Rajoni

Parlamenti i Malit të Zi nesër vendos për anëtarësimin në NATO

Një ditë para votimit, dihet se vendimin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO do ta votojnë 46 deputetë malazez nga gjithsej 81.

Të premten në Cetinje do të zhvillohet seanca e posaçme e Kuvendit të Malit të Zi, në të cilën, pas referendumit për pavarësi në vitin 2006, do të votohet vendimi më i rëndësishëm politik – anëtarësimin në NATO. Pozicionet e subjekteve politike janë të ndryshme, por është e sigurt se projekt-ligji për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, do të miratohet. Një ditë para votimit, dihet se vendimin për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO do ta votojnë 46 deputetë malazez nga gjithsej 81. Për miratimin e vendimit është e mjaftueshme shumica e thjeshtë e numrit të përgjithshëm të deputetëve të pranishëm.

Për NATO-n shumica qeveritare dhe Partia Social Demokratike (PSD)

Përveç 42 deputetëve të koalicionit qeverisës i cili përbëhet nga Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), Social Demokratët e Ivan Brajoviç, Partia Liberale dhe Partitë e pakicave kombëtare do të votojë edhe Partia opozitare Social Demokratike (PSD) e Ranko Krivokapiç. “Ky është një moment historik për Malin e Zi. Unë do të jem atje me të gjithë qeverinë”, tha dje kryeminstri Markoviç. Se vendimi për anëtarësimin në NATO është pjesë e rrugëtimit që nga ripërtërirja e pavarësisë, tha edhe ish-kryeministri dhe tani lider i PDS-së Milo Gjukanoviç.

“Nuk ka asnjë dyshim se vendimi do të sillet në mënyrë të vlefshme, pasi që e dimë se në çfarë mënyre Parlamenti vendos për çështje të tilla. As ripërtërirja e pavarësisë në vitin 2006, nuk do të ishte e rëndësishme po të mos arrinim anëtarësimin në NATO”, tha udhëheqësi partisë në pushtet PDS Milo Gjukanoviç. Opozita malazeze, për akuzat se ka patur grusht shteti në ditën e zgjedhjeve parlamentare, ka bojkotuar parlamentin që nga fillimi. Nga të gjitha subjektet që janë pjesë e opozitës, vetëm PSD do të jetë në Cetinje, dhe kështu do të ndërpresë bojkotin disa mujor. Hyrja e Malit të Zi në NATO dhe në BE, janë objektiva thelbësore të programit të partisë së Ranko Krivokapiç. Ndër partitë e tjera opozitare, Lëvizja Qytetare URA pajtohet për hyrjen e Malit të Zi në NATO, por nuk do të marrë pjesë në seancën në Cetinje.

Protestat e Frontit Demokratik (FD)

Grupi më i fortë opozitar – Fronti Demokratik (FD), së bashku me organizatat anti-NATO-s kanë paralajmëruar protesta në Cetinje të premten, në prag të seancës së Parlamentit malazez. “Për ne, vendimi i Kuvendit në Cetinjë do të jetë vetëm një ligj i zakonshëm, të cilin ne do ta ndryshojmë pasi të marrim pushtetin”, pati thënë kohët e fundit lideri FD-së Andrija Mandiç, duke paralajmëruar protestën në Cetinje. Partia e opozitare Popullore Socialiste, DEMOS dhe demokratët nuk do ti bashkohen protestave të FD-së, por as nuk do të marrin pjesë në seancën në Cetinjë, sepse ata besojnë se për anëtarësimin në NATO nuk duhet të vendoset në Parlament por në referendum.

Presidenti malazez Filip Vujanoviç katër vjet më parë pati deklaruar se referendumi është mënyra më e mirë për të vendosur mbi hyrjen e vendit në NATO. Por, Vujanoviç në ndërkohë kishte ndryshuar mendje. “Kurrë askë nuk e kam mashtruar dhe nuk do të mashtrojë. Kanë të drejtë dhe obligim që të them atë që e mendoj dhe kam të drejtë dhe obligim që të them se kam ndryshuar mendje. Katër vitet e kaluar më kanë dëshmuar se isha gabim. Sot, çdo gjë tregon se nuk ka nevojë për një referendum. Ajo me siguri do të jetë një sfidë e re për sigurinë e shtetit, sepse përfshinë rreziqe të sigurisë”, tha Vujanoviç. Ka mbetur për t’u finalizuar procedurat ligjore në Holandë e cila ka miratuar protokollin, si edhe Spanja të ratifikon Protokollin, në mënyrë që në fund të majit ose gjatë muajit qershor Mali i Zi edhe zyrtarisht të bëhet anëtari i 29 i NATO-s.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button