Home / Rajoni / Mogherini, me liderët e Ballkanit

Mogherini, me liderët e Ballkanit

Shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini po planifikon në 24 maj, në Bruksel, një takim joformal me krerët e qeverive të 6 vendeve të Ballkanit.

Korrespondenti i agjensisë maqedonase të lajmeve Mia në kryeqytetin e Belgjikës, thotë se me shumë gjasë, kryediplomatja e bllokut pret që Shkupin në këtë mbledhje ta përfaqësojë Zoran Zaev, i porsamandatuar për krijimin e qeverisë së re maqedonase. Por, nga sa sqaron zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç, nëse kreu i LSDM-së nuk zyrtarizohet deri në atë datë si kryeministër i Maqedonisë, atëherë vendin e tij do ta zërë shefi aktual i ekzekutivit, Emil Dimitriev.

Boshtin e takimit pritet ta përbëjnë bisedimet mbi mënyrat e kapërcimit të tensioneve në rritje në rajon dhe avancimi i qëllimeve të shteteve pjesëmarrëse për anëtarësim në BE. Ftesa e Mogherinit i drejtohet liderëve të Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Darka e punës do të fokusohet tek mundësitë e një zhvillimi më të shpejtë politik të tyre. Nga sa njofton zyra e Mogherinit, përpos diskutimit të situatës në rajon, do të shihen dhe mundësitë e ecjes përpara së bashku.

Aktualisht, dy kriza që shqetësonin bllokun, tashmë kanë marrë zgjidhje: ngërçi i Maqedonisë po davaritet me dorëzimin e mandatit qeverisës dhe në Shqipëri u arrit marrëveshja që i jep fund konfliktit mes qeverisë dhe opozitës. Baza për këtë ishte pikërisht kompromisi i ofruar nga BE-ja, por ujdia u vulos me ndihmën e SHBA-së.

Kosova ndërkohë do të mbajë në 11 qershor zgjedhje të parakohshme, pas votës së mosbesimit në Kuvend, që rrëzoi qeverinë e Isa Mustafës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: