Ekonomia

Gara në T I 2017: Tkurren 60% e bankave

10 banka nga 16 në total rezultojnë të kenë ulur aktivet në tremujorin e parë 2017, në krahasim me fundin e 2016-s, sipas të dhënave që janë publikuar nga Shoqata e Bankave.

Në vlerë nominale, rënien e kryeson Raiffeisen (-5 miliardë lekë), e cila prej vitesh po vijon me strategjinë e saj të tkurrjes së bilancit. Rënie të aktiveve kanë shënuar dhe banka që vitet e fundit kishin qenë agresive, si p.sh., Societe Generale, BKT. Bankat greke kanë vijuar të jenë të frenuara, teksa Tirana Bank ka reduktuar aktivet me 1.1 miliardë lekë, ndërsa më e lehtë ka qenë rënia për Alpha Bank dhe NBG.
Intesa Sanpaolo është banka që ka qenë më agresive në drejtim të rritjes në tre muajt e parë të 2017 (=3.3 miliardë lekë).

Për herë të parë këto vitet e fundit, një prej bankave më pasive dhe të vogla, që ka qëndruar në hije, Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) është e dyta për sa i përket rritjes nominale, pas Intesa. Kjo bankë i ka zgjeruar aktivet me 1.3 miliardë lekë, apo me 21.5%.
Union Bank ka kaluar në bankën e tetë më të madhe në sistem për sa u takon aktiveve, duke e zbritur NBG një vend më poshtë.

Kreditë

Raiffeisen ka vijuar me tkurrjen e portofolit të kredive, me rreth 1.4 miliardë lekë në krahasim me fundin e 2016-s.
Intesa Sanpaolo dhe Tirana Bank vijojnë më pas për reduktimin e stokut të huasë, me përkatësisht 1.7 dhe 1.3 miliardë lekë.
Rritja e stokut nga bankat e tjera është përgjithësisht modeste, ku kryesojnë BKT, Credins dhe Union.
BKT dhe Credins, që vitet e fundit kishin udhëhequr rritjen e kredisë, kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin.

Depozitat

Sërish Raiffeisen ka vijuar të lëshojë terren për depozitat, duke e reduktuar stokun me 10.6 miliardë lekë, në raport me fundin e vitit. Kjo bankë mbetet e tërhequr, duke ofruar norma interesi tepër të ulëta për kursimet, teksa një pjesë e klientëve kanë kaluar te Raiffeisen Invest, që ofron kushte më të favorshme për të shtuar paratë.

Stokun e depozitave e kanë ulur edhe Tirana Bank e ProCredit, ndërsa rritjen e kanë kryesuar BKT dhe Intesa SanPaolo, të ndjekura nga Banka e Kreditit të Shqipërisë dhe Union Bank.

Fitimet

Fitimet e bankave janë përmirësuar ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u rritur nga 970 milionë lekë, në 4.4 miliardë lekë. 11 banka kanë raportuar fitime, nga 8 banka në tre muajt e parë të 2016-s.
Ecurinë më të mirë e ka pasur BKT, me 1.7 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Raiffeisen ka kaluar në fitim 1.4 miliardë lekë, nga humbjet prej 2.3 miliardë lekësh për janar-mars të një viti më parë. E treta renditet Intesa Sanpaolo, me rreth 790 milionë lekë fitime.
Shoqata e Bankave i raporton fitimet sipas standardeve ndërkombëtare (IFRS).

tabela mira.indd

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button