Rajoni

Gentiloni: Porta e hapur për Ballkanin

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi ishte ndër të parët që e hodhi idenë dhe të tjerët e mbështetën pas tij: samiti i Triestes dhe rezultatet e tij shënojnë një event të jashtëzakonshëm për Ballkanin perëndimor, por blloku nuk duhet të mjaftohet me kaq e t’ia lërë harresës perspektivën e anëtarësimit.

Kryeministri italian Paolo Gentiloni u bë njëri prej zërave që këmbëngulin se BE-ja duhet ta lërë portën e saj të hapur për vendet e rajonit, në të kundërt, u shpreh ai, Rusia dhe fuqi të tjera globale do të ndërhyjnë duke rritur influencën e tyre.

“Besoj se mesazhi themelor është i fortë e i qartë: integrimi mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit perëndimor është një zgjedhje strategjike e pakthyeshme dhe objektivi i Italisë është ta bëjë atë më të fortë e më të mundshëm sa më shpejt që të jetë e mundur. E dime të gjithë besoj, dhe jo thjesht për arsye historike, por për arsye realiste, se marrëdhënia mes këtij rajoni dhe BE-së është e një rëndësië kyçe për stabilitetin, sigurie, paqen dhe të ardhmen tonë”, tha Gentiloni.

Përpjekjet ruse për influencë kanë qenë më të dukshme në Serbi, e cila mbetet aleatja e fundit e Moskës në rajon pasi partneri historik, Mali i Zi bëri një kthese vendimtare me anëtarësimin në NATO.

Gentiloni nuk e përmendi Rusinë në emër, por tha se Italia dhe Gjermania, partnerët më të mëdhenj tregtar të Ballkanit, nuk mund të lejojnë që kombe të tjera të mbushin boshllëkun që do të krijohej nëse BE-ja mbetet për një kohë të papërcaktuar e mbyllur për anëtarët e rinj.

Samiti i radhës mes BE-së dhe Ballkanit perëndimor do të mbahet në Britani, e cila u shpreh e gatshme të organizojë takimin edhe pse vetë është në rrugën e largimit nga blloku europian.

Mosmarrëveshjet mes shteteve ballkanike nuk kufizohen vetëm tek ato mes Kosovës dhe Serbise, apo Maqedonisë dhe Greqisë, por edhe dy vende anëtare të bllokut, Sllovenia dhe Kroacia janë përfshirë në një zënkë të vjetër territoriale që ende nuk ka marrë zgjidhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button