Obama do të shkojë në Luiziana të martën, pse nuk e bëri më parë?

“Për shkak se paraqitet si një person shumë racional, i ftohtë, zemra e tij nuk rreh fort. Ky ka qenë gjithmonë burim i karizmës së tij: personi më karizmatik është ai i cili, në mesin e 10.000 njerëzve të cilët brohorasin si të çmendur për të, ruan ftohtësinë. Në Luiziana sheh një fatkeqësi që kërkon veprimin e agjencive federale, por asgjë që mund të bëjë personalisht. Kjo është e vërtetë në mënyrë racionale, por ka një pjesë joracionale të punës së një presidenti,ku atij i duhet që të tregojë solidaritet në kohë të vështira, për të siguruar se qeveria e di gjendjen, se presidenti është në kontroll. E vetmja mënyrë për të bërë këtë është teatrale: të jetë atje, të vërë dorën mbi supet e njerëzve vuajtur, por nuk është impulsi i tij, nuk është në tipin e tij. Kështu që njerëzit të ndjehen të braktisur”.

Kjo ndodh në të gjithë botën?

Obama ka bërë gjeste tejet njerëzore kundrejt personave që vuajnë: për shembull kur deputetja britanike Jo Cox u vra përpara Brexit, i telefonoi bashkëshortit të saj për ta ngushëlluar, por ishte një gjest privat, nuk i bën këto gjëra publikisht. Megjithatë, Obama president duhej t’i kishte telefonuar Kryeministrit Cameron: nuk e di në e ka bërë, por nuk bëri lajm. Kjo gjë ka peshë politikisht, edhe në botë, sepse të jesh president i SHBA, ka ende një domethënie në botë”. /burimi: Corriere della Sera/

Leave a Reply

%d bloggers like this: