Arte

Biblioteka Publike “Marin Barleti” në Shkodër dyfishon katalogun online me vepra të rralla

Në kuadër të “Festës Ndërkombëtare të Librit”, në ambientet e Bibliotekës Publike ‘Marin Barleti’ në Shkodër, këtë fundjavë u hap ekspozita e librit të shtypur shoqëruar me versione të librit audio dhe digjital realizuar nga Violeta Volumi dhe Siditë Halluni. Ishin të pranishëm figura të njohura të letërsisë në qytetin e Shkodrës.

Me këtë  rast u përurua hapja për publikun e pjesës së dytë të koleksionit on-line te veprave të rralla të kësaj biblioteke. Pas 10 viteve pune të pandërprerë, Biblioteka Shkoder numëron tashmë dhjetra mijë faqe të digjituara.

Në vijim të koleksionit të mëparshëm, katalogu i ri është një tjetër dhuratë që biblioteka i bën studiuesve e miqve të librit.

Biblioteka “Marin Barleti” e Shkodrës është e para bibliotekë publike dhe ndër të parat në rang kombëtar që filloi procesin e digjitalizimit, të cilin shumë vende të Botës e udhëheqin nga programe kombëtare shtetërore apo donatorë ndërkombëtar.

“Me dëshirën për ndryshim, rreth vitit 2007 filloi digjitalizimi, pavarësisht mungesave në teknikë. Arritën të përfundonim fillimisht koleksionin e njohur të françeskanëve, “Hylli i Dritës”, – thote drejtori i kësaj biblioteke z. Gjovalin Çuni.

Po ashtu ekzemplarë të rrallë si ‘Meshari’ i Gjon Buzukut (kopje e origjinalit), ‘Doktrina Kristiane’ e Pjetër Budit (Origjinali), apo dorëshkrimi i ‘Lahuta e Malcisë’ e Fishtës janë tashmë onlinë qe prej 2010.

Qëllimi ishte ruajtja dhe promovimi i koleksioneve që për shumë arsye nuk lejoheshin të konsultoheshin nga publiku i gjërë; të reklamoheshin asetet e mjaft të pasura të bibliotekës, por edhe do të shtohej numri e frekuentuesve dhe përdoruesve duke i dhënë atyre kënaqësinë e përjetimit të burimit të konsultuar në të njëjtën mënyrë si origjinali.

Deri sot janë dixhitalizuar libra, revista, gazeta, harta, Albume dhe dorëshkrime gjithsej me shume se 55 mijë faqe. Në këtë katalog bëjnë pjesë koleksione të plota si ‘Hylli i Dritës’, ‘Kultura Islame’, ‘Fryma’, ‘Visaret e Kombit’, apo ‘Përlindja e Shqipënies’.

Katalogu i ri, i cili mund të gjendet në adresën bibliotekashkoder.com, përveç shfletimit ju jep mundësinë e shkarkimit të materialit dhe leximit offline.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button