Home / Arte / Ekspozita / Shtatore e Nolit në Boston

Shtatore e Nolit në Boston

Një shtatore 3 metra i lartë, dedikuar figurës së Fan Stilian Nolit. Të shumta janë shtatoret e punuara nga duart e skulptorit Agim Rada, por një bust të tillë për këtë figurë do të duhej kohë e gjatë për ta sjellë, netë pa gjumë, siç thotë ai, pasi duhej gjetur mënyra e duhur.

Figurën shumëdimensionale të Nolit, Rada e sjell me petkun e klerikut, porse në duar ai nuk mban biblen. Duart e tij shtrëngojnë ndoshta veprën e Shekspirit, Servantesit, apo ndoshta atë të Omar Khajam, përkthyer në shqip prej tij. Kjo është “bibla e kulturës” që Noli u la shqiptarëve.

“Ky është një obligim i kahershëm i imi. Noli është një figurë, për mendimin tim, jo nga më të ndriturat, por më e ndritura e kulturës shqiptare. Jo rastësisht është edhe klerik këtu, sepse deri në fund të jetës ai mbeti një klerik patriot shumë i madh. Figura e vërtete është statike, por lehtë duket sikur ai ecën, sikur njerën këmbë e ka më përpara dhe kokën ulur, siç janë burrat e mençur. Është shumë i matur tek hapi që hedh, tek mendimi që thotë dhe e ka pushtuar fort atë vepër të cilës ia kushtoi vendit të vet dhe kulturës shqiptare”, thotë Rada, drejtor i Qendrës së Restaurimeve.

Për të mbërritur në variantin final, Agim Rada ka bërë një koncentrat të fotove të Nolit.

“Po të shohësh fotot ndodh një fenomen: asnjë foto nuk ngjan me tjetrën. Duket sikur janë persona të ndryshëm. Ishte e vështirë të bëja sintezën e të gjitha fotove e të krijoja një karakter të Nolit, që përveçse t’i ngjajë duhet të ketë edhe botën e brendshme, duhet të jetë edhe mendimtar. Besoj që këtë e arrita. Nuk ka njeri që nuk thotë se ky është Noli”, rrëfen ai.

Shtatorja, tashmë i përfunduar në përmasa, pasi të derdhet në bronx, do të vendoset në kishën e “Shen Gjergjit” në Boston, aty ku edhe Fan Noli shërbeu për një kohë të gjatë, si një kujtim i përhershëm për shqiptarët e Amerikës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: